DURRES - Këto ditë në territorin e portit të Durrësit ka nisur puna për rehabilitimin e segmentit rrugor "Hyrja Nr.2 - Terminali i Trageteve", me një financim prej mbi 11.2 milion leke.
Nga burime të Autoritetit Portual mësohet se sipas kontratës punimet do të përfundojnë brenda 90 ditësh, pra në fillim të muajit qershor të këtij viti. Zbatues i punimeve është firma "Pienvis", fituese e tenderit përkatës, thanë burimet.
Rruga që po i nënshtrohet rehabilitimit ka një gjatësi 800 metra dhe gjërësi 9 metra. Ajo ndodhet mes shesheve të Terminalit të Kontejnerëve dhe kangjellave rrethuese të territorit portual. Sipas kontratës, për realizimin e rehabilitimit janë parashikuar prishje të shtresave dhe strukturave të betonit në një sipërfaqe prej 7200 metra katrore. Pas këtij procesi rruga do të shtrohet me beton, si dhe asfalto-beton me trashësi 5 cm.
Burimet shtuan se punimet në rrugë nuk do të bllokojnë kalimin e mjeteve në këtë segment të rëndësishëm rrugor portual. Ato do të kryhen paralelisht me qarkullimin e automjeteve të të gjitha llojeve, që do të kontrollohet dhe drejtohet nga Forcat e Sigurisë Portuale FSPD. /ATSH/