DURRES - Plot 72 çadra shiu shumëngjyrëshe janë instaluar këto ditë në rrugën "Xhamia", e cila bashkon Bulevardin "Epidamn" (ish-Ruga Tregtare) me Xhaminë Fatih, e njohur edhe si xhamia e vogël e Durrësit. 

Pak metra larg banderolave dhe posterave të forcave politike, që do të garojnë pas një jave për formimin e Parlamentit të ardhshëm, çadrat kineze të shiut i kanë dhënë një pamje ndryshe kësaj rruge, ndër akset më të rrahura të qytetit. 

Nisma e një biznesmeni të ri, që kërkon rrugë të reja për të tërhequr më shumë klientë të rinj në lokalin e tij e ka kthyer rrugën me gjatësi 80 metra në një hapësirë të këndshme dhe në këto ditë janë shkrepur më shumë fotografi se në qendra të tjera të qytetit. 

Në vapën që sapo ka filluar, çadrat e rrugës "Xhamia" më shumë se hije po krijojnë ndjesi argëtimi dhe qetësie, duke u bërë një shembull për t'a bërë qytetin bregdetar më atraktiv dhe mikpritës për pushuesit e vizitorët.

Marrë nga ATSH

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)