Dy zgjidhje për integrimin

Dy zgjidhje për integrimin
Në tetor Bashkimi Evropian apeloi qeverinë dhe opozitën në Shqipëri të gjenin konsensus për ligjet themelore, si dhe të jepnin garanci të plota për seriozitetin e luftës antikorrupsion dhe procesin zgjedhor të qershorit 2013. Tirana politike e refuzoi apelin dhe dy partitë kryesore parlamentare vendosën kushte eciproke duke mbajtur peng procesin integrues. PD refuzoi ndryshimin e rregullores parlamentare, zbatimin e vendimeve të gjykatave për qarkun Fier si dhe nuk ndërmori asnjë hap serioz në luftën ndaj korrupsionit. Përkundrazi, me një amnisti të propozuar prej saj në nëntor u mbyllën dosjet më të bujshme korruptive të zyrtarëve të lartë, përfshirë dy ministrave në kabinetin qeveritar. Opozita gjithashtu ndoqi të njëjtën strategji, refuzoi votimin e ligjeve dhe duke përdorur pretekstin e Fierit, ndihmoi në përgjigjen negative të BE-së për Shqipërinë. Shansi i nëntorit pati të njëjtin fat, BE i zhgënjyer