Dy artistë që transmetojnë
veçantinë dhe për bashkësinë

Dy artistë që transmetojnë<br />veçantinë dhe për bashkësinë
Të dy kërcimtarët janë vendosur në të njëjtën hapësirë banimi, pune e krijimi, ndajnë thuajse të njëtin stil jete, rrinë bashkë e hanë bashkë, madje risjellin në optikat të përbashkëta edhe kujtimet dhe mbresat e përditshmërisë së tyre, e megjithatë janë të ndryshëm, dy burra e dy artistë me historitë e tyre të mëvetshme.

I kam parë thuajse të gjitha shfaqjet e Gjergj Prevazit dhe më kanë dhënë mbresën e bukur të një arti jo vetëm të imazhit dhe bukurisë që trupi njerëzor krijon në hapësirë, por edhe të ideve, të shqetësimeve të njeriut, më ngushtë të një artisti që jeton me popullin e vet, me bashkëqytetarët e vet, duke qenë zë i tyre, zë i kohës.

Nuk mendoj se performanca e fundit koreografike “Kontraversal” që e pamë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, është më e bukura e Prevazit, por ajo, megjithatë, ecën në hullinë dhe nivelin e tij, në stilin e tij.

Ai mbetet një themelues i këtij zhanri koreografik, pra dance-theatre, i cili dallon për “pastishin” e një morie elementesh sa koreografike e të imazhit aq dhe teatrore e të fjalës, gjestit, imitimit, pantomimës, zhurmave, aktrimit etj. Kjo përzierje elementesh, në dukje të “papërzishme”, shfaqet si veçanti e këtij arti, si gjuhë artistike dhe si identitet zhanror: edhe teatër edhe koreografi.

Kam shkruar më parë edhe për shfaqjen e hershme të Gjergj Prevazit “Extreme Makeover-Culture Clash”, që ka qenë, sipas meje, një nga më të bukurat gjëra të koreografit, një marrëdhënie në çift, mashkull-femër, mbushur me eros të fortë sa dhe të butë, raporte sa egërshane po aq dhe plot përfalje, mall, dashuri, pendesë, dhembshuri; gjithashtu një përplasje kulturore, antropologjike, me apelin për integrim e pranim reciprok.

Te performanca e fundit “Kontraversal” ka sërish një duo, por tashmë jo mashkull-femër por dy meshkuj, dy shokë, dy miq. Nuk është më konflikti erotik dashuror, as diversiteti racor, etnik, antropologjik, përplasje stilesh jete, por ndryshueshmëria identitare brenda të njëjtës racë, etni, stil jete, seks, profesion, duke qenë po aq shumë pranë njëri-tjetrit, në një miqësi të pastër, ushqyese e përplotësuese.

Te kjo performancë cilësore dhe elegante prej dy valltarëve, Elton Cefës dhe Labinot Rexhepit, unë pashë se si një miqësi shndërrohet në motiv e stimul jete, pune, arti, kërkimi, eksperimentimi. Në artin e tyre duket se janë sa të pranishme po aq aktive e ndërvepruese edhe lëvizja e përpunuar koreografike, edhe plastika, edhe gjesti ekspresiv, edhe veprimi fizik, edhe hapi e ritmi muzikor, pra koreografia, por po ashtu edhe fjala, edhe rrëfimi, edhe imitimi, edhe pantomima, më gjerë personazhi si artist e artisti si personazh, pra aktrimi.

Kjo pranëvënie nuk është e thjeshtë që të realizohet. Nëse kjo bëhet në mënyrë mekanike atëherë përftohet një performim i gjymtë, amorf, që dremit e të vë në gjumë. Përkundrazi, kur skajet lidhen mirë dhe motivohen si imazhe, si përfytyrime dhe si ide, atëbotë krijohet edhe “ura” e komunikimit e gjithë përbërësve, rrjedhimisht gjithë elementët ideoartistik futen në raporte ndërvepruese. Pak a shumë kështu ngjet edhe me performancën “Kontraversal”.

            Po pse koreografi e ka quajtur “kontraversal” dhe jo “bashkëveprim” për shembull, apo “bashkë-prani”? Kjo është e drejta e të menduarit të tij, por unë gjykoj se këto të dytat janë më të pranishme në konceptin koreografik, padyshim duke i nënkuptuar të parat, pra kundërshtitë. Pikërisht këtë duket se na e sjellë edhe ajo linjë e hollë subjekti, i krijuar me një gjuhë të thjeshtë në disa “blloqe”.

Në thelb ai është pikërisht të qenit pranë njëri-tjetrit, pra bashkësia, shoqëria, miqësia. Janë dy shokë, dy miq, dy artistë, në një udhë jete, në një përjetim eksperience sa shoqërore aq dhe sidomos profesionale, herë-herë me të njëjtin motiv, në të njëjtën temë a objekt, te e njëjta kohë e hapësirë, në po ato situata jete e me po ato problematika përditshmërie e profesionale. Kjo nuk është e paqëllimtë, madje na duket e kundërta: frymon një ide bazike. Ka në këtë marrëdhënie dyshe sigurisht ndryshim, pra kundërshti, identitete të dallueshme, siç ka dhe afri, pra njësim dhe asociim. Bie fjala, janë dy artistë: i pari Elton Cefa nga Tirana, i dyti Labinot Rexhepi nga Prishtina.

Gjetje e menduar. Shqiptarë të dy, por në dy hapësirat tona kombëtare: Shqipëri dhe Kosovë. I pari i martuar me dy fëmijë, i dyti i dashuruar por ende i pamartuar. I pari një balerin profesionist në Teatrin e Operas dhe Baletit, i dyti në tregun privat të punës; i pari dikur pedagog i të dytit, pra këtu merr kuptim edhe raporti mësues-nxënës, për të kaluar ndërsa më pas te raporti artist-artist. Të dhënat e sjella përmes një dëshmie të thjeshtë para publikut si përpara vetes nga të dy vallëtarët, të dhëna mirëfilli nga jeta personale e tyre, shndërrohen më pas në të dhëna artistike pasi ngjizen në veprimin koreografik dhe marrin atributet e subjektit.

            Është një dyshe që ndërvepron, herë trup më trup e herë veçmas, por gjithsaherë në përplotësim. Lëvizje të bukura, të pastra, me një intimitet prekës, imazhe që “ngrijnë” në poza dhe shkrihen sakaq, thuren e shthuren, që lëvizin në hapësirë, që krijojnë figura plastike në kapje e vendosje të shumëllojta të njërit trup mbi tjetrin, thuajse si dy enë komunikuese, kur koka e njërit futet nën krahun e tjetrit dhe duart vizatojnë hapësirën trupore.

Por nëse fillimisht këto lëvizje të duken diçka si “ushtrime” të njohura koreografike, më pas qasjet teknike mbushen me ide, me marrëdhënie, ku semantika bëhet tanimë pjesë e tyre, e trajtimit të vetë lëvizjes, të gjestit, të imitimit, dhe më pak e fjalës. Unë do të kujtoja dy çaste të bukura. Çasti i parë: loja me biçikletën. Vetë biçikleta ka dy rrota, që janë të lidhura me një zinxhir dhe shtyjnë njëra-tjetrën, si dy vallëtarët të lidhur në një miqësi ndërvepruese, por ku në fund një rrotë prishet, luhet veçse me njërën syresh: diçka është prishur, diçka nuk funksionon. Çasti i dytë: Në fund të skenës vendoset një dush, “mjet e kusht pune” i profesionit të balerinëve. Ata lahen dhe pastaj realizojnë etydet e tyre.

Eltoni e spërkat trupin e Labinotit me ujë përmes një pompe lavazhi, gjetje e bukur. Një konflikt ka mbirë aty. Labinoti përpëlitet në dyshemenë e lagur me një zhdërvjelltësi fizike të admirueshme si të shprehte një ankth të brenshëm, ndërsa tjetri shakaton me trupin e tij duke e spërkatur, veçse konotacioni koreografik është “të shtënët” me armë, pra një përplasje, një ndëshkim.

Një tjetër gjetje ishte bartja e trupit të Eltonit nga Labinotii në pozicione të larmishme, prej të cilave unë vura re përkujdesin ndaj shokut në vështirësi a pamundësi: pak shlodhje mbi shpinën e tjetrit, një bartje, pak ndihmë për një shpirt të vrarë e të lodhur nga jeta dhe mundimi. Ose “loja” me të puthurat, që sillnin njëherazi tri qasje: dashuri, grindje, dhe së fundmi një ritëm të gëzuar muzikor. Po ashtu do të kujtoja imitimin e kafshëve dhe shpendëve të pyllit, të cilat u imituan me shije, “butë” dhe nuanca komike nga të dy vallëtarët-aktorë, çka kishte brenda edhe kundërshtitë apo armiqësitë (ujku me lopën, pula me dhelprën, bufi me zogun etj.), por edhe nënkuptimin e asaj bashkëjetëse e ekuilibri kozmik që e mban gjallë jetën në rivalitetin e saj ekzistencial.

E çfarë tjetër, mund të më pyesin, duhet të sjellin e përcjellin lëvizjet e kërcimtarëve, marrëdhënia e tyre, më saktë çfarë tjetër më bukur e më e thellë duhet të provokojë vetëdijen tonë përtej këtyre lëvizjeve? Semantika e një arti të bukur është gjithmonë shumështresore dhe provokuese. Por edhe perceptimi gjithashtu, sidomos ai është personal. Andaj, sipas përshtypjes sime, pas lëvizjes dhe imazhit që shfaqja na përcolli, unë vura re po aq “lojën” dhe ritualin e pandryshueshëm të ekzistencës, e bartur veçse nga një bashkëmarrëdhënie mes dy qenieve, dy shokëve e miqve, dy artistëve. Dhe nga e thjeshta unë e shtyva mendjen drejt qasjes ontologjike të vetë qenies, të ekzistencës sonë.

Jeta vetë a s’është një vajtje-ardhje nga konflikti dhe ndryshimi drejt zgjidhjes dhe njësimit, nga kundërshtia tek harmonia, nga e veçanta, personalja dhe identitarja drejt të përgjithshmes dhe sociales, siç edhe e pamë në gjithë arsenalin e mjeteve shprehëse të vëna me hir në funksion prej Eltonit dhe Labinotit?

Ndonëse të dy kërcimtarët janë vendosur në të njëjtën hapësirë banimi, pune e krijimi, ndajnë thuajse të njëtin stil jete, rrinë bashkë e hanë bashkë, madje risjellin në optikat të përbashkëta edhe kujtimet dhe mbresat e përditshmërisë së tyre, e megjithatë janë të ndryshëm, dy burra e dy artistë me historitë e tyre të mëvetshme. Edhe mbi një karrige, të dy valltarët me lëvizjet e tyre rituale, që dëshmojnë vështirësi, ngulfatje dhe ekulibër, transmetojnë pikërisht këtë ide, që ne e cituam tashmë: veçantinë dhe përbashkësinë.

            Pak fjalë, pak lëvizje, pak imitime, pak pantomimë dhe shumë variacione, një rrjedhë imazhesh, këto të gjitha më nxitën shumë mendime e ide. Dhe të shkosh nga imazhi, trupi, lëvizja “memece”, pantomima, ku fjala mungon, drejt artikulimit apo ngacmimit të një pranie të forteë idesh me thelb ontologjik, për natyrën e njeriut dhe marrëdhëniet në çift (kësaj here midis dy miqsh mashkull-mashkull) – kjo është për t’u përshëndetur.

Afërmendsh se “Kontraverse” qe një koreografi që përveç finesës, elegancës dhe përpunimit të lëvizjes dhe imazhit, na kumtoi po aq edhe ide e mendime, të cilat duket se burojnë nga përditësia jonë por edhe fluturojnë hapësirave filozofike të kuptimit të jetës si dhe marrëdhënies njerëzore.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf