TIRANE - “Rreth botës për 80 ditë” apo “Dy vjet pushime”? Cilindo nga librat e Zhyl Vernit që mund t’ju vijnë në mendje, të jeni të sigurtë se këto dy vitet e pushimeve nuk kanë ndonjë lidhje të madhe me historitë shkruara prej tij. Madje është një nga ato gjërat që agjencia angleze VeryfirstTo e ka përfshirë në kategorinë “Never done before”.

Është një propozim “i pacipë” që ofron një itinerar ekskluziv të bazuar në listën e pasurive botërore të natyrës dhe kulturës, përpiluar nga Unesco. Janë 962 site të Pasurisë së Njerëzimit, në 157 vende të botës që ofrohen për ata që vërtet mund të kenë një hapësirë bosh prej të paktën 700 ditësh dhe për më tepër të kenë një shumë po aq të pacipë parash sa edhe vetë propozimi.

Vende, trajtime luksoze dhe tarifa të përbindshme: 990 mijë stërlina, konvertuar në euro më shumë se 1 milionë e 150 mijë kartmonedha. ...një ëndërr e vërtetë për vetëm dy persona, Një tur i konsideruar alla Unesco përderisa agjencia ka marrë për bazë të itinerarit të këtij udhëtimi të cuditshëm, listën e pasurive natyrore dhe kulturore të përpiluar nga kjo organizatë ndërkombëtare.

“Propozimi në kohë krizash ndoshta mund të irritonte shumë njerëz, por në të njëjtën kohë do të bëjë shumë të tjerë që të ëndërrojnë”- shkruajnë mediat e huaja teksa komentojnë ofertën e agjencisë angleze. Dhe bëhet fjalë për ekskluzivitet të plotë pasi jo vetëm që do të jetë një cift ai që do të kryejë udhëtimin por do të jenë ata personat e parë, e ndoshta të vetmit që do të kryejnë këtë udhëtim.

Në fakt propozimi i agjencisë tingëllon i cuditshëm sidomos për shkak të shumës së parave dhe kohëzgjatjes së udhëtimit. E kush do të kishte kaq kohë të lirë dhe kaq shumë para? Natyrisht që milionerë, manjatë, sheikë, vipa apo trashëgimtarë të pasur mund të marrin në konsideratë këtë udhëtim të jetës të quajtur The Ultimate Journey (Udhëtimi I fundit).

Destinacionet përrallore përfshijnë vende shumë të njohura dhe tashmë të shndërruara në kult si gjiri magjik i Halong në Vietnam, Kanioni i madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i fuqishmi dhe romantiku Taj Mahal në Indi, Petran, simboli i Jordanisë, tempujt Angkor në Kamboxhia, kaskadat Iguazu mes Argjentinës dhe Brazilit, Piramidat egjiptiane, Qytetin e ndaluar në Pekin dhe Machu Piçhu në Perù.

Sigurisht që në itinerarin e udhëtimit të jetës ka dhe shumë vende të tjera e për fat të mirë dy personat që do të kryejnë udhëtimin do tlë ndalojnë edhe në Shqipëri, përderisa Butrinti, Berati dhe Gjirokastra janë në listën e trashëgimisë botërore të Unesco-s. Teorikisht janë 157 vende që do të vizitohen në 730 ditë.

Natyrisht që turi është i personalizueshëm sipas kërkesave të klientëve. I vetmi kufizim është siguria, pasi asnjë destinacion i rrezikshëm për jetën e dy udhëtarëve nuk do të përfshihet në itinerar. Aventura superluksoze përfshin transport nga një vend në tjetrin me biznes klas i cili konsiderohet si minimum i standartit.

Cifti i udhëtarëve do të pushojë në hotele luksoze ndër të cilët përmenden: Sandy Lane (Barbados); Hotel George V (Paris); The Plaza (New York); The Taj Mahal Palace (Mumbai); Cipriani Hotel (Venecia); and The Ritz-Carlton Hotel (Moskë).

Por udhëtimi i fundit nuk është i vetmi që agjencia Veryfirst to ofron për klientët e saj. Nën konceptin ekskluziv agjencia ofron edhe të tjera përvoja të pazakonta dhe të shtrenjta. Vlen të përmenet se zgjimi mes një fushe me një milionë petale trëndafilash të kuq vlen 70 mijë stërlina dhe ky është më pak i kushtueshmi.

Një udhëtim në hapësirë kushton 105 mijë stërlina ndërsa një propozim martese nëpërmjet një spoti 30 sekondësh në televizionin kombëtar kushton ca më shumë, pra 135 mijë stërlina. Ka dhe një propozim tjetër për dashurinë dhe këtu bëhet fjalë për një film dy minutësh të shkruar nga vetë klienti me ndihmën e një skenaristi dhe një regjisori. Ky film propozohet si një mënyrë për të deklaruar dashurinë.

Por duke iu rikthyer përvojës së propozuar për dy vjet pushime në cdo sit të shpallur pasuri botërore, ia vlen të përmendet se 5 mijë stërlina nga shuma që do të paguajnë udhëtarët do të shkojë për Unesco-n.

Megjithatë ka një pikë të hapur në këtë udhëtim të jetës, duke ditur se për cdo vit Unesco, shton të paktën 20 site të reja në listën e pasurive botërore. Kur cifti fatlum të ketë mbaruar udhëtimin lista do të ketë paktën 40 vende të reja.

Ndoshta kjo do të shtyjë ideuesit dhe drejtuesit e agjencisë që të mbajnë sërish në kategorinë e përvojave të pakryera më parë, udhëtimin dy vjeçar. Gjithsesi një gjë është e sigurtë; për të parë të gjitha pasuritë e njohura të botës, do të duhej një jetë e tërë dhe pa dyshim shumë para.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.06. 2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)