Dy dronët që tronditën
marrëdhëniet Shqipëri-Serbi

Dy dronët që tronditën<br />marrëdhëniet Shqipëri-Serbi
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë rikthehen sërish në vëmendje ndërsa kryeministri Edi Rama ka zbritur sërish në Beograd. Kësaj here jo në një vizitë historike por si një prej dhjetëra pjesëmarrësve në një samit të rëndësishëm mes Kinës dhe Europës Qëndrore e Lindore. Kësaj here atmosfera është shumë e shtensionuar e natyrisht vëmendja shumë më e vogël. Por gjithsesi takimi i radhës me homologun Vucic dhe qëndrimi i tij në Beograd na risjell në vëmendje edhe një herë gjithë situatën e dy muajve të fundit që prej 14 tetorit, kur ndodhi i ashtuquajturi incidenti i dronit, një ngjarje që pushtoi faqet e para të gazetave më të mëdha të botës, por që si çdo konflikt tjetër në Ballkan, rezultoi pa asnjë fitues dhe pa asnjë argument të qartë se kush e nisi.

Pak kush mund ta kuptojë tani, pas një periudhe relativisht të qetë dhe reflektimi se si një flamur mbi stadiumin Partizani shkaktoi aq shumë urrejtje, mllef, dhunë dhe u shndërrua në një kauzë të atillë politike që do të ndikonte më vonë edhe tek vizita e kryeministrit Rama.

Ndërsa ky i fundit do të arrinte të konsiderohej një dron i dytë sepse guxoi të përmendte Kosovën në zemër të Serbisë. Por edhe pas dy muajsh, kanë mbetur shumë pikëpyetje dhe mbase nevojitet një analizë e gjatë për të kuptuar atë që ndodhi realisht në stadium në 14 tetor dhe reagimin e ashpër serb për të famshmen deklaratë të kryeministrit Rama-provokacija. As vetë serbët sot nuk e dinë se si ndodhi që një flamur me Shqipërinë e Madhe arriti të fluturojë mbi stadium e mbi të gjitha të shkaktonte gjithë atë mllef. Por mbase kjo ishte thjesht një histori e tjerrur bukur dhe qëllimisht që u servir në mënyrë të atillë që shumë e besuan.

“Deri më tani ne nuk dimë dicka të rëndësishme lidhur me atë që ndodhi në ndeshje sepse nuk ka patur një hetim të plotë lidhur me dronin. Pra ne nuk e dimë kush e solli, kush e kontrolloi. Ne na u servir një histori që në fillim një histori e thurur që vëllai i kryeministrit shqiptar Edi Rama, ishte ai që shkaktoi incidentin dhe ne dëgjuam se policia serbe e kishte arrestuar. Por pas kësaj, ai version u braktis dhe ne kurrë nuk e morëm vesh çfarë ndodhi realisht. Morëm vetëm premtime nga policia dhe autoritet serbe. Madje edhe kryeministri Vuçiç e tha gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Rama se njerëzit do ta marrin vesh se kush e organizoi, por ende sot ne nuk e morëm vesh të vërtetën për dronin. Por ndërkohë droni shkaktoi situatën në fushën e lojës që u pushtua nga huliganët serbë, çka shkaktoi edhe pezullimin e ndeshjes dhe më pas patëm dhe vendimin e UEFA-s për të ndëshkuar si ekipin serb dhe atë shqiptar”, thotë Slobodan Georgijev, gazetar e analist sportiv.

Por si ndodhi që vëllai i kryeministrit të Shqipërisë u bë brenda pak sekondash personazhi kryesor në të gjitha mediat serbe e disa orë më vonë, edhe në ato ndërkombëtare?
 
“Kjo në fakt është shumë interesante, sepse informacionet e para erdhën nga burime anonime brenda policisë që janë dhanë disa mediave dhe më pas mediat e tjera thjesht e përsëritën atë histori. Por askush nuk hetoi për ta zbuluar nëse ishte i vërtetë si informacion dhe as policia nuk e mohoi. Ndaj dhe sot e kësaj dite nuk e dimë se kush është autori i dronit. Ajo çka dimë është vetëm që hetimi po vazhdon. Kështuqë në atë vakum informacioni është shumë e lehtë që të thurësh një histori duke e çuar në atë nivel politik dhe të nxisësh të gjitha llojet e stereotipave sepse serbët nuk dinë shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe mbase e njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri ku shumë njerëz nuk e dinë se si është jeta këtu. Ky është pra problemi. Dhe në një situatë të tillë mund të nxisësh çfarëdolloj historie”, thotë Nenad Radicevic, redaktor i gazetës “Politika”.

Rrëfenjat për Serbinë apo Shqipërinë e madhe janë një histori që s’mbaron kurrë. Por historia është diçka tjetër dhe realiteti krejt tjetër. Atëherë si është e mundur që një flamur të nxiste aq shumë urrejtje? Për këtë as vetë serbët nuk dinë të japin një përgjigje të qartë, madje kanë mendime nga më të ndryshmet.
“Mendoj që tifozët kanë qenë të instrumentalizuar nga ata që nuk janë të interesuar që ne të kemi marrëdhënie të mira dhe mendoj që këto gjëra janë të organizuara në nivele shumë më të larta politike”, shprehet një qytetar në Beograd.
 
Ndërsa një tjetër qytetar në Beograd thotë “M’u duk shumë fëminore dhe ishte veç një njeri që e bëri atë, kështuqë s’kemi pse t’i kemi inat të gjithë shqiptarët”.
Edhe pse flamurin e konsiderojnë provokim, shumica e serbëve nuk i beson aspak se ka realisht një projekt për Shqipërinë e Madhe. Në fakt një pjesë e mirë e shqiptarëve jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë dhe Kosovë. E megjithatë Shqipëria, ndryshe nga Serbia nuk shkoi kurrë në luftë me asnjë prej këto shtete për të ndryshuar kufijtë e saj siç ishin para 1913.

“Janë ndjenja negative sepse bëhet fjalë për një projekt që konsiderohet si kërcënim i hapur ndaj shtetit të Serbisë dhe kufijve të saj, si dhe bashkëpunimit rajonal. Edhe pse shumica nuk i beson këtij projekti, duhet të kuptoni se harta nuk u shfaq në një protestë diku në Tiranë por në mes të Beogradit çka ishte totalisht e papritur. Një situatë e tillë i ngre tensionet më shumë se sa deklaratat e politikanëve shqiptarë në Mal të Zi që flasin për Shqipërinë e Madhe. Natyrisht që në Serbi mund të dëgjosh që nga njerëzit e thjeshte e deri tek politikanët që i druhen projektit të Shqipërisë së Madhe duke thënë që Serbia do të humbasë një pjesë te territorit të saj. Është edhe ajo që serbët konsiderohen si komb që duan Serbinë e Madhe por po ti pyesësh njerëzit në rrugë, pjesa më e madhe nuk e duan një gjë të tillë. Edhe në Shqipëri kjo mund të konsiderohet si subjekt i mirë për histori edhe pse shumica e dinë që vështirë të ndodhë kjo. Mendoj se ne në Ballkan jemi ende në atë nivelin e ulët të nacionalizmit sepse nuk e njohim sa duhet njëri tjetrin ndaj dhe jemi të gatshëm të kapemi pas cdo lloj stereotipi për të fajësuar menjëherë palën tjetër, thotë Nenad Radicevic, redaktor i gazetës “Politika”.
Projekti i Shqipërisë së Madhe nuk ka qenë kurrë një projekt i vetë shtetit shqiptar. Në fakt është një produkt më shumë serb, i përdorur shpesh për të mbuluar ambiciet e tyre për një shtet të madh të të gjithë serbëve në rajon. Duket se ky projekt që ngjalli aq polemika është më shumë një problem për serbët sepse ata nuk njohin mirë as vendin e tyre dhe as fqinjët. E mungesa e njohurisë është shumë lehtë që të shkaktojë edhe paragjykime.

“Ne këtu kemi disa anketa vjetore që tregojnë se kur serbët i pyesin cilët nuk pëlqeni nga vendet e rajonit, shumica thonë që nuk i pëlqejnë shqiptarët, pastaj të dytët më pak të pëlqyer vijnë kroatët e kështu me radhë. Ky është pra opinioni i përgjithshëm. Nuk mund të ndryshosh paragjykimet përnjëherë. Kemi dy prej kombeve më të mëdha në Ballkan që nuk e kuptojnë njëri tjetrin. Dhe të mos harrojmë problemin me Kosovën dhe ata, politikanët serbë nuk kanë kurajën dhe nuk dinë si ta zgjidhin përfundimisht atë çështje. Veç kësaj mendoj që njerëzit këtu në Serbi nuk e kuptojnë se sa e rëndësishme është për shembull 28 nëntori për shqiptarët. Sepse ne kemi një pakicë serbe në Shqipëri që festojnë këtë ditë si ditën e flamurit në Preshevë apo Bujanovc. Dhe kjo ndodh sepse as nga kjo qeveri dhe as nga qeveritë e mëparshme, askush nuk ka shkuar atje në 28 nëntor, që është dita më e rëndësishme për këtë komunitet. Askush nuk ka shkuar të flasë me ta, të kuptojë se si festohet kjo ditë apo thjesht të jetë i pranishëm. Madje ka edhe situata më qesharake kur shumë njerëz mendojnë se Presheva është në Kosovë, pra ata nuk e dinë që këta shqiptarë jetojnë në këtë shtet. Një herë një miku im nga Presheva që kishte ardhur këtu për një trajnim, shkoi në postë për të dërguar një pako tek familja e tij dhe zonja që punonte aty i tha-më vjen keq por nuk mund ta bëjmë këtë dërgesë, sepse Presheva është në Kosovë dhe nuk është e ligjshme. Atij iu desh t’i tregonte hartën për ta bindur atë. Kjo është qesharake por tregon në fakt se njerëzit këtu nuk i kuptojnë fqinjët e tyre. Por duke iu rikthyer edhe një herë asaj që ndodhi në stadium. Flamuri me dronin u valëvit mbi stadium, futbollistët serbë e morën dhe ata shqiptarët shkuan me vrap për ta marrë, çka shkaktoi zbritjen e disa huliganëve që në fakt nuk duhej të ishin fare në stadium. Pas asaj ngjarje, një pjesë e publikut këtu thoshte, e mirë se nuk ndodhi ndonjë gjë e madhe. Shumë mendojnë që provokimi ishte i atillë saqë mijëra vetë mund të ishin futur në fushë dhe nuk e di çfarë mund të kishte ndodhur, mbase të vrisnin ndonjë. Ndaj dhe mendojnë që gjithsesi gjithçka u mbyll mirë”, thotë Slobodan Georgijev, gazetar e analist sportiv.

Por ngjarjet në stadium nuk bënë gjë tjetër veçse treguan se sa e brishtë është situata në Ballkan dhe se mjafton edhe një histori e tjerrur bukur me vëllain e kryeministrit që ngre një dron me flamurin e Shqipërisë së Madhe për të ngritur sërish tensionet në rajonin dikur të shkatërruar nga luftërat. Dhe si në çdo ngjarje të madhe, mediat luajnë një rol jetik për të formësuar opinionin publik, në rastin konkret për të nxitur edhe më shumë urrejtje. Ajo që pamë ne ishte një histori thuajse e njëanshme dhe e servirur gati njëlloj nga pjesa më e madhe e gazetave serbe. Këtë e pranojnë deri diku edhe vetë ata.

“Është interesante se për këtë kam folur me kolegë nga Shqipëria dhe Kosova dhe fokusi juaj është gjithmonë tek tabloidët por duhet të kuptoni se ato nuk janë dhe aq pjesa e shndritshme e gazetarisë në Serbi. Mendoj se gazetat e pasqyruan në atë mënyrë ngjarjen sepse e gjithë atmosfera në Serbi ishte aq e tensionuar saqë ata e kuptuan se në këtë mënyrë mund të thithnin lexues shumë lehtë. Duhet të kuptoni se ai flamur në qendër të Beogradit dhe më pas informacionet se ishte komanduar nga një kishë aty pranë ku dhe ndodhet edhe një prej godinave të shërbimit serb të sigurisë, pra duhet të ishte vendi më i sigurt në Beograd ndaj dhe njerëzit u ndjenë të ofenduar, ndaj dhe historia nga këtej u fokusua tek flamuri me Shqipërinë e Madhe. Të ofenduar jo vetëm prej shqiptarëve por edhe prej shërbimit tonë të sigurisë që nuk arritën të ruanin stadiumin siç duhej. Kur çështje të tilla janë në fokus, për fat të keq media jonë, por edhe në Ballkan janë më të gatshëm të rrëfejnë atë historinë nacionaliste se sa të jenë objektivë”, thotë Nenad Radicevic, redaktor i gazetës “Politika”.

“Sa i përket keqinformimit po kjo qëndron sepse ne nuk kemi këtu në Serbi një mjedis të duhur mediatik. Por mendoj se ajo ndeshje duhet të kishte shërbyer për të përmirësuar marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve por pamë që ndodhi krejt e kundërta. Kështu që unë kam një pyetje, përse vizita e kryeministrit Rama nuk u vendos të bëhej përpara ndeshjes, do të kishte qenë shumë më logjike. Kjo është diçka që unë vërtet nuk e kuptoj. Mendoj se nëse vizita e Ramës do të ishte bërë përpara ndeshjes, asgjë nga ato që ndodhën mbase s’do të kishin ndodhur. Por duhet të kuptoni se sharjet ndaj shqiptarëve dhe himnit shqiptar është diçka e vështirë që ta ndalosh këtu sepse është diçka e zakonshme. Njësoj ndodh edhe në Kroaci që të shash armikun tënd”, thotë Slobodan Georgijev, gazetar e analist sportiv.

Gjithçka përfundoi pa viktima në 14 tetor, por ngjarja në stadiumin Partizani do të pasohej nga një vendim i UEFA-s për të ndëshkuar të dyja ekipet, çka u konsiderua i padrejtë nga të dyja palët. E kështu askush nuk fitoi ndërsa polemikat vazhduan. Madje incidenti i dronit vazhdonte të ishte në qendër të vëmendjes në Serbi duke zbehur edhe vizitën e presidentit rus Vladimir Putin. Por mbi të gjitha shkaktoi shtyrjen e vizitës së kryeministrit Edi Rama, që gati gati sa nuk u anulua. Por mesa duket presioni ndërkombëtar, veçanërisht i kancelares gjermane Angela Merkel, rezultoi efikas.

Që të dy Rama dhe Vucic fituan zgjedhjet me një shumicë dërrmuese dhe SHBA bashkë me BE-në, veçanërisht Gjermania I ka parë fitoret e tyre në Shqipëri e Serbi si një pikë kthese drejt bashkëpunimit rajonal dhe si një mundësi për të afruar shqiptarët dhe serbët. Por vizita nuk rezultoi aq e suksesshme. Serbët e konsideruan Ramën një dron të dytë, kësaj here politik. Homologu i tij Vucic do ta quante provokim deklaratën e Ramës për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe gjithë mediat ditën e nesërme kishin një fjalë në faqet e tyre të para Provokacija. Serbët mesa duket nuk ja falin dot Ramës që u tregua disi i pasjellshëm në shtëpinë e tyre, megjithëse janë të kënaqur që mysafiri erdhi.

“Është mirë që erdhi, por kur shkon mysafir mendoj se dikush duhet të jetë pak më i sjellshëm dhe të kesh më shumë kujdes për ato që thua, veçanërisht duke e ditur që nuk i kemi marrëdhëniet e mira dhe jemi si në teh me njëri tjetrin. Po mendoj që po, më pëlqeu që erdhi sepse i thonë 70 vjet. por do të doja të kishte ndodhur në një atmosferë tjetër”, thotë një qytetare në Beograd.

“Ishte një vizitë historike por edhe pak e dështuar. Por e sigurt që nuk ishte një dështim historik. Problemi qëndron se edhe përpara vizitës, apo shtyrjes së parë, në Serbi droni me flamurin e Shqipërisë Madhe konsiderohej si provokim politik, çka shërbeu si një shkëndijë që serbët të kishin një qëndrim negativ ndaj shqiptarëve dhe vetë kryeministrit shqiptar. Aq më tepër që publiku besonte se kishte qenë vëllai i kryeministrit personi që ngriti dronin, çka policia nuk e mohoi këtë fakt. Ndaj dhe publiku mendonte se gjithçka ishte organizuar nga maja e politikës në Shqipëri. Pas kësaj edhe vizita e kryeministrit Rama u konsiderua si një dron i dytë, por kësaj here një dron politik, sepse siç tha kryeministri serb, ata të dy ranë dakord që të mos e përmendnin Kosovën. Por ndërkohë për herë të parë Serbia dhe Shqipëria nënshkruan disa marrëveshje të mira çka është një hap historik sa i përket bashkëpunimit dypalësh. Por përmendja e Kosovës mbase ishte dështimi i asaj vizite”, thotë Nenad Radicevic, redaktor i gazetës “Politika”.

Shumë mendojnë se nëse kryeministri serb Vucic nuk do të kishte reaguar aq ashpër gjatë konferencës për shtyp atëherë edhe opinioni publik nuk do të kishte reaguar aq shumë. Por mbase Vucic reagoi në atë mënyrë thjesht për të mbrojtur qëndrimin zyrtar të Serbisë, pasi në realitet Kosova nuk është më temë e ditës për serbët.
“Por ju keni të drejtë, njerëzit këtu nuk shqetësohen më për Kosovën, nuk është më një temë diskutimi. Por kur Edi Rama vjen në Beograd dhe e përmend Kosovën atëherë ata rinisin të shqetësohen. Kur ndodhin incidente kundër serbëve në veri të Kosovës, apo shkrimi të ISIS në manastirin e Deçanit, atëherë njerëzit reagojnë. Por kjo ndodh me raste, jo se serbët mendojnë gjithë kohës për Kosovën. Ka thjesht solidaritet dhe lidhje emocionale me serbët në Kosovë dhe trashëgiminë tonë kulturore, apo me serbët e shpërngulur. Pra gjithë këto probleme të pazgjidhura i lënë plagët e hapura të cilat nuk mund ti shërojmë thjesht me fjalë. Por natyrisht që është e vërtetë që duhet të mendojmë për ekonominë, dhe gjëra të tjera që na shqetësojnë. Por të njëjtën gjë do ti thosha edhe z. Rama”, tha Borko Stefanovic, ish-kryenegociatori serb në bisedimet Prishtinë-Beograd.

“Njerëzve nuk u bëhet vonë shumë si më përpara sepse për momentin elita politike që është sot në pushtet, kur ishte në opozitë kishte qëndrim më të ashpër dhe nacionalist ndaj Kosovës. Por tani që janë në pushtet, e kanë ndryshuar disi qëndrimin e tyre dhe kanë bërë më shumë se qeveria e mëparshme sa i përket negociatave me Prishtinën dhe njerëzit në Serbi e kanë pranuar këtë. Mendoj që tani njerëzit janë më të fokusuar tek moria e madhe e problemeve ekonomike dhe problemet e jetës së përditshme, kështu që Kosova nuk është më në fokus për qytetarët e thjeshtë. Por natyrisht që ashtu si gjithë popujve në Ballkan, na pëlqen të flasim për politikë, për Kosovën, Rusinë apo SHBA-të”, thotë Nenad Radicevic, redaktor i gazetës “Politika”.

Në fakt duket se shqiptarët e serbët e njohin shumë pak njëri tjetrin. Edhe pse jetuan bashkë për shumë kohë serbët nuk arritën kurrë të ndërtojnë një bashkëjetesë paqësore e harmonike me shqiptarët e Kosovës, madje nuk arritën as ti njohin siç duhet vlerat e këtij kombi. Thuajse kudo në Beograd, politikanë, analistë, gazetarë e qytetarë të thjeshtë janë në një zë lidhur me këtë hendek që ekziston mes nesh e që nëse nuk zvogëlohet do të vazhdojë të prodhojë paragjykime e do ti shërbejë gjithmonë politikanëve tanë.

Por njohja së pari fillon nga komunikimi, ku gjuha është elementi kyç. Pak veta mund ta dinë së në Beograd ndodhet katedra shqipe më e vjetër në Europë e hapur nga Henrik Baric albanalogu i parë në Serbi në fillim të shekullit të 20. Por sot aty ka shumë pak studentë që duan ta mësojnë shqipen.

“Gjuhën shqipe e kam mësuar këtu në Beograd. Këtu katedra shqipe është më e vjetra në Europë dhe për mua ishte shumë interesante të mësoja shqipen, madje pak ekzotike në atë kohë. Ka shumë pak njerëz që e dinë edhe shqipen edhe serbishten këtu. Është koha që nuk duhet të ngremë mure por na duhen ura për t’u lidhur me njëri tjetrin”, thotë Natalia Zaba, gazetare dhe koordinatore e BIRN Serbia.

“Pengesa më e madhe është fakti që ne nuk e njohim njëri tjetrin. Një pjesë e madhe njerëzish nuk e ka idenë se si është jeta në Tiranë, edhe shqiptarët i shohin serbët duke u nisur nga lufta në Kosovë. Pra nuk jemi shumë të lidhur me njëri tjetrin. Tani kemi një linjë të drejtpërdrejt Beograd-Tiranë por shumë pak njerëz po e përdorin sepse bashkëpunimi ynë ekonomik është tepër i vogël dhe nga ana tjetër ju keni disa produkte serbe në Shqipëri por ato vijnë përmes Kosovës dhe nuk e dimë nëse i nënshtrohen procedurave doganore apo jo. Ndaj dhe ato marrëveshje që u nënshkruan gjatë vizitës së Ramës janë aq të rëndësishme për të përmirësuar marrëdhëniet tona”, thotë Nenad Radicevic, redaktor i gazetës “Politika”.

“Skam qenë kurrë në Shqipëri por një mikja ime ishte për pushime një vit më parë në bregdetin shqiptar dhe pati një eksperiencë vërtet të mrekullueshme. Më tha që shqiptarët janë njerëz shumë të këndshëm, shumë mikpritës. Edhe pse unë e pranoj që i thashë përpara se të shkonte -mos je e çmendur po shkon në Shqipëri për pushime. Nuk është se i urrej shqiptarët por ne jemi njerëz me emocione të forta nacionaliste ndaj dhe mbase kemi këto ndjenja negative kundër atyre”, thotë një qytetar në Beograd.

“Mendoj qe ne jemi dy kombe kundërshtare prej shekujsh dhe per fat te keq mendoj qe ajo armiqësia jone vazhdon ndërsa Perendimi mbështet me shume njërën pale ne kurriz tjetrit”, thotë një tjetër.

“Nuk di vërtet ç’të them. Kur sheh se sa shumë kompani serbe operojnë në Shqipëri apo sa serbë shkojnë në bregdetin shqiptar për pushimet e verës të bën të mendosh që çdo gjë shkon mirë. dhe Shqipëria me Serbinë nuk kanë patur një problem mesa di unë. Problemi është Kosova dhe mendoj se urrejtja vjen si pasojë e kësaj më shumë. Sepse serbët kur mendojnë Shqipërinë e njësojnë me Kosovën. Ata thonë shqiptarët janë njësoj kudo dhe thonë-ata duan të na vjedhin vendin tonë, tokën tonë e gjëra si këto. Por ajo që mendoj është se që prej fundit të Luftës së Parë Botërore e deri në shpërbërjen e ish Jugosllavisë, nuk pati përpjekje të mjaftueshme për ti lidhur dy vendet tona edhe pse jetojnë ngjitur me njëri tjetrin, pa mundur të kuptojnë njëri tjetrin. Veç kësaj nuk kishte as dëshirë për të mësuar gjuhën shqipe. Tjetër situatë është në Vojvodinë ku ka një minoritet hungarez dhe shumë serbë atje flasin hungarisht. Atje e gjetën mënyrën për të bashkëjetuar por nuk e gjetën kurrë në Kosovë. Veç kësaj është e lehtë për politikën që të manipulojë opinionin publik. Kur nuk mund të zgjidhësh problemet që janë brenda vendit gjenden gjithmonë faktorë apo kërcënime nga jashtë për t’i justifikuar”, thotë Slobodan Georgijev, gazetar e analist sportiv.

Kështu që nëse dikush mendon se Ballkani është lodhur nga stereotipat nacionaliste, gabohet. Është gjithmonë dikush i gatshëm ti shfrytëzojë ato dhe ti përdorë politikisht, mbase si për të vërtetuar atë shprehjen e famshme të Curcillit që Ballkani prodhon më shumë histori se sa ç’është i aftë të konsumojë. Një gjë është e sigurt që kancelarja gjermane Angela Merkel ka investuar shumë përpjekje të saj për të rivendosur besimin mes Vucic dhe Ramës, duke i konsideruar mbase si motorë që mund të tërheqin gjithë Ballkanin Perëndimor drejt BE-së. Por veç koha do ta tregojë nëse përpjekjet e saj ja vlejtën apo do të jetë thjesht një tjetër zhgënjim nga liderët e Ballkanit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet