Përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është në qendër të një takimi ministror që po mbahet këtë të hënë në Athinë, me nismën e ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis. Shqipëria përfaqësohet nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili ka zhvilluar edhe një takim të veçantë me homologun grek.

Takimi i grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor dhe Partnerët e Ballkanit Perëndimor” zhvillohet dy ditë përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, me synimin për të ruajtur ritmin e zgjerimit të Bashkimit Europian.

Diskutimet do të përqendrohen edhe te Presidenca greke e Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027, ndërsa në vëmendje do të jenë sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Këto parime janë riafirmuar në Deklaratën e Delfit të 23 prillit 2026, ndërsa takimi zhvillohet nën temën “Nga Axhenda e Selanikut 2003 deri te Deklarata e Delfit 2026”.

Në axhendë është edhe mundësia e përfshirjes së Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), për të mbështetur reformat që vendet e Ballkanit Perëndimor po ndërmarrin në kuadër të integrimit europian.

Në margjinat e takimit, ministri grek Gerapetritis ka zhvilluar takime dypalëshe edhe me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, si dhe me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.