Një kryengritje e vërtetë digjitale e fokusuar kundër gjashtë analistëve. Të cilët, për hir të së vërtetës, nuk është se bënë gjëend më shumë a më pak, se çfarë bën zakonisht kjo kategori në kësi rastesh. Madje, ata ishin shumë më të mirësjellshëm, sesa kolege të tyre në Tiranë, që janë shpesh të paarritshëm në vrazhdësinë e komunikimit dhe kollajllëkun me të cilin debatojnë, për gjëra që as nuk i dinë dhe as marrin mundimin të përgatiten, përpara se sa të hyjnë në një studio.
Lumi i rrëmbyeshëm e i pambarimtë i komenteve që pasuan debatin në Klan Kosova, nxorri në pah më së miri një të vërtetë të thjeshtë, përtej temës së debatit në vetvete; shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës, jo vetëm nga të gjithe ata politikanë që nuk i përfaqësojnë, qoftë në Shqipëri e qoftë në Kosovë, po edhe nga gjithë moria e analistëve a opinionistëve, që përfaqësojnë vetëm mikroboten e tyre të mllefeve, padijes, thashethemeve, klikimeve e qëndrimeve krejt sipërfaqësore ose shpesh inekzistente, mbi problemet reale e mbi çështjet që realisht i interesojnë publikut.
Shqipëria politike e mediatike, i ka bërë dy dëme të mëdha Kosovës. E ka infektuar politikën dhe Kuvendin e saj me virusin e gjuhës së akuzave ekstreme, ku fjala kriminel thuhet më shpesh se sa fjala zotëri apo zonjë, në komunikimin mes palëve. Po ashtu, e ka infektuar edhe skenën mediatike të studiove e të portaleve, me virusin e kulturës së linçimit me çdo kusht të përfaqësuesve politikë, e cila ushqehet nga motoja çdo mjet justifikon qëllimin!
Të dyja bashkë, edhe shfrenimi gjuhësor ndaj kundërshtarit kriminel, hajdut e tradhëtar, edhe linçimi non stop, pa dallim, i kujtdo që meqë merret me politikë është për definicion, kriminel apo i korruptuar, dhe për çdo gjë nisëm a vendim, ku patjeter duhet të ketë një prapaskenë fëlliqësish, janë pranuar mjerisht si vijë normale sjelljeje në mjedisin e debatit publik shqiptar.
Kjo vijë është një refleks i kushtëzuar nga kultura e vjetër totalitare, për të cilën kundërshtari është medoemos armiku që duhet eliminuar dhe e vërteta nuk ka pikë rëndësie, po e vetmja gjë që ka rëndësi është personi apo pala për t’u goditur. Por kjo vijë sjelljeje është po ashtu, edhe një pasqyrim i prapambetjes shumëplanëshe, të faktorëve e aktorëve politikë e mediatikë në përgjithësi.
Rëndom, ata që quhen e vetëquhen analistë e opinionistë, flasin si politikanë të dështuar që hakmerren për dështimin e tyre, studio më studio e portal më portal, duke u shfaqur me maskën e analistit a të portalistit, po duke e lënë praktikisht bosh vendin që duhet të mbajnë dhe rolin që kanë detyre të luajnë!
Kështu populli, opinioni publik në Shqipëri e Kosovë po njëlloj, ka mbetur pa shtresën, pa grupin e domosdoshëm të zëdhënësve e të ndërmjetësuesve të vet, në mjedisin e debatit politik apo shoqëror. Sepse pjesa dërrmuese e mediave dhe analistëve e portalistëve, janë kthyer në një parti politike që as votohet, as i jep llogari ndonjë votuesi dhe as do t’ia dije hiç, se çfarë duan prej saj apo mendojnë për të, votuesit shqiptarë.
Nje parti allasoj, ku secili është parti a grup më vete dhe ku të gjithë bashkë e kanë braktisur detyrën e informimit të publikut, të kërkesës serioze të llogarisë ndaj politikës e partive të vërteta politikë për atë që thonë e atë që bëjnë, te hedhja dritë mbi faktet e mbi shifrat e nevojshme për të dalë tek e vërteta, apo në tërësi, oponencën e argumentuar ndaj alternativave politike apo vendimmarrjes e vendimmarrësve në të dyja shtetet tona.
Janë bërë si një parti e çartur, që financohet kryesisht me gjoba të paligjshme, apo me shërbime të padeklaruara ndaj të tretëve të interesuar për të nxitur linçimin e kundërshtarëve të tyre në politikë a në biznes; një rrjet veprimtarësh të paguar që prodhon tituj kriminalizues, editoriale diskreditues, raportime shantazhuese, dokumenta fallco, histori të sajuara, fotomontazhe gjithfarësoji e çfarë të mundet, në nje përpjekje të tërbuar për vëmendje. Pa asnjë qetësi profesionale në gjykim, asnjë arsyetim të thelluar në argumentim, asnjë ndershmëri qytetare në qëndrim.
Natyrisht, ashtu siç nuk është aspak e vërtetë kur thuhet që të gjithë politikanët janë njësoj apo që politika në vetvete është një forcë për të bërë keq, do të ishte po aq e pavërtetë të thuhej se të gjitha mediat, të gjithë analistët e çdo botues, çdo portal e çdo gazetar, është pjesë e kësaj partie, ku gënjeshtra dhe e vërteta janë bërë një, ku shpifja dhe fakti janë shkrirë në një, ku të gjithë janë e njëjta gjë! Padyshim që jo, për fat të mire s’është kështu.
Por fakti dhe besoj, lajmi i mirë, është se raporti i opinionit publik, me këtë parti e cila ka korruptuar esencën e misionit të medias, ka hyrë në një krizë të thellë.
Kjo krizë, është padyshim fati i mirë i çdo tribune mediatike, që nuk e ka braktisur qëllimin themelor të ekzistencës së vet dhe i kujtdo që nuk e ka harruar, domethënien e madhe publike të të qenit botues, opinionist, moderator apo gazetar.
Po ashtu, kjo krizë e shpërfaqur në mënyrë spektakolare, përmes kryengritjes digjitale të publikut pas debatit në Klan Kosova, (ku me thënë të drejtën gjashtë analistët i ktheu në viktima të kryengritjes, jo aq ajo që bënë në studio, po rasti që e solli të perceptohen në atë studio, si përfaqësuesit e një partie që vetëdiskreditohet përdite, tamam në kohën më të gabuar, për temën më të gabuar, me njeriun më të gabuar [🙂] është një krizë që tregon qartë, se talljes së madhe me publikun të analistëve, opinionistëve e portalistëve që i dinë të gjitha e flasin pa hesap për gjithçka, po i vjen fundi si modus operandi i medias në mexhelisin shqiptar të debatit publik e politik.
Kohës së njehsimit të shpifjes me të vërtetën, të gënjeshtrës me argumentin, të mashtrimit të publikut me tituj e me lajme të përgatitura për të luftuar me dikë, për llogari të dikujt tjetër, e për të vënë gjoba në emër të lirisë së fjalës, po i vjen fundi të paktën si zhvillim epidemik.
Patjetër që edhe kjo lloj media bashkë me personazhet e saj, do të ekzistojnë në jetë të jetëve së bashku me lirinë e fjalës e me demokracinë si sistem. Por gjithnjë e më shumë do të shkojnë në vendin e tyre, në provincën e botës mediatike që bën opinion; ku qendra do të jetë gjithnjë e më shumë e atyre mediave e gazetarëve, analistëve, opinionistëve e botuesve, që nuk e tradhëtojnë qëllimin themelor të ekzistencës së shtypit dhe nuk e keqpërdorin përditë opinionin publik, si të ishte një ushtri votuesish që duhen helmuar për llogari të dikujt a diçkaje, kundër dikujt tjetër e për diçka të caktuar, pa asnjë lidhje me lirinë e informacionit që Kushtetuta e Shqipërisë dhe Kosovës mbron si një parim të shenjtë të shtetit demokratik të së drejtës.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com