Emri Alban është bërë sebep që një familje gjysmë jugosllave-gjermane të kompletohet me një kafshë, me një qen nga Kosova. Kjo familje, asnjëherë nuk ka qenë më e njëjtë si në kohën kur kishin këtë qen, qenin legjendar të quajtur Alba.
Alba, ka lidhje edhe me Albania, Shqipëria në gjuhën angleze. Alba ka jetuar plot 14 vite të jetës së saj si një kafshë që veç në dukje ishte e tillë. Për dyshen që e mbajti me vete në çdo udhëtim, Alba ishte edhe një tjetër anëtar i familjes.
Kjo është vetëm një pjesë e rrëfenjës nga "The Legendary Dog", një prej filmave të Alban Mujës i cili do të shfaqet sot në Tulla Center në Tiranë. Filmi flet mbi qenin e Marina Abramoviçit dhe partnerit të saj të dikurshëm Ulay. Në 14 minuta tregohet një histori e këtij qeni dhe ndihmës së tij në "misionet" artistike të dyshes, me përzierjen e Mujës në këtë histori.

Filmi tjetër "Blue Wall Red Door", 33 minuta, tregon për mënyrën se si njerëzit në Kosovë e orientojnë veten. Emrat e rrugëve, për shembull, nuk i kemi si pikën e parë të orientimit, përderisa ata janë ndërruar disa herë nëpër vite dhe asnjëherë nuk kanë shërbyer si kulturë e orientimit.
Pas filmave, Muja do të ketë edhe një "artistic talk" mbi temën "Kurrë nuk kam ditë me e shpjegu, por po mundohem shumë...", emër ky i një prej ekspozitave të artistit në të kaluarën.
Alban Muja (i lindur më 1980) është artist vizual dhe filmbërës nga Kosova. I ndikuar kryesisht nga proceset e transformimit shoqëror, politik e ekonomik në rajonin e gjerë, ai i ka hyrë hulumtimit të temave historike dhe shoqërore-politike si dhe i lidh ato me pozitën e tij në Kosovë. Veprat e Mujës, i cili konsiderohet si njëri nga artistët me të suksesëshëm të gjeneratës së re të artistëve nga Ballkani, përfshijnë spektër të gjerë mediash, si video instalacionesh, filma, vizatimi, piktura, fotografia dhe performanca, të cilat janë ekspozuar shumë në festivale të ndryshme, panaire arti, ekspozita personale si dhe në grup./atsh/