Banorët e prekur nga projekti për rijetëzimin e qendrës së Durrësit, pranë Amfiteatrit Antik, janë rikthyer në protestë, tre muaj pas takimit me kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar transparencë mbi ndryshimet e mundshme në projekt.

Ata kërkojnë të dinë nëse ka ndryshuar qasja nga “prishje” në “rikonstruksion” për disa objekte.

 “Bashkia dhe institucionet po veprojnë në mungesë të plotë transparence. Flitet për një VKM të re që po kalon pa konsultim me ne. Flitet për ndryshim destinacioni nga prishje në rikonstruksion për disa objekte, por ne nuk kemi asnjë informacion zyrtar”, thotë Entela Koja, arkitekte dhe banore e zonës.

Në protestë morën pjesë rreth 20 banorë, banesat e të cilëve janë ndër të parat që preken nga shembjet pasi figurojnë në listën e shpronësimit të miratuar në gusht të vitit të kaluar.

 “Ne nuk jemi as për shpronësim dhe as për prishje. Kërkojmë rikonstruksion dhe rishikim të projektit,” u shprehën ata.

 “Ne nuk pranojmë asgjë, as lekë. Nga shtëpia ime nuk lëviz. Pse duhet të prishet shtëpia për një lulishte tre metra? A ka logjikë që disa objekte të rikonstruktohen e disa të shemben?”, tha Marjeta Kazazi, banore.

Më 14 shkurt, kryeministri u takua me banorët, ku tha prerazi se projekti nuk do të ndalet, por do rishikohen disa objekte me vlerë kulturore. Ai ka premtuar edhe rishikim të vlerës së shpronësimeve.

TID është projekt i qeverisë dhe Bashkisë, qe do zbatohet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe synon rijetëzimin e zonës historike, në dy anët e bulevardit “Epidamn”. Parashikohet rikualifikim urban dhe restaurimin e monumenteve në zonën arkeologjike A.