DURRES- Disa persona kanë gjetur një mënyrë krejt origjinale për të braktisur njerëzit e tyre më të afërt. Një mënyrë e tillë është shtrimi i familjarëve të moshuar në spitalin e Durrësit dhe braktisja e tyre në repartet e tij. Pacientja e parë është gruaja e Asllan Patriotit, ish-të përndjekurit politik që ndodhet në burg pasi akuzohet për mashtrim, Silvia Patrioti.
 
60-vjeçarja me kombësi rumune është shtruar në spital përpara një viti, pasi ka pësuar një trombozë dhe për të nuk interesohet më askush.
 
Në pamjet e fokusuara nga kamera e televizionit “A1 Report” gjendja e saj duket e përmirësuar, dhe këtë e konfirmojnë edhe drejtuesit e spitalit.
 
Më e trishtueshme është historia e pacientes së dytë, Remzie Muçës, 74-vjeçares nga Fieri, e cila është sjellë në spitalin e Durrësit nga djali i saj për kurimin e një frakture.
 
Por rezulton se ai e ka braktisur atë, pasi ka gati një vit që gruaja qëndron në spital në gjendje të përmirësuar.
 
Në këto kushte drejtuesit e spitalit apelojnë në drejtim të institucioneve sociale që të marrin nën kujdesin e tyre këto gra.
 
Këtij apeli i është përgjigjur azili i pleqve të Fierit, që po sot ka ardhur dhe ka marrë 75-vjeçaren nga Fieri për ta strehuar në mjediset e tij.
 
Ndërkohë 60-vjeçarja Rumune vijon ende të qëndrojë në ambientet e spitalit në pritje të ndonjë institucioni apo individi që mund t’i ofrojë një strehë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)