DËMET/ Shemben 2 godina në Thumanë: Rrezik! Në Tiranë banorët e 4 pallateve s'pranojnë të evakuohen! Në Durrës rrezik shembje një kompleks

DËMET/ Shemben 2 godina në Thumanë: Rrezik! Në Tiranë banorët e 4 pallateve s'pranojnë të evakuohen! Në Durrës rrezik shembje një kompleks

TIRANË- Tërmeti i 26 nëntorit ishte fatal ku u mori jetën 48 personave të pafajshëm e u plagosën qindra të tjerë!

Përtej jetëve të marra, ky tërmet ka shkaktuar dëme të shumta materiale. Qindra banesa kanë marrë dëmtime të mëdha, e ndërsa dhjetëra janë shpallur të pabanueshme. Për të shmangur rëndimin e bilancin të viktimave, autoritete shqiptare pas inspektimeve të bëra kanë shpallur disa objekte të pabanueshme. Për këtë arsye, ato do të shemben në mënyrë që asnjë nga banorët të mos rikthehet në banesat e tyre për asnjë arsye.

Vetëm në Thumanë, ku ka pasur edhe më shumë viktima, pasditen e kësaj të enjteje u shembën dy pallate e ndërsa operacioni do të vijë edhe mëngjesin e nesërm për shembjen e objekteve të tjera. Gjithashtu edhe në lagjen numër 17 në zonën e Ish-Kënetës, shumë pranë banesës ku u shua familja Lala, do të shembet vila 5-katëshe. Ndërkohë edhe në Tiranë, 4 pallate janë shpallur të pabanueshme, por banorët refuzojnë që të evakuohen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 01:44
Tërmeti copëton muret e pallatit 8-katësh në Shkozet (FOTOT)


Dëmet nga tërmeti në Durrës kanë qenë të shumta, jo vetëm në njerëz, por edhe në materiale, pasi janë shumë godina që janë shkatërruar. Report Tv sjell më poshtë pamjet që tregojnë dëmet që ka pësuar një pallat 8-katësh në Shkozet, pasi muret janë çarë dhe kanë rënë në tokë. Banorët janë larguar, ndërsa mbetet që fjalën e fundit ta thonë inxhinierët nëse janë dëmtuar kolonat.

Ora 22:28
Banori në kompleksin e pallatave 15 katëshe në Durrës: Të rrijë një polic, mund të na vjedhin shtëpitë

Banorë të shumtë që jetojnë në kompleksin e pallateve 15 katëshe në zonën e ujësjellësit në Durrës mbetën jashtë pasi pallatet u vlerësuan si të pabanueshme për shkak të dëmeve të pësuara nga tërmeti. Por ata shprehen se asnjë polic nuk ka qëndruar pranë godinës për të mos lejuar banorët të futen, ashtu sikurse thonë se askush nuk i ka shkuar nga shteti për tu interesuar se ku do të strehohen. Për mikrofonin e Report Tv, banori i një prej pallateve thotë se ka marrë me vete vetëm rroba trupi, ndërkohë që shumë të tjerë mund ta shfrytëzojnë këtë situatë për vjedhje. Ai kërkoi praninë e policisë për ta parandaluar këtë fenomen. Ky pallat veçse i pabanueshëm, ka rrezik shembje, ndaj të gjithë banorët janë evakuuar.

Ora 21:14
Mazniku për Report Tv: Në Tiranë u dëmtuan 202 pallate, 410 shtëpi private të pabanueshme

N/kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Arbi Mazniku deklaroi në një lidhje telefonike për Report Tv se në qarkun e Tiranës janë 2 mijë objekte që janë dëmtuar, nga të cilat 410 shtëpi private janë të pabanueshme. Sa i përket 202 pallateve që janë dëmtuar, 4 janë të pabanueshme.

Zoti Mazniku, sa serioze është situata?
Sot gjatë gjithë ditës janë verifikuar dëmet në pallatet në Tiranë. Janë 202 pallate që kanë dëme nga tërmeti, disa jo serioze dhe disa serioze. 4 objekte nuk duhet të banohen, qytetarët duhet të largohen të paktën sonte, pasi mund të kenë pasur dëme strukturore dhe në një tjetër valë tërmeti mund të kenë dëmtime më të mëdha. Banorëve u kemi kërkuar që të lëviznin, një pjesë kanë ikur, të tjerë janë akomoduar në hotele dhe qendra sociale. Kemi pasur rezistencë nga disa banorë dhe ne përfitojmë t'u bëjmë thirrje të largohen deri kur të kemi bërë një verifikim më të detajuar.

Zoti Mazniku, e keni menduar për të ndërhyrë për t'i shembur ato që rrezikojnë?
Nuk jemi akoma në këtë situatë që mund të kemi persona nën rrënoja, por vlerësimi paraprak që mund të kenë dëmtime strukturore. Ekspertët do të bëjnë një vlerësim të dytë nëse këto struktura kanë nevojë për përforcime apo duhet të prishen, por këtë vlerësim nuk mund ta bëjmë sot. Sot 202 objekte pallate i kemi verifikuar dhe mbi 2 mijë objekte private në fshatra që janë dëmtuar, 410 janë të pabanueshme dhe banorët janë lëvizur. Njëra është shkolla në Pezë që nuk rikuperohet dhe që javën tjetër do të prishet.

Zoti Mazniku, ku mund të drejtohen qytetarët për të komunikuar me bashkinë nëse kanë nevojë për ndihmë?
Pika kryesore është njësia administrative ku banojnë, të 27 zyrat që kanë qenë të hapura, do të funksionojnë me 24 orë. Bashkia ka 5 qendra sociale të vetat dhe 2 të shoqërisë civile që i ka hapur.

Ora 20:30
Kënetë, do të shembet shtëpia ngjitur me vilën ku u shua familja Lala

IKMT-ja do të shembë edhe një shtëpi të ndodhur ngjitur me vilën 4-katëshe në zonën e Kënetës, aty ku u shua familja Lala pas tërmetit të së martës. Autoritetet shqiptare kanë vlerësuar që edhe banesa ngjitur vilës është e pabanueshme dhe për pasojë duhet të shembet. Kjo është një vilë 5 katëshe e cila ka pësuar dëme të mëdha nga tërmeti, por fatmirësisht aty nuk jetonte njeri, pasi janë jashtë shtetit. Si kjo vile janë edhe disa objekte të tjera pranë kësaj zone që nëse vlerësohet se janë të pabanueshme dhe ka rrezik të shemben, do të prishen.

Si ishte vila
Ora 20:13
Tiranë, çahen kollonat e një pallati tek 'Kodra e Diellit'

1574968583_kod.jpg

Kolonat e një pallati pranë Kopështit Botanik në Tiranë kanë pësuar krisje nga lëkundjet sizmike të ditëve të fundit.

Sipas fotografive të shkrepura nga një qytetar që banon aty pranë, dëmi është i dukshëm në pjesën e kolonave dhe gjithashtu dallohet edhe një spostim i vogël i strukturës në tërësi.

Miq! Kjo çarje dhe dëmtim strukturor është në katin e parë të një pallati në Tiranë në Rr. "Kodra e Diellit", përbri Kopështit Botanik në Selitë. Pallati ka thyerje të kolonave mbajtese dhe spostim të lehtë por të dukshëm nga krahu Veri-lindor, pikerisht ne fugat amortizuese.

Nga krahu Jug-perendimor ka nje thyerje te gjere dhe nje ngritje me 4 mc. Deri tani askush nuk ka ardhur, madje as zemergjeret e Bashkise dhe Qeverise. Por banoret qendrojne brenda neper shtepi dhe askush s'e ka vene re demtimin. Une nuk jam ekspert, por fola me dy te tille qe me thane se kjo eshte serioze...! Zoti e befte mire!”, është shprehur qytetari.

Foto nga pallati i dëmtuar
Ora 20:09
Thumanë, shemben dy pallate ishin bërë të rrezikshme pas tërmeti

Dy pallate në Thumanë të cilët janë të pabanueshme është shembur ditën e sotme. Ato kishin marrë dëmtime të shumta për shkak të lëkundjeve të tërmetit të 26 nëntorit dhe pasgoditjeve të tjera që pasuan, e për pasojë autoritetet kanë vendosur që ta shembin. Ndërkohë, nesër në mëngjes do të rinis shembja e ndërtesave të tjera, pasi të bëhet vlerësimi nga Bashkia e këtij qytetit.

Ora 20:04
Tiranë, Bashkia: 4 pallate të pabanueshme, por banorët nuk pranojnë të evakuohen

Pas tërmetit të fuqishëm që përfshiu vendin më datë 26 nëntor, Bashkia e Tiranës,  u angazhua në terren me të gjithë punonjësit e saj, për të përballuar pasojat dhe ndihmuar qytetarët e prekur. Paralelisht me ndihmën që po u jepet banorëve në nevojë, grupet e punës së Bashkisë së Tiranës po verifikojnë në terren të gjitha banesat private dhe pallatet, për të evidentuar ndërtesat me probleme, të cilat mund të jenë të pabanueshme për shkak të goditjeve sizmike.

Deri më tani, grupet e punës me përbërje inxhinierë konstruktor, kanë konstatuar se disa godina janë të pabanueshme në Tiranë dhe kanë udhëzuar evakuimin e banorëve. Por, në 4 pallate, punonjësit e Bashkisë së Tiranës në terren kanë hasur në rezistencën e banorëve, të cilët nuk pranojnë të lënë banesat e tyre dhe të evakuohen në qendrat sociale ose hotele të zonës, sipas udhëzimit të inxhinierëve, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të liruar menjëherë ndërtesat që janë të klasifikuar si të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit. Pallatet ndodhen në njësitë e mëposhtme:

- Njësia Administrative 11, rruga “Fatmir Gjata”, Kodër Kamëz;
- Njësia Administrative 4, pallati i ish-Konvikteve të Komunales së Tiranës, zona e Alliasit, Godina 1 dhe 2;
- Njësia Administrative 4, pallati nr. 4, rruga “Myslym Keta”;
-  Njësia Administrative 6, pallati nr. 160 në rrugën “Llambi Bonata”, zona e ish-Kombinatit.

Bashkia e Tiranës i ka njoftuar dhe ua ka vënë në dispozicion banorëve të pallateve të mësipërme aktet e konstatimeve të Institutit të Ndërtimit, duke bërë rrethimin e zonës dhe vendosjen e perimetrit të sigurisë. Bashkia e Tiranës u bën thirrje të gjithë banorëve të bashkëpunojnë me përfaqësuesit tanë në terren dhe të dalin vullnetarisht nga këto ndërtesa të pasigurta për jetën e tyre, dhe të pranojnë ndihmën e ofruar për strehim dhe ushqim.

Bashkia e Tiranës falenderon të gjithë ata banorë që kanë pranuar të bashkëpunojnë me grupet e terrenit, pasi u është ofruar strehim në qendrat tona sociale ose akomodim në çdo subjekt privat, i cili është ofruar për të ndihmuar në kapërcimin e fatkeqësisë natyrore.

Ora 18:29
Tiranë, Çahen muret e pallatit në Kombinat nga tërmeti, banorët kërkojnë ndihmë


Nga lëkundjet e tërmetit të fuqishëm të mëngjesit të së martës me epiqendër në Durrës u dëmtuan edhe shumë pallate në Tiranë. Dëmtimet më serioze i kanë pësuar disa pallate te zona e Kombinatit ku punonjësit e bashkisë dhe inxhinierët u kanë kërkuar banorëve që të dalin jashtë, pasi rreziku është i madh duke parë që muret janë çarë nga lëkundjet.

Një pjesë e banorëve janë larguar te të afërmit e tyre, disa e kanë kaluar natën në makinë, ndërsa të tjerë në një çadër poshtë pallateve. Ata shprehen se nuk largohen, pasi shtëpitë mund të bien pre e vjedhjeve duke kërkuar që të vendosen në ruajtjen e policisë së shtetit.

Dëmet nga tërmeti te pallatet ne Kombinat
Ora 17:27
Durrës , 24 pallate shpallen të pabanueshme, 3080 persona regjistrohen të pastrehë

1574958694_durres.jpg

24 pallate janë shpallur të pabanueshme në Durrës. Ato janë rrethuar me shirit për të penguar banorët që të futen brenda. 3080 persona janë regjistruar si të pastrehë deri në mesditën e sotme. Ndërsa në Sukth 102 familje janë regjistruar si të patreha

Ora 17:21
Fushë Krujë, shtëpitë shpallen të pabanueshme, banorët nuk pranojnë të largohen nga frika e vjedhjeve

Disa pallate dhe banesa në zonën e Fushë Krujës janë shpallur të pabanueshme, por kjo nuk i ka penguar banorët për të ruajtur orenditë, sepse kanë frikë nga vjedhjet. Gazetari i Report Tv Julian Shota raporton se nuk është marrë ende asnjë masë, ndërkohë që godina rrezikojnë shembjen nga momenti në moment.

Ora 17:20
Vlorë, tërmeti bashkon dy pallate, banori: Përveç lëkundjeve, ndjemë edhe përplasjen e madhe

Tërmeti i 6 nëntorit ka lënë pasoja të paimagjinueshme. Në Vlorë dy pallate që kanë pasur më shumë se një metër hapësirë nga njëri-tjetri janë bashkuar. Në dëshminë e një banori të zonës, ai tregon se përveç lëkundjes së tërmetit, ka ndjerë edhe zhurmën e madhe të përplasjes së dy pallateve me njëra-tjetrën.

"Pallati është shkatërruar. Janë bashkuar lart me njëri-tjetrin. Kanë qenë një m larg dhe tani lart është bashkuar. E ndjemë si përplasje e fortë, Ne jemi në një situatë...kemi qenë te drejtori, te prefekti, na thonë do dërgojmë njeri, deri tani s'kanë dërguar, ndoshta ta dërgojnë", tregon banori.

Ora 17:04
TË MBIJETUARIT pa çati! Bubq, 234 familje të prekura nga termeti, prej dy netësh në qiell të hapur (VIDEO)

Banorët e fshatit Bubq edhe sonte do të flenë në qiell të hapur. Ndonëse, nuk ka të dëmtuar fizikisht, situata e 1137 banorëve pas tërmetit, që përshkoi vendin është e rëndë. Mes lotëve edhe dhimbjes ata rrëfejnë për kamerën e “REPORT TV”, se nuk kanë ku të flenë, e as ku të lahen. 234 shtëpi janë dëmtuar, disa plotësisht disa pjesërisht, por të gjitha këto janë të pabanueshme. Teksa na tregojnë se investimet edhe djersën e një jete e kanë derdhur për të ndërtuar këto shtëpi, të bëra para edhe pas viteve ’90, të cilat nuk i shpëtuan tërmetit të datës 26 nëntor, 6.4 magnitudë të shkallës rihter edhe me intensitet ndjeshmërie rreth 8 ballë, shpresa e vetme e tyre këto ditë është një çadër ku të fusin kokën. 

“Ne kemi mbetur në qiell të hapur. Deri më sot kemi plotësuar një formular edhe po rrimë brenda në makinë. Kemi dalë nëpër boshllëqet që ishin, ndërsa nuk kanë ardhur ende që të na ndihmojnë, vetëm kanë parë situatën. Është ngritur gjithë fshati duke qarë për ne, sepse kemi hedh këtu tërë djersën”, shprehet  një nga banorët e Bubqit, Besim Bardhi.

“Ata erdhën e filmuan, edhe nuk na thanë asgjë as për çadra e as për gjë. Duam një çadër, edhe një zgjidhje”, shprehet një tjetër banor.

Prene Doda rrëfen se në momentin që ra tërmeti e gjeti të zgjuar. “Në fillim thirra nënën, bashkëshorti mori nënën edhe vajzën edhe i uli poshtë. Ne po jetojmë në makinë. Komuna e verifikoi edhe tha që është e pabanueshme. Nuk e dimë se si i bëhet tani. U kemi kërkuar çadra. Ata deshën që të shkojmë të gjithë në një vend, por ne kemi gjë të gjallë edhe plakë të vjetër”, thotë Prene Doda.

Ndërsa, ashtu edhe sikundër rrëfejnë banorët përkrah tyre në këto ditë të vështira, qëndrojnë vëllezërit nga Kosova, të cilët kanë çuar ushqime edhe batanije në çdo shtëpi.


“Kur e dëgjuam u tronditëm, u munduam që të hapnim dyert, por nuk hapeshin. Dhamë alarmin gjithë familjes prej 13 anëtarësh edhe dolën mes tullave që binin. Por deshi zoti pa viktima. Flemë si në eksodin kosovar. Kosovarët na kanë sjellë veshmbathje edhe bukë, një i moshuar na tha: Ua kemi borxh ju shqiptarëve, sepse shqiptarë jemi të dy kombet”, shprehet mes lotëve, Nikolla Doda, i cili kërkon një çadër për 13 anëtarët e familjes.

Kryekomunari Qemal Daci, i cili së bashku me burimet njerëzore pranë kësaj komune, deri më tani kanë inspektuar banesat e shembura edhe është duke punuar edhe për menaxhimin e ushqimeve, veshmbathjeve, edhe 26 çadrave të para që ka dërguar Ministria e Mbrojtjes.

 “Janë 234 shtëpi deri më tani, kemi bërë furnizimin  me ushqime edhe me ujë, janë duke ardhur çadrat edhe do t’i vendosim ose 1 për dy tre familje, ose kolektive. Ushqime ka pas plotë, të gatshme edhe që presin të gatuhen në kohë të ndryshme. 234 banesa nga 1137 që kanë mbetur jashtë, në total janë 8880 banorë. Shtëpitë nuk janë të dëmtuara të gjitha, ka afër që janë në gjendje ku edhe futen njerëzit”, thotë kryekomunari Daci.

Në fshatin Bubq jetojnë në total 8880 banorë, ku prej tyre 1137 banorë kanë mbetur pa një shtëpi.

 

 

Ora 16:38
Tiranë, i ndërtuar 5 vite më parë, pallati 6 katësh tek Fresku pëson çarje nga tarraca deri në dysheme

Tërmeti ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në kryeqytet. Një pallat 6 katësh në zonën e freskut në Tiranë ka pësuar një çarje të madhe nga tarraca deri në fund. Kjo çarje ka shkaktuar panik tek banorët.

Pallati është i ndërtuar para 5 vitesh dhe është në formë U-je, por pavarësisht se mund të quhet një godinë e re, nuk i ka rezistuar lëkundjes së fortë të tërmetit të rënë më 26 nëntor.

Në këtë pallat jetojnë afërsisht 120 familje. Ndërkohë lëkundjet e sotme kanë krijuar panik sërish tek banorët të cilët kanë dalë jashtë godinës. Magnituda e lëkundjes së fundit ishte 5.2 rihter.

Ora 16:36
Inxhinieri në Report Tv: Muret e kompleksit 15 katësh që rrezikon shembjen në Durrës jashtë çdo kriteri! Pa asnjë brez antisizmik

Inxhinieri Artur Roshi ka folur në studion e Report Tv për gjendjen e kompleksit 15 katësh në Durrës. Ai tha se muret janë ndërtuar shumë keq dhe jashtë çdo lloj kriterit dhe nuk kanë asnjë brez anti sizmik.

"Muret janë bërë shumë keq, kolonat janë korrekt. Muret janë jashtë çdo lloj kriteri. Janë të pabanueshme. Atje nuk ka as brez antisizmik. Pjesën e kolonës nuk ka", tha Roshi.

Ora 16:29
Durrës, jeton në kompleksin 15 katësh që rrezikon shembjen/ Banori: Janë lekë emigracioni! Po na vjedhin bizhuteri dhe orenditë

Një banor që jeton në kompleksin 15 katësh në Durrës tregon se përveç shembjes së banesasve të cilat kanë pësuar dëme të pallogaritshme, ata kanë rënë edhe pre e vjedhjeve.

"Jetojmë në katin e nëntë. Deri në katin e 5 duhet të zvarritesh. Janë vjedhur në banesa para, bizhuteri televizor. Janë 285 familje. Edhe ata që janë të paprekur tashmë nuk futen dot. Ai që do më thotë se këtu banohet do ia fal unë shtëpinë të vijë të jetojë ai këtu. Këtu nuk ka asnjë lloj mbëhstetje, as një udhëzim. Janë vënë 500 shiritë. Banorët kanë hedhur me litarë thasët me rroba. Ku janë ndërtuesit. Ku mund të jenë sot e kësaj dite. Mur pa llaç, pa mjet lidhës, pa brez betoni.  Tre vite pallat i ndërtuar. Investimi i emigracionit, djersa dhe mundi janë shkatërruar këtu. Vetë ndërtuesit jetojnë në vila", tha banori.

Ora 15:51
Fushë-Krujë, banesa zhytet 2.7 metra nën tokë, pronari: Nuk kam ku të futem, mbeta në oborr (VIDEO)

Dëme të shumta nga tërmeti i rënë më 26 nëntor janë shkaktuar edhe në Fushë Krujë. Banesa e Asqeri Mollës, banues në fshatin Hasan, në Fushë Krujë është zhytur një kat nën dhe.  I zoti i shtëpisë rrëfen se nuk ka ku të jetojë dhe se natën e kalon në oborrin shtëpisë. Sipas tij banesa është zhytur 2.7 metra në brendësi të tokës, ndërsa në bodrum ka pasur edhe makinën.

"Lëkundjet ishin shumë të fuqishme, kati i parë është zhytur komplet në tokë. këto janë forca të natyrës, por shteti po pati mundësi të shohë se jemi pensionistë. Shtëpia është zhytur 2.7 metra thellë. Kisha edhe makinën poshtë në garazh. Nuk kam ku të futem, vetëm këtu në oborr do ta kaloj natën e ditën." tha Asqeri Molla.

Ora 15:51
Durrës, s'ishin futur ende banorët brenda, muret e kompleksit 15 katësh të ndërtuar para 2 vitesh shemben pas tërmetit (VIDEO)

Një kompleks pallatesh 15 katësh në zonë e Ujësjellësit në Durrës i cili ka më pak se dy vite që është ndërtuar ka pësuar dëmtime të rënda. Report Tv ka siguruar video nga brenda pallatit që tregojnë gjendjen e rëndë të pallatit.

Ai është ndërtuar më pak se dy vite më parë, ndërkohë që ende nuk ishin futur brenda tij banorët e tij. Dëmet e tij janë të parikuperushme ndërkohë që nuk përjashtohet edhe rreziku i shembjes.

Ora 15:42
Pezë, shkolla e dëmtuar do rindërtohet nga e para

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Toni Gogu dhe një ekip kërkim-shpëtimi nga Fermo i Italisë me pajisje të specializuara, inspektuan shkollën e dëmtuar rëndë nga tërmeti në Pezë.

Kryebashkiaku shprehu ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti dhe siguroi se të gjitha institucionet arsimore dhe të banimit, që janë dëmtuar rëndë, do të rindërtohen. “Të gjitha lutjet, zemrat tona, janë me familjet e prekura, sidomos me ata që kanë humbur jetë njerëzish në Durrës dhe Thumanë. Mënyra më e mirë për të nderuar flamurin është duke qenë të gjithë në terren, duke i shërbyer kauzës së bashkimit, të shërimit dhe rimëkëmbjes”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë urdhrat e autoriteteve shtetërore dhe në rast se banesat janë klasifikuar të pabanueshme, të mos jetojnë në to sepse kështu rrezikojnë seriozisht jetën. “Na duhet bashkëpunim, jo vetëm kur ndihmojmë me solidaritet, por edhe kur marrim disa porosi nga organet shtetërore, të cilat kërkojnë bindje. Një prej tyre është urdhri për ta klasifikuar të papërdorshme dhe të pamundur të hapet shkollën në Pezë, kështu që ky urdhër do të zbatohet. Nuk kemi nevojë për akte heroizmi që s’kanë logjikë; Tirana vërtet u kursye nga shkulmi i parë i tërmetit, por kjo nuk do të thotë që ndërtesat që kanë marrë një goditje mund t’i rezistojnë një vale tjetër. Për të gjitha këto arsye kërkojmë me shumë dashamirësi bindjen ndaj autoriteteve, uniformave të shtetit dhe inxhinierëve profesionistë që vënë firmën për të thënë se ky është një objekt i pabanueshëm”, deklaroi Veliaj.

Një prej objekteve i shpallur i pasigurt është shkolla e Pezës, për të cilën kryebashkiaku theksoi se do të rindërtohet nga e para, shumë herë më e mirë. Gjatë kësaj periudhe, nxënësit e saj do të vijojnë normalisht procesin mësimor në një ambient tjetër, që do të shërbejë si shkollë provizore. “Shkolla do të prishet në mënyrë të kontrolluar. Është absolutisht e ndaluar hyrja në një ambient të rrethuar, qoftë shkollë a ndërtesë tjetër, që institucionet e policisë apo të bashkisë e kanë rrethuar, dhe bashkë me Institutin e Ndërtimit e kanë deklaruar të pabanueshëm. Ne kemi vendosur që shkolla në Pezë të shembet për të mos pasur rrezik për fëmijët, ndërkohë fëmijët e Pezës dhe fshatrave të vegjël të shkollave satelit, do të bashkohen në Qendrën “Bahai”, ku mësimi do të fillojë i rregullt javën tjetër. Shkolla që do të prishet do të zëvendësohet me një shkollë totalisht të re, më e bukur, më e fortë, më e mirë”, tha ai.

Ora 15:15
Shijak, 18 pallate të pabanueshme 84 familje lënë shtëpitë

1574950798_familjet.jpg

18 pallate janë shpallur të pabanueshme në Shijak si pasojë e dëmeve që kanë pësuar nga tërmeti. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se në Shijak 84 familje janë të pastreha.

Ora 15:06
Fier, banesat pa dëmtime nga tërmeti, dy familje hapin dyert për të pastrehët

Banesat në Fier nuk kanë pësuar dëme nga tërmeti, dhe asnjë banor nuk është i pastrehë. Gazetari i Report Tv Kristaq Thano raporton se dy familje në Fier dhe Mallakastër kanë shprehur dëshirën për të strehuar personat që kanë ngelur jashtë në banesat e tyre.

Ora 14:55
Tiranë dhe fshatrat, 202 pallate dhe 606 shtëpi private në përreth shpallen të pabanueshme

 

202 pallate dhe 606 shtëpi private në Tiranë dhe në fshatrat kanë pësuar dëmtime të rënda si pasojë e tërmetit të së martës. Pallatet kanë pësuar dëme kryesisht të riparueshme, ndërsa një pjesë e madhe e banesave private janë të pabanueshme.

Ora 14:40
Krujë, jeton e vetme në pallatin e beqarëve/ Banorja: Muri është çarë, nuk jam e zonja të qëndroj në këmbë

1574949096_beqarja.jpg

Një banore në pallatin e Beqareve në Krujë tregon se banesa e saj është dëmtuar dhe nuk mundet të dalë nga banesa për shkak të sëmundjeve.

"Muri është çarë, edhe këtu brenda. Që në 1974 kam këtu unë. Nuk jam e zonja me qëndruar në këmbë nëna. Jetoj e vetme. Jetë qeni. Jam sëmurë, më është bllokuar gjuri. Erdhën nuk u kthyen. Nuk hynë fare këtu. Do vijnë inxhinerë thanë nga Tirana. Tundet vendi", tha banorja.

Ora 14:35
Krujë, 320 shtëpi dhe 10 pallate me dëmtime të rënda. Kulla e sahatit në Kala rrezikon shembjen

1574948174_gushekruje.jpg

Mbi 20 shtëpi në Krujë dhe rreth 300 të tjera në fshatrat e Fushë Krujës kanë pësuar dëmtime të rënda si pasojë e tërmetit të së martës. Dëme kanë mbi 10 pallate në Krujë dhe Fushë Krujë, mes tyre dhe pallati i Beqarëve. Ndërkohë që kulla e sahatit të Kalasë së Krujës rrezikon të shembet.

Ora 13:32
Lezhë, 56 pallate të dëmtuara nga tërmeti, 10 të pabanueshme

1574944396_WhatsAppImage20191128at13.11.29.jpeg

Tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë mëngjesin e së martës ka bërë që shumë banesa të bëhen të pabanueshme. Gazetari i Report Tv raporton se aktualisht në zonën e Kurbinit janë 18 pallate të dëmtuar nga tërmeti, ndërsa 8 prej tyre janë të pabanueshëm. Ndërsa në rang qarku janë 56 pallate me dëmtime nga tërmeti (10 të pabanueshëm), 40 shtëpi private me dëmtime të cilat po verifikohen nga grupet e punës. Një pjesë e banorëve janë zhvendosur në çadra por shprehen se kushtet aty nuk janë aspak të mira. Pas reshjeve të shiu qëndrimi në çadra është bërë akoma më e vështirë. Shtabi i emergjencave civile ka bërë thirrje për solidazim për banorët që kanë mbetur jashtë banesave.

Ora 13:10
Laç, pallati shpallet i pabanueshëm pas tërmetit/ Banori nuk del nga shtëpia: Nuk ka problem për mua (VIDEO)

Një pallat në Laç është shpallur i pabanueshëm por kjo nuk i ka penguar banorët e tij që të vijojnë të qëndrojnë aty. Një banor tregon për Report Tv se muret janë jashtë përdorimit, por kjo nuk e ka penguar që të qëndrojë brenda saj.

"Muret janë jashtë përdorimit. Kur është bërë ky pallat unë kam punuar në ndërtim. Lus Zotin që nuk ka rënë horizontal. Arsyeja pse është dëmtuar kaq shumë është cilësia e llaçit. Unë po qëndroj në shtëpi. Nuk ka problem për mua. Dje ka ardhur ministri. Këto nuk bëhen nga Zoti, këto duan fonde", tregon banori.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hasani: 28/11/2019 22:36

    Termeti te jete kryeinspektori i IKMT.

