Durrës- Një punëtor 50-vjeçar humbi jetën tragjikisht dje në Durrës (25 Nëntor), teksa ishte duke kryer procesin në makineritë e një firme të përpunimit të duraluminit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00, në lagjen nr. 14., ku Dritan Nasufi, për shkak të dëmtimeve të rënda ka humbur jetën në spital. Policia nisi hetimet dhe sot (26 Nëntor) zbardhen detaje të reja nga kjo ngjarje.
Pasi ka kryer veprimet paraprake në vendngjarje pas aksidentit, bëri me dije se ka arrestuar në flagrancë dy përgjegjësit e firmës “Pespa Alumin”. Ata janë Leonard Haxhiu dhe Gentian Allkaj, që akuzohen për 'shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë'.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, arrestuan në flagrancë për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit L. H., 47 vjeç, banues në Durrës dhe G. A., 52 vjeç, banues në Tiranë, përgjegjës për sigurinë në këtë firmë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Nga dinamika e ngjarjes e hetuar deri tani rezulton se viktima ka qenë duke pastruar një nga makineritë e përpunimit të aluminit dhe aksidentalisht i kanë ngecur rrobat. Për pasojë makinëria e ka terhequr pas vetes, duke i shkaktuar dëme serioze.
Nga verifikimet rezulton se 50-vjeçari ishte i siguruar dhe dokumentet ligjore të rregullta. Burimet policore bënë me dije se i ndjeri ishte anëtar i komunitetit rom dhe se paraprakisht kanë prangosur dy përgjegjësit e firmës. Ngjarja është ende nën hetim nga ekspertët dhe Prokuroria vendore.