Durrës- Dako në Porto Romano: Urbanizim i plotë për të gjitha zonat informale

Bashkia e Durrësit ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për urbanizimin e plotë të të gjitha zonave informale dhe që në fillim të vitit të ardhshëm, ky projekt do të konkretizohet me urbanizimin e plotë të Porto Romanos, ka deklaruar kryebashkiaku i Durrësit dhe njëkohësisht kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane në këtë bashki, Vangjush Dako, në takimin që Ministria e Zhvillimit Urban realizoi me banorë të Porto Romanos për përfshirjen e kësaj zone në projektin pilot për zhvillimin dhe urbanizimin e zonave informale.
Dëgjesat publike në kuadër të projektit që MZHU dhe REC, në bashkëpunim me NJQV dhe ALUIZNI, që janë ndërmarrë për disa zona informale të shtrira në të gjithë vendin me temë "Urbanizimi dhe integrimi social-mjedisor i zonave informale në drejtim të ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit", kanë vazhduar në zonën informale "Lagjja 15" Porto Romano, Durrës.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, përfaqësues të Ministrisë e Zhvillimit Urban, si dhe banorët e zonës interesimi i të cilëve ishte i madh dhe kjo u duk tek komentet, kërkesat, diskutimet në të cilat ata u përfshinë. Edhe një herë doli në pah interesimi i tyre për të luajtur një rol aktiv në procesin e integrimit dhe urbanizimit të zonës ku jetojnë.
Kryebashkiaku Dako tha se jam i bindur se ky projekt do të fillojë të bëhet realitet që në fillimin e vitit të ardhshëm, ndërsa ne si bashki kemi vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e administratës tonë në mënyrë që të rrisim cilësinë e jetës për këta banorë.
Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për urbanizimin e plotë të të gjitha zonave informale. Dako shtoi se ashtu sic kemi bërë në zonën që tashmë me të drejtë i themi Durrësi i ri, ku kemi realizuar ndërtimin e 10 rrugëve të reja me të gjithë parametrat bashkëkohorë, si kanalizime, ndricim dhe gjelbërim, ashtu do të bëjmë edhe për zonat e tjera.
Dako shtoi se modeli ynë që po aplikojmë sapo ka nisur dhe ne nuk do të mjaftohemi vetëm me rrugët, por edhe infrastrukturën për kopshte, cerdhe dhe shkolla. Ai përmendi edhe krijimin e zonës së lirë ekonomike në Spitallë, të cilën e cilësoi si investimin më të madh në 25 vitet e fundit.
"Jo shumë larg nga këtu, afro 1 km, ne do të kemi zonën e lirë ekonomike, e cila do të jetë investimi më i madh në 25 vjet që është bërë në vendin tonë. 483 ha është sipërfaqja e kësaj zone që do të shfrytëzohet për industrinë e lehtë, platforma panairesh, prodhime manifakturash, etj, duke qenë kështu një platformë për biznesin e perendimit në vendin tonë", tha Dako.
Ai deklaroi para banorëve të Porto Romanos se zona e lirë ekonomike që u miratua me vendim qeverie në afërsi të kampusit të universitetit në Spitallë, do të hapë mijëra vende pune, në të cilën pritet të punësohen mijëra banorë të Spitallës, Porto Romanos dhe të të gjithë Durrësit.
Kryebashkiaku Dako e mbylli fjalën e tij duke deklaruar se me punën që është bërë dhe po bëhet, Durrësi do të jetë model i zhvillimit për gjithë vendin, ndërsa shumë shpejt ne do krijojmë modelin për turizmin, bujqësinë dhe industrinë duke e përçuar këtë model edhe më gjerë.
Kjo dhe dëgjesat e tjera që do të zhvillohen në zona të ndryshme të vendit, do të shërbejnë për hartimin e programeve dhe projekteve të posaçme, për urbanizimin dhe integrimin e zonave informale, parë në këndvështrimin e mbrojtjes, ruajtjes dhe përmirësimit të mjedisit nëpërmjet instrumenteve të ndryshme dhe pjesëmarrjes së komunitetit në partneritetin publik-privat.


×

Lajmi i fundit

Protesta e opozitës më 26 Nëntor/ PD publikon 5 rrugët dhe pikat që do bllokojë në Tiranë! Ja ndarja e deputeteve