    Përgjigju
  • Gjergji: 28/11/2019 22:10

    Eshte rasti ideal, unik, qe te dalin buldozat në rang republike e të shembin mutërinë qe u ndertua për 30 vjet pa asnje lloj standarti qe nga Konispoli në Vermosh. Eshte rasti te fshihet nga faqja e sheut gjith muteria e neandertaleve! Imagjinoni tani nje termet te tille në Sarandë..

    Përgjigju
    • Lui: 28/11/2019 23:27

      Jam plotesisht dakord me ty Gjergj.. Por fatkeqesisht nuk jane soji i politikaneve keta (patriote jo e jo), qe te bejne revolucione te tilla..

  • durrsaku: 28/11/2019 19:15

    PO PSE NUK E BETE ME PARE KETE KOD NDERTIMI APO DONIT TE VIDHNIT,,,,PALACO POLITIKANE JENI TE GJITHE TE GJITHE JENI MASKARENJ,,,POPULLI TE BEJE PYETJEN PSE ASNJE SHTEPI APO PALLAT POLITIKANI NUK ESHTE DEMTUAR,,,,SEPSE ATY KA PASUR STANDARTE NDERTIMI MBI TERMETET,,,,KURSE SHTEPITE E POPULLIT SHEMBEN SE KETA POLITIKANE NUK E CAJNE KOKEN PER SHTEPITE TONA,,,KUR E KANE ME LIGJ TE MIRATOJNE SHESHET E NDERTIMIT + TE VENDOSIN KRITERE PER SA BALLE DUHET TE DUROJE PALLATI,,,PER RREGULLIN,,URBANISTIKEN,,FURNIZIMIN ME UJE E DRITA,,HYRJA E PERSONAVE ME AFTESI TE KUFIZUAR,,MBROJTJA NGA ZJARRI,,BUKURINE DHE EVAKUIMIN,,,KETO PROBLEME NUK I KALON ASNJE PALLAT APO SHTEPI FUKARENJSH NE SHQIPERI,,,,KURSE PER POLITIKANET NDRYSHON PUNA,,,KETU KEMI TE BEJME ME KRYEBASHKIAKE DHE ZYRA URBANISTIKE TE PAPERGJEGJSHEM,,,,TANI BANORET E 25 PALLATEVE NE DURRES DHE KUDO NE SHQIPERI QE IU JANE SHKATARRUAR PALLATET,,,DUHET TE HEDHIN NE GJYGJ BASHKINE DHE ZYREN URBANISTIKE PER AKTIVITET KRIMINAL MDAJ POPULLATES DHE TE KERKOHET DEMSHPERBLIM 100% TE BANESES ME VLEREN E TREGUT TE SOTEM,,,,DHE PAGESE 500,000 EURO PER CDO JETE TE HUMBUR.....

    Përgjigju
  • Iliri: 28/11/2019 17:26

    Duhet medoemos nje veprim shume urgjent nga autoritetet shteterore.Identifikim i ndertuesve,te pallateve apo godinave te demtuara dhe bllokim te te gjitha llogarive bankare personale,te familjareve te tyre si dhe te kompanive qe keta ndertues te papergjegjeshem zoterojne.Kjo deri me hetimin e plote te aresyeve te kesaj katrahure ndertimesh pa asnje lloj standarti.Iliri

    Përgjigju
  • Kafsha: 28/11/2019 16:47

    Nuk ka shtet se po te kishte do u thoshte banoreve te nje pallati 60 vjecar qe ky pallati eshte 60 vjecar dhe plus kësaj nuk eshte vënë dore kurrë për tu rinovuar. Madje eshte i pabanuar sepse gjith se kush ka nderhyre me shtesa punimet e te cilave mund te jenë te dyshimta. Prandaj ne si shtet vendosim qe ky pallat 60 vjecar eshte në gjendje jo-banimi. Brenda tre muajsh te keni ikur qe ketu sepse ne si shtet ose do ta shembim për ta bere te ri por qe do paguani keste mujore si shpagim, ose do ta rinovojme qe perseri do paguani keste me te vegjël mujorë. Pra nuk ka shtet! Po te kishte nuk do kishte kaq viktima. Politika duhet te mbaje pergjegjesi te madhe dhe absolutisht absolute!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja