Durres, 700 nxenes lënë shkollën?
Drejtoresha: Gjejini vetë shifrat

Durres, 700 nxenes lënë shkollën?<br />Drejtoresha: Gjejini vetë shifrat
TIRANE- Një informacion lidhur me numrin e lartë të fëmijëve të arsimit 9-vjeçar, të cilët kanë qenë të detyruar të braktisin shkollën dhe të emigrojnë me familjet e tyre këtë vit shkollor, na çoi në selinë e Drejtorisë Arsimore në Durrës, për të mësuar zyrtarisht se si qëndron ky problem. Informacioni që ne kishim siguruar nga burime serioze, po nga sistemi i arsimit në Durrës, fliste për një shifër të lartë, që e kalonte numrin 700. Pra, mbi 700 fëmijë nuk janë regjistruar në shkollë këtë shtator, pasi e kanë mbajtur frymën në Gjermani, Greqi apo gjetkë, sëbashku më prindërit e tyre, në kërkim të një jete më të mirë. Na priti vetë drejtoresha e Arsimit në Durrës, Lindita Muka, që tha se do të prononcohej ajo vetë për problemin, për të cilin ne kishim trokitur në derën e saj.
 
Drejtoresha
Menjëherë i drejtuam pyetjen se sa nxënës të arsimit 9-vjeçar e kanë braktisur të mësuarit këtë vit shkollor. Përgjigja që në morëm prej saj ishte një deklaratë e gjatë, ku vetëm problemi në fjalë nuk përmendej dhe nuk bëhej fjalë për ndonjë shifër zyrtare. Ja përsëritëm pyetjen dhe përgjigja që morëm ishte kjo: Unë dhashë një deklaratë diplomatike për ju, mediat. Përgjigja e saj të le të mendosh se qeveria ka udhëzuar Drejtoritë Arsimore në rrethe që të regjistronin në shkollë të gjithë fëmijët që ktheheshin nga emigracioni.

Insistimit tonë të vazhdueshëm për shifrën, drejtoresha iu mjaftua me një tjetër reagim, sipas të cilit shifrat e bëra publike në disa media apo rrjete sociale për azilantët e vegjël nuk ishin të vërteta, por të ekzagjeruara. Vetëm se numrin nuk na e bëri të ditur. I thamë se e keni për detyrë që të na jepni informacion, pasi drejtoni një institucion publik. Na u përgjigj se nuk është detyra e tyre, si Drejtori Arsimore, që të mbledhnin shifra për nxënësit që braktisin shkollën për shkaqe emigracioni dhe, për ta gjetur atë numër, na sugjeroi t’i drejtoheshim sistemit TIMS, i cili regjistron të gjithë ata që hyjnë e dalin nga kufijtë e vendit tonë. Një sugjerim i tillë ishte krejtësisht i parealizueshëm, për dy arsye.

E para, se gazetarët nuk kanë akses në sistemin TIMS dhe, e dyta, edhe sikur ta kishim një mundësi të tillë, nxjerrja e shifrës që ne kërkonim do të ishte krejtësish e pamundur, njëlloj sikur të kërkonim gjilpërën në kashtë. Nga sistemi do të na duhej të nxirrnim numrin e fëmijëve nga 8 deri në 15 vjeç që kanë kaluar kufirin shqiptar. Më pas të diferenconim se sa prej tyre e kanë kaluar atë për herë të parë dhe të aludonim se pikërisht kategoria e dytë ishte ajo që ka braktisur shkollën, pra diçka e pamundur.

Edhe duke dalë prej zyrës së saj, i kërkuam të na jepte këtë informacion por, në vend të tij, morëm edhe një paralajmërim se, nëse do t’i bënim ndonjë deformim fjalës së saj, nuk do të kishim shans që të shkelnim në Drejtorinë e Arsimit në Durrës. I thashë se ky është rasti tipik i fshehjes së informacionit për mediat, në një kohë që ajo u kujdes që të deklaronte një tjetër realitet virtual, për ta parë shefat e saj në Tiranë.

Ndërkaq, ka shumë kohë që ne nuk kemi informacione nga ky sektor, ku më parë na janë servirur me bujari. Informacione të tilla, se cila është nota mesatare në shkollat 9-vjeçare apo të mesme, sa nxënës kanë humbur vitin, sa kanë mbetur për vjeshtë, cilat janë lëndët me nota më të ulta dhe ato me nota më të larta, etj të kësaj natyre.
 
E vërteta
Burime tepër të besueshme, po nga sistemi arsimor në Durrës, bëjnë me dije se këtë shtator nuk u regjistruan në arsimin 9-vjeçar, që është edhe i detyrueshëm, mbi 700 fëmijë. Kjo, për shkak se ata janë larguar nga vendi sëbashku me prindërit e tyre në drejtim të Gjermanisë, Greqisë apo vendeve të tjera. Ndërkohë që kanë hyrë në Durrës më shumë se 120 fëmijë, të cilët kanë qenë në emigracion. Pjesa më e madhe e fëmijëve që kanë braktisur shkollën u përket atyre që banojnë në zonat rurale dhe më pak atyre të qytetit. Ndërkohë që edhe në sistemin arsimor të mesëm ka pasur firo, po për të njëjtën arsye. Por mësohet se, për këtë system, nuk ka një shifër të saktë të nxënësve që kanë braktisur mësimet, pasi ky arsim nuk është i detyrueshëm, por fakultativ.

logo observatori per arkiv *Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio dei Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja. com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian






Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Nentor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 
 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë