Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar vjedhjen e banesave në qytetin e Durrësit.

Siç raporton policia e qytetit bregdetar,  janë kapur M.S. 17-vjeç, M.Xh. 16-vjeç dhe është shpallur në kërkim F.Ll. 19-vjeç.

Ky grup hajdutësh janë identifikuar nga policia si autorët e 12 vjedhjeve të kryera për një periudhë 3-mujore.

Policia ka sekuestruar telefona celularë dhe motoçikleta dhe thekson se të rinjtë janë persona me precedentë penalë në fushën e veprave penale kundër pronës dhe përdorues të lëndëve narkotike.



Policia Durrës
Goditet grupi që kryenin vjedhje banesash.
Zbardhen dhe dokumentohen 12 vjedhje të kryera.
Kapen dy shtetas në kërkim dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të një pune intensive, me qëllim kapjen e autorëve dhe zbardhjen e veprave penale, kanë bërë të mundur goditjen e një grupi, të cilët kryenin vjedhje banesash në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit.
Efektivat e Policisë kanë kapur shtetasit e mposhtëm të shpallur në kërkim, njëri prej tyre I lënë në gjendje të lirë(për shkak të moshës), konkretisht:
• M.S. 17 vjeç, banues në Durrës, I ndaluar nga Policia;
• M.Xh. 16 vjeç, banues në Durrës, I cili u la në gjendje të lirë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, shtetasin:
• F.Ll. 19 vjeç, banues në Durrës.
Në sajë të veprimeve hetimore të specializuara janë zbardhur dhe dokumentuar 12 vjedhje, të kryera nga shtetasit e mësipërm në bashkëpunim  me njëri-tjetrin për një periudhë 3-mujore, konkretisht:
1.Më datë 06.07.2016, në lagjen Nr. 8 kanë vjedhur banesën e shtetasit P.D. 56 vjeç, ku kanë marrë 10 000 lekë;
2.Më datë 18.07.2016, në lagjen Nr. 5 kanë vjedhur banesën e shtetasit E.M. 29 vjeç, ku kanë marrë një orë dore;
3.Më datë 14.08.2016, në lagjen Nr. 5 kanë vjedhur lokalin në pronësi të shtetasit N.Ll. 46 vjeç, ku kanë marrë një televizor dhe 5 000 lekë;
4.Më datë 14.08.2016, në lagjen Nr. 9 kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit E.B. 31 vjeç, ku kanë marrë një laptop, ora dhe 500 €;
5.Më datë 15.08.2016, në lagjen Nr. 13, tek”Shkëmbi I Kavajës” kanë vjedhur banesën e shtetases  A.P. 43 vjeçe, ku kanë marrë bizhuteri;
6.Më datë 23.08.2016, në lagjen Nr. 1 kanë vjedhur banesën e shtetasit H.C. emigrant, ku kanë marrë disa bizhuteri;
7.Më datë 29.08.2016, në lagjen Nr.11 kanë vjedhur banesën e shtetasit F.Sh. 48 vjeç, ku kanë bizhuteri;
8.Më datë 08.09.2016, në lagjen Nr.18 kanë vjedhur banesën e shtetasit Sh.H. 44 vjeç, ku kanë marrë sende të ndryshme elektroshtëpiake;
9.Më datë 02.10.2016, në lagjen Nr. 8 kanë vjedhur mjetin motorçikletë me targa CAF 663 në pronësi të shtetasit S.Xh. 32 vjeç;
10.Më datë 06.10.2016, në lagjen Nr. 15 kanë vjedhur banesën e shtetasit A.L. 58 vjeç, ku kanë marrë sende të ndryshme elektroshtëpiake;
11.Më datë 15.10.2016, në lagjen Nr. 5 kanë vjedhur banesën e shtetasit E.Dh. 26 vjeç, ku kanë marrë një aparat telefoni celularë dhe 15 000 lekë;
12.Më datë 18.10.2016, në lagjen Nr. 7 kanë vjedhur banesën e shtetasit M.M. 59  vjeç, ku kanë marrë tre aparate telefoni celularë.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar telefona celularë dhe motorçikleta.
Shtetasit e mësipërm janë persona me precedentë penalë në fushën e veprave penale kundër pronës dhe përdorues të lëndëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale"Vjedhja"në bashkëpunim parashikuar në nenin  134,/2  të Kodit Penal. 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)