DURRËS - Problematika me mbetjet urbane në Durrës, që bashkia e ka detyrim ligjor t’i menaxhojë ekziston prej 1 viti në qytetin bregdetar, megjithatë, pushteti lokal, zgjidhjen e gjeti duke i vështirësuar jetesën banorëve në periferi. Dhe kjo ndodh edhe pse ka 1 vit që deri tani bashkia ka marrë shërbim falas.
Prej javësh i"pushtuar" nga plehrat, në pamundësi që bashkia të gjejë zgjidhje për të paguar landfillet për vendgrumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve të Durrësit, ka shfrytëzuar natën për t’i shkarkuar mbetjet urbane në një venddepozitim të paligjshëm, në lagjen numër 14 të Shkozetit.
Të mbytur nga mbetjet që bashkia ua derdhi në dyer të shtëpive, banorët e zonës së Nishtullës siç njihet ndryshe, protestuan kundër bashkisë me kërkesën që t’u largojë plehrat nga lagjja e tyre. Në mbështetje të tyre ishte dhe kryetari i PD-së së Durrësit Ferdinand Xhaferri që e konsideroi qytetin në emergjencë mjedisore.
“Situata këtu është e rëndë. Ka dy javë që ku popull po vdes, luftuam COVID dhe na prunë sëmundjen tjetër këtu. Për ca e paguaj gjelbërim-pastrimin? Unë paguaj taksa për ca mi sjellin plehrat e tyre”, tha një banor.
“Këtu vijnë i shkarkojnë natën, është bërë katrahurë. Mban erë e tmerrshme, kundërmon” tha një banore.
“Para tre vitesh Rama e shpalli Porto Romanon emergjencë mjedisore, sot është bërë i gjithë Durrësi emergjencë mjedisore. Pastrimi i qytetit është dështimi i më i madh i qeverisjes. Kjo është fytyra e vërtetë e mandatit të tretë të qeverisjes së Ramës”, tha Xhaferraj.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako ka heshtur gjatë për këtë cështje edhe përballë interest që Report Tv ka pasur për të marrë një reagim në lidhje me këtë situatë të rëndë që vjen në kulmin e sezonit turistik. Reagimin zgjodhi ta bëjë nga këshilli bashkiak në një deklaratë shpërndarë për mediat, ku tha se zgjidhja emergjente ishte dershja e mbetjeve urbane në vende alternative, sipas saj të ligjshme.
“Ne nuk kemi pasur mundësi të depozitojmë më në landfillin e Sharrës dhe po përpiqemi të gjejmë zgjidhje të tjera teknike dhe ligjore që të depozitojmë mbeturinat për Durrësin drejt landfilleve të miratuara. Deri në përfundimin kontraktuale mes Bashkisë së Durrësit dhe landfillit të Sharrës ne do të përdorim çdo mjet teknik e ligjor për të larguar mbeturinat nga qyteti”, tha Sako.
Por pamjet që shfaqen nga lagjja e Shkozetit nuk flasin aspak për ligjshmëri, teksa plehrat u kanë shkuar banorëve në derë të shtëpisë duke rrezikur shëndetin e tyre.
Edhe ministri i Punëve të Brendshmë Bledi Çuçi gjatë ditës së sotme tha se është drejt zgjidhjes situate me mbetjet në Durrës për t’i çuar ato në një vendgrumbullim tjetër.
Edhe pse ka një vit Integrated Energy ofron shërbim falas për Bashkinë Durrës edhe sot ka dhënë një zgjidhje dhe i ka ofruar kësaj të fundit shërbim falas deri më 15 korrik. Pra të depozitohen mbetjet në Landfillin e Sharrës pa pagesë deri në këtë datë.
Megjithatë deri në zgjidhjen përfundimtare, situatën do e vuajnë banorët e Durrësit, që po mbyten nga plehrat. Një goditje jo pak e vogël edhe për turizmin, ku askush nuk do të zgjidhte për të pushuar një qytet që kutërbon nga mbeturinat.
Në Durrës situata me plehrat vijon të jetë e rënduar, ndërkohë që një zgjidhje tjetër është ofruar nga kompania ‘Integrated Energy’.
Përmes një letre kompania, që operon në Sharrë, edhe pse ka një vit që ofron shërbim falas për Bashkinë Durrës i ofron kësaj të fundit shërbim falas deri më 15 korrik. Pra të depozitohen mbetjet në Landfillin e Sharrës pa pagesë deri në këtë datë.
Tashmë Bashkia ka një afat për dërgimin e mbeturinave në këtë vendgrumbullim deri më 15 korrik, ndërsa pas kësaj date ky institucion duhet të marrë masa për zgjidhjen e situatës.