DURRES - Rreth 30 dasmorë janë helmuar nga ushqimi në fshatin Qerret të Durrësit, dhe për pasojë janë shtruar në Spitalin Infektiv të qytetit. Dasma në të cilën ata janë helmuar është organizuar ditën e shtunë në drekë në një lokal në fshatin Qerret por simptomat e helmimit kanë nisur të shfaqen një ditë më pas, ku dasmorët janë ndjerë keq, me dhimbje barku dhe koke.

Sipas mjekes së spitalit infektiv, shkak për helmimin e tyre dyshohet të ketë qenë mishi. " Nga analizat e të gjithë pacientëve që janë shtruar këtu, ata kanë qënë në dasëm dhe mendojmë se mund t’i ketë shkaktuar mishi. Nga komunikimet që kemi bërë me Drejtorinë e Shëndetiti public dhe Drejtorinë e Higjenës  që kanë shkuar në lokalin ku u bë dasma kemi dyshime se mund të jetë mishi. Një pjesë e mishit ishte i freskët, ndërsa një pjesë tjetër i ngrirë. Megjithatë ende nuk kemi nje rezultat përfundimtar. Gjendja e pacintëve është e mirë, por është shqetësuese se prurjet vazhdojnë", ka thënë mjekja.

Gjithashtu dhe policia bëri të ditur se në lokal janë marrë mostra të ushqimeve të konsumuara në dasëm të cilat janë çuar për analiza në laboratorët përkatës. Vetë dasmorët sqarojnë se në dasëm janë helmuar edhe persona të tjerë të cilët janë shtruar në spitalet e Tiranës.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)