Projekti 2 miliard dollarësh “Durrës Yachts & Marina" i investitorit me famë botërore Muhammed El Alabbar vijon prej 2 vitesh e gjysmë ndërtimin në zonën e Portit të Durrësit, por jo pa probleme.

Dy pallate në fazën e fundit të ndërtimti, njëri 9 e tjetri11 kate, kanë pësuar ulje të strukturës duke u zhytur disa centimetra në tokë.

Ka qenë vetë Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit i cili ka konfirmuar lajmin pas një inspektimi që i ka bërë situatës në terren.

Verifikimi për shkak të raportimeve në media, dhe u bë vetëm në këto dy godina banimi dhe shërbimi, leja për ndërtimin e të cilave është dhënë në shtator 2023.

Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se objekti 02, 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm ndërsa objekti tjetër, me emërtimin 04, 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm. Të dyja ndërtesat janë aktualisht në fazën ndërtimore të sistemimeve të jashtme, pra ndërtimi i strukturës ka përfunduar

IKMT njofton se pas inspektimiti është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, që të marrë urgjent masat me përforcimet e nevojshme teknike, të cilat sipas Inspektoratit garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave.0

“Ky projekt përforcimesh, përpara zbatimit, duhet të marrë miratimin nga autoritetet ligjore përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit”, thuhet në njoftimin e IKMT.

Marrëveshja 35-vjeçare për ndërtimin e projektit të madh turistik në hapësirën ku sot është porti tregtar i Durrësit, u firmos nga qeveria shqiptare dhe kompania e investitorit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Muhammed El Alabbar gushtin e vitit 2022. Ndërtimi i “Durrës Yachts & Marina”nisi një vit më pas. Parashikohen 12 000 apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma në total, ndërsa 80 000 metër katror parashikohen hapësira të gjelbra. Qeveria shqiptare është bashkëpronare e projektit dhe do të përfitoi gjatë gjithë kohës 33.3% të dividentit.