TIRANË- Deputeti Dashnor Sula ka ndarë një video ku ironizon kreun e PD, Sali Berisha lidhur me deklaratën e tij të një dite më parë ku doli kundër kërkesës së SPAK për t’iu dhënë mundësinë prokurorëve të SPAK për rikandidim.
Sula ka ndarë një video ku tregon dy standardet e Berishës, kur më herët për këtë çështje shprehej se “ai që zbaton ligjin nuk ka asnjë arsye që ai të dalë nga sistemi”.
Por, më pas Berisha shfaqet në video me deklaratën e një dite më parë ku sulmoi Altin Dumanin duke thënë se nuk kanë përse të ndërrojnë Kushtetutën që t’u sigurojnë atyre një mandat tjetër.
“Çfarë është kjo, të ndërrojmë ne Kushtetutën se ka frikë nga puna e tij? Jo mo, nuk ndërron Kushtetuta kurrë. Për t’i zgjatur afatin, për t’i dhënë këtë apo atë, ta harrojë ai se ndryshon Kushtetuta për këtë. Nuk ndodh ajo”, thotë Berisha.
Pikërisht këto dy standarde të Berishës, Sula i sheh edhe si arsyen përse e la jashtë listave të deputetëve, ndërsa shkruan se SPAK ka nevojë për mbështetje nga opozita, por kjo nuk po ndodh.
“Ja pse SPAK-istët ishin problem në listën e kandidatëve për deputetë të PD. 3 muaj më parë, SPAK nuk e kishte arrestuar Erion Veliajn dhe në atë kohë opozita deklaronte pro mundësisë së rikandidimit të prokurorëve të SPAK. Tani ka një ngjarje madhore në favor – arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës – por çuditërisht opozita del kundër.
Ç’mund të mendosh në këtë situatë? Ku fle lepuri?! SPAK është gjëja më e mirë që ka për momentin vendi ynë. Ky institucion do të duhej ta kishte nga opozita mbështetjen më të madhe, por fatkeqësisht kjo nuk po ndodh”, shkruan Sula.
Komente

