DW: A do garantohet vullneti i votuesve në zgjedhjet e 14 majit?

DW: A do garantohet vullneti i votuesve në zgjedhjet e 14 majit?

Foto ilustruese

Në garë janë 40 subjekte politike. Tre milion e gjashtëqind mijë votues, që rezultojnë të regjistruar në listat e zgjedhësve, pritet të japin votën e tyre për këto subjekte. Si në ꞔdo proces zgjedhor, qytetarët presin që rezultati i zgjedhjeve të shprehë vullnetin e tyre dhe ai të mos tjetërsohet. A i garanton këto pritshmëri legjislacioni zgjedhor?

Subjektet politike në garë - të zbatojnë ligjet zgjedhore

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, (KQZ), Ilirian Celibashi, në bisedë me DW, rreshton një sërë mekanizmash dhe garancish ligjore që mundësojnë një rezultat në përputhje me vullnetin e zgjedhësve, të shprehur me votën e tyre. "Qëllimi kryesor i zgjedhjeve është të sigurojë një përfaqësim të saktë të vullnetit të popullit, një proces të lirë, të ndershëm dhe transparent. Pavarësia e KQZ, monitorimi i procesit zgjedhor nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it, mbrojtja e votës së qytetarëve përmes votimit dhe numërimi transparent dhe i saktë janë ndër mekanizmat dhe garancitë kryesore ligjore. Është e rëndësishme gjithashtu që partitë politike në garë, kandidatët e tyre për organet e pushtetit lokal, të jenë të përkushtuar ndaj ligjeve, rregullave zgjedhore, të kenë qasje të barabartë dhe të ndershme ndaj mediave dhe financimit të fushatës zgjedhore,” thotë Ilirian Celibashi për DW.

Ligjet zgjedhore dhe transparenca e financimeve

Lidhja e politikës me fonde dhe financime private të fushatave zgjedhore nuk janë dukuri te panjohura në Shqipëri. Ato kanë cënuar dhe tentojnë të cënojnë integritetin e procesit zgjedhor duke krijuar kushte për deformim të rezultatit, edhe pse legjislacioni zgjedhor kërkon t‘i ndalojë. "Ligjet zgjedhore në Shqipëri kanë vënë kufizime të rrepta lidhur me burimet e financimit të fushatave zgjedhore. Ato synojnë ndalimin e vendosjes së interesave të financuesve privatë mbi ato të votuesve. Partitë politike e kanë të ndaluar të marrin fonde nga burime të jashtëligjshme. Ato janë të detyruara të deklarojnë të gjitha burimet e financimit dhe shpenzimeve për fushatën zgjedhore," thekson komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirian Celibashi.

Ai vë në dukje, se dispozitat ligjore kanë vendosur detyrime të rëndësishme për partitë politike lidhur me deklarimin e burimeve e tyre të financimit dhe shpenzimeve në fushatën zgjedhore. "Partitë politike në garë janë të detyruara me ligj të dorëzojnë në KQZ, rregullisht dhe në kohë, raporte financiare lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet gjatë fushatës. KQZ i verifikon ato dhe u kërkon llogari partive politike kur konstaton shkelje të dispozitave ligjore dhe rregullave. Për herë të parë, për zgjedhjet lokale 2023 është krijuar edhe një platformë elektronike për raportimin financiar. Ajo lehtëson verifikimin e raporteve financiare të partive politike dhe kontrollin nga mediat dhe shoqëria civile. Transparenca e financimeve private të partive politike është një nga sfidat kryesore në mbrojtjen e integritetit zgjedhor në Shqipëri", thotë Celibashi.

Mungesë vullneti nga politika për ndryshime legjislative

Legjislacioni aktual zgjedhor, i miratuar 3 vjet më parë, ka rezultuar të ketë mangësi lidhur me transparencën e fondeve të partive politike në procesin zgjedhor. Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it e konstatoi këtë gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare 2021. Në raportin e tij përfunditar ai rekomandoi, ndër të tjera, që për zgjedhjet e ardhshme, Lokalet 2023, të bëhen rregullime në legjislacionin dhe Kodin Zgjedhor. Por kjo nuk ka ndodhur.

"Zgjedhjet lokale 2023 do të zhvillohen me të njëjtin legjislacion si parlamentaret 2021. Nuk është bërë asnjë ndryshim. Kjo do të thotë që edhe në këto zgjedhje procesi zgjedhor është i ekspozuar ndaj të njëjtave fenomene negative që u konstatuan në zgjedhjet parlamentare 2021. Shqipëria, si vend anëtar i OSBE është angazhuar të plotësojë legjislacionin e saj zgjedhor me rekomandimet e misioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it. Mosplotësimi i tyre është një qëndrim i përsëritur i klasës politike të Shqipërisë,” thotë për DW, Kristaq Kume, ekspert i sistemeve zgjedhore.

Komisioneri Shtetëror, Ilirian Celibashi thekson që "për rekomandimet e OSBE/ODIHR-it që kërkojnë ndryshime legjislative, partitë politike, të përfaqësuara në Kuvend, duhet të tregojnë vullnetin e tyre për të përmirësuar Kodin Zgjedhor. KQZ ka plotësuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it lidhur me administrimin e procesit zgjedhor, që është përgjegjësi e këtij komisioni.

Kodi Zgjedhor i Shqipërisë e përcakton KQZ si të vetmin institucion të pavarur që ka për detyrë të monitorojë dhe bëjë auditin e shpenzimeve të partive politike për fushatën dhe zbatimin e legjislacionit zgjedhor. "KQZ nuk ka kapacitete teknike dhe profesionale, nuk ka mundësi reale për të kryer këto detyra të rëndësishme. Politika është treguar e shurdhët ndaj kërkesës për të bërë plotësimet e duhura në legjislacion dhe rritur kapacitetet e KQZ,” thotë për DW eksperti Kume.

Ai sjell në vëmendje sesi e kanë trajtuar problemin e transparencës së financimit të partive politike vendet fqinjë, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. "Në Kosovë, në strukturën e KQZ, funksionon zyra për financimet e partive politike, që është e pavarur dhe ka buxhet më vete. Në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, krahas KQZ-së legjislacioni zgjedhor ngarkon me detyra për të ndjekur dhe audituar financimet e partive politike edhe institucione kundër korrupsionit dhe ato të tatim-taksave. Në Shqipëri nuk ndodh kështu dhe transpatenca e financimeve të partive politike mbetet në nivelet më të ulta të mundshme,” thotë Kristaq Kume.

Ai thekson që Shqipëria ka nevojë të rrisë kapacitetet institucionale dhe profesionale të institucioneve ligjzbatuese si prokuroria dhe policia e shtetit për të "parandaluar që paratë me burime të paidentifikuara t'u jepen partive politike dhe financuesit privatë të ndërhyjnë në procesin zgjedhor” "Paraja që futet në procesin zgjedhor nga burime të tilla përbën vepër penale, të dënueshme me ligj. Ajo përdoret për të arritur jo atë rezultat që kërkojnë zgjedhësit me votën e tyre, por atë që duan financuesit privatë për ta përdorur forcën politike që do marrë pushtetin për interesat e tyre”, thotë për DW Kristaq Kume.

Një tjetër dukuri negative që tenton të deformojë vullnetin e votuesit të shprehur me votë e tij është keqpërdorimi i fondeve publike, që ka qënë një nga shqetësimet thelbësore në raportin përfundimtar të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare, 2021.

Në një intervistë ekskluzive për DW, ambasadorja Urszula Gacek, kryetare e misionit te atëhershëm të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHTR-it theksoi se " keqpërdorimi i burimeve të administratës shtetërore, qëndrimi i paqartë ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit ka qenë shqetësim më i madh se shit-blerja e votës. Ligji ka paqartësi. Askush nuk mund të hedhë poshtë që biznesi i qeverisë vazhdoi.

A do të ndalojë ky biznes në zgjedhjet lokale 2023?

"Si asnjëherë më parë ne në KQZ jemi fokusuar më shumë në përgjegjësinë tonë për të shmangur përdorimin e burimeve shtetërore në fushatën zgjedhore. Të gjitha institucionet shtetërore dhe agjencitë e tyre janë të detyruara të njoftojnë KQZ për aktivitetet publike. Në procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale 2023, KQZ ka konstatuar shkelje dhe ka propozuar 20 sanksione nga të cilat 10 janë pranuar. Janë ndaluar 7 aktivitete publike, nga të cilat 10 aktivitete për keqpërdorim të burimeve publike dhe 7 aktivitete për shkak të raportimit të vonuar. Në zgjedhjet paramentare 2021, KQZ nuk ka ndaluar asnjë aktivitet publik dhe vendosi vetëm 4 sanksione për keqpërdorim të burimeve publike,” thotë për DW Ilirian Celibashi.

Sipas ekspertit të sistemeve zgjedhore, Kristaq Kume, thelbësor është përmirësimi i legjislacionit zgjedhor: "Nuk ka asnjë përmirësim. Nuk është bërë asnjë ndryshim në legjislacion. Kam parasysh së pari Kodin Zgjedhor. Klasa politike e Shqipërisë, Parlamenti nuk ka reaguar fare ndaj rekomandimeve të misioneve të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it nga zgjedhjet palamentare 2021. Komisioni për reformën zgjedhore nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me përdorimin e fondeve publike në fushatat zgjedhore. Kjo tregon mungesën e vullnetit politik për të angazhuar energji dhe forca për rregullimin e legjislacionit zgjedhor, qoftë edhe për zbatimin e legjislacionit ekzistues. Ka një kulturë të munguar në funksionimin e shtetit ligjor."

Në këtë situatë për Komisionerin Shtetëror për Zgjedhjet , kryetarin e KQZ Celibashi, është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e qytetarëve në votim. "Inkurajoj votuesit të shkojnë në votime, të ushtrojnë të drejtën e tyre zgjedhore. Subjektet politike në garë dhe kandidatët të respektojnë rregullat e lojës dhe të bëjnë fushatë në mënyrë të ndershme” thotë ai për DW

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vetëvrasja e Mehmet Shehut para 43 vjetësh, dëshmia e ish-punonjëses së vilës: Kërkoi një kafe dhe një gotë ujë! Ngjarjen e mora vesh kur…

Vetëvrasja e Mehmet Shehut para 43 vjetësh, dëshmia e ish-punonjëses së vilës: Kërkoi një kafe dhe një gotë ujë! Ngjarjen e mora vesh kur…