Dy vjet nga djegia e mandateve që dogji opozitën

Dy vjet nga djegia e mandateve që dogji opozitën

Lulzim Basha

Dje ishte dy vjetori kur kreu i PD, Lulzim Basha, shpalli djegien e mandateve të opozitës, duke bërë që deputetët e saj por dhe të LSI si dhe të aleatëve të tjerë, të dalin nga parlamenti duke nisur një cikël protestash që si synim kishin krijimin e një qeverie provizore dhe zgjedhjet e reja të parakohshme. Ishte një lëvizje sui generis, e paparë diku në botën demokratike, e kritikuar ashpër nga faktori nërkombëtar, porse e mbrojtur me kokëngjeshje nga liderët e opozitës së bashkuar si mënyra për ta rrëzuar Ramën e për të trysnuar zgjidhje nga rruga si formula e vetme për ta katapultuar minorancën drejt pushtetit. Ky përvjetor kaloi në heshtje nga ana e opozitës. Dhe duket që askush nuk do që ta kujtojë.

As nga PD, as nga LSI dhe nga askush tjetër që e ndoqi rrugëve Bashën, ndërsa braktisën institucionet dhe hynë në aventurizëm, duke menduar se me trysninë e rrugës do të zëvendësonin fuqinë e votave në zgjedhje. Kish kohë që bota perëndimore nuk kish parë, që nga formula e Musolinit e “Marshimit mbi Romë”, të imponimit për të marrë pushtet, ndaj dhe faktorët më të rëndësishëm e miq të Shqipërisë e dënuan këtë rrugë duke bërë thirrje që jeta politike në demokraci duhet të kthehet në institucione, nga ku parlamenti është tempulli qëndror i saj.

Opozita u mundua ta kalojë në heshtje këtë ditë pasi nuk ka mundur të ketë as guximin që të kërkojë ndjesë te elektorati i saj për një gafë politike të shpallur dikur me aq bujë, por dhe për një aventurizëm sfilitës protestash që zgjati për mbi një vit. Porse e gjithë kjo e pati një faturë. Së pari se me këtë rrugë kryeministrit Rama iu dhurua më shumë pushtet dhe së dyti është se pasojat e saj vijojnë ende pasi socialistëve iu është bërë më i lehtë objektivi për një mandat të tretë qeverisës.

Sidoqoftë, ajo çfarë bën përshtypje në gjithë çka ndodhur por dhe që po ndodh në kushtet e një fushate elektorale të pranishme, janë marrëdhëniet midis krut të PD dhe aleatëve të tij. Duhetë të kuptojmë që para dy vitesh, basha futi në rrugë pa krye jo thejsht partinë që drejton, por krejt enturazhin e asaj që përbën opozitën e bashkuar. E në këtë rast tërhoqi pas në rrugë edhe LSI, që sidoqftë, me rezultatet e dy zgjedhjeve të fundit nuk mund të konsiderohej më as si parti vasale dhe as si e vogël. Realisht, futja në një rresht e të gjitha partive të vogla, përfshi dhe LSI, ndërsa historikisht në marrëveshjet me Ramën ua ka futur partive të vogla, të bën  çudi kur mendon që këtë e ka arritur Basha.

 Kreu aktual i PD është menduar si më i dobët se Berisha. porse ky i funfit sidoqoftë nuk i ka trajtuar aleatët në kushte të tilla vasaliteti, dhe ca më pak LSI. Shumë interesant ky fakt aq sa të bën të mendosh  që ose Basha paska aftësi bindëse të shkëlqyera tek aletatët, ose vetë aleatët mendojnë se mund ta shfrytëzojnë dobësinë e e Bashës më mirë duke i ndejtur afër. Gjithësesi, aftësi bindëse apo për të bërë marrëveshje të shkëlqyera me Ramën, vetë Basha nuk ka dëshmuar. Madje kanë qenë vetë aleatët e vegjël që janë ankuar se si për ndryshimet kushtetuese, si për kod zgjedhor por dhe formula të tjera që kanë mbetur në tekste marrëveshjesh të pazbardhura, interesat e tyre kanë dëmtuar, dhe se dy të partitë e mëdha , PS dhe PD, kanë luajtur sipas interesave të tyre e në dëm të të tjerëve. Porse sërsih, edhe pas ankesave aleatët e vegjël janë rreshtuar sërish tek dëshirat e PD. E kjo ndodh edhe me LSI, që pikërisht ku ka numrin më të madh të mandateve të fituara, e fut veten të rreshtuar si parti vasale, gjë të cilën se kish bërë as kur ish me katër deputetë.

Ndoshta kjo është dhe arësyeja e fenomenit të rrjedhjes që ka prekur këtë parti. Humbja e identitetit si një parti e majtë, gjithësesi e dallueshme nga PS, vënia si shtojcë e politikave të PD që gjithësesi dalin të gabuara e aventureske, mosrespektimi i kontributeve të drejtuesve të ndryshëm në emër të hapësirave për të rijtë e përzgjedhur në përdorim, ka bërë që drejtues e titullare lokalë, anëtarë dhe elektorat që kanë mbështetur dikur LSI, të largohen prej saj. Dhe këto vota shkojnë sërish në drejtimin nga vijnë, kush vjen nga e majta shkon drejt PS, dhe prurjet e zgjedhjeve të fundit, rikthehen si vota në PD.

E parë në këtë këndveshtrim, këto zgjedhje paraqiten interesante. Gjatë këtij mandati kanë ndodhur aq shumë ngjarje dhe lëvizje, saqë është e vështirë të mendohet se parashimet për votat të bazohen mbi rezultatet e zgjedhjeve të kaluara. Ecuria e partive të ndrsyhme ka ecur në trajektore jo të njëjtëe në kushte normaliteti, porse shpeshherë dhe në kahe të ndryshme. Pasi më së tepërmi janë gabimet ato që ndëshkojnë. Ndaj ndërsa konsumizmi në pushtet mendohej si vështrirësi jo e vogël për maxhorancën, gafat politike që bëri kreu i PD në këto dy vite ishin aq të rënda saqë zeruan çdo konsumim. Gafë e PD por që i kaloi si faturë të gjithë opozitës, pasi askush nga opozita nuk arriti të përfitojë nga gabimi i Bashës, në mënyrë që votat të kanalizoheshin drejt tyre, porse të gjithë duket se mbetën në të njëjtën varkë të çpuar që fut ujë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës