Dy fjalë për këngët shqiptare
që dëgjojmë

Dy fjalë për këngët shqiptare<br />që dëgjojmë
Një ndër mundësitë që ka njeriu për të kaluar kohën e lirë në mënyrë çlodhëse dhe sa më argëtuese, është pa dyshim kënga, muzika. Vetë muzika është e vjetër sa vetë qenia njerëzore, e cila na ka shoqëruar dhe do të vazhdojë të na shoqërojë, për sa kohë do të jemi pjesë e kësaj gjithësie.

Kënga na shoqëron gjatë gjithë kohës si në punë, ashtu dhe në pjesën tjetër të saj, ndoshta duke medituar, në familje, në shoqëri, në ditë të shënuara, siç mund të jenë: festat e ndryshme, fejesat, dasmat, ditëlindjet etj.

Pra, kënga dhe muzika janë bërë pjesë e pandarë e jetës së gjithsecilit. Repertori muzikor, për mendimin tim është mbushur me këngë, të cilat, si për tekstin ashtu dhe për muzikën, në të shumtën e rasteve janë krijuar me ndjenjë, vërtetësi e lirizëm.

Por, pa mohuar ato vlera pozitive që u përmendën pak më lart, duhet thënë se një pjesë e këngëve që dëgjojmë në radio, televizione e koncerte të ndryshme, vuajnë nga një anemi e theksuar. Pa përmendur frymën e dëshpërimit, të një vuajtjeje të sëmurë, siç është pesimizmi apo qoftë dhe “banalitete” të rastit. Vargje që s’mbajnë as erë poezie e as shprehin dot brendinë e tekstit, pa theksuar këtu edhe muzikën që e shoqëron, që në të shumtën e rasteve huazohet nga muzika e huaj dhe jo e mbështetur në folklorin tonë të pasur.

Mungon llojshmëria e temave në këngët që transmetohen. Ato janë përqendruar vetëm në një temë, dhe kjo është “dashuria”, e cila përsëritet e përsëritet, sa bëhet aq monotone nganjëherë, sa humbet dëshirën e mirë për të dëgjuar një këngë shqiptare.

Unë e kam humbur disa herë bastin kur njerëzve të pranishëm ju kam thënë se kënga që vjen pas do të jetë me temë ndryshe, ndërsa në fakt nuk ka ndodhur ashtu siç e prisja, por ka qenë po për dashurinë... dashurinë... dashurinë.

Askush nuk mund t’i mohojë rinisë të drejtën e saj, të ndalojë këtë ndjenjë aq fisnike e aq njerëzore siç është dashuria, por kuptohet, çdo gjë ka masën e vet, po e teprove humbet dhe ato pak vlera që mund të mbartë. 

Këngët duhet të kenë larmishmëri në krijimin dhe zgjedhjen e teksteve muzikore, të përçojnë mesazhin e duhur dhe të ngjallin emocion te dëgjuesit. Ku ka më bukur se t’u këndosh grave, të cilat meritojnë plotësisht të quhen të tilla, t’i këndosh gëzimit që sjell ardhja në jetë e një fëmije, nënës, kësaj qenie hyjnore që nuk zëvendësohet me asgjë, Shqipërisë, qytetit, natyrës sonë të bukur, njerëzve që  kanë kontribuar për këtë vend etj.

Teksti të përmbajë frymë shprese, të reflektojë jetën reale, të mbushë me optimizëm shpirtin e njeriut që e dëgjon, sepse, në rast se nuk përcjell asnjërën prej tyre, herët a vonë do të humbasë, do të shuhet nga kujtesa e kohës...

Vërtet që ekonomia e tregut bën vlerësimin e saj, por, megjithatë, doja të shprehja dy fjalë për këngët shqiptare që po na shoqërojnë sot gjatë gjithë kohës, me/apo pa dëshirë, edhe pse për këtë temë mund të flasin specialistët e kësaj fushe dhe strukturat përkatëse që janë kompetente për t’i dhënë zgjidhjen e duhur.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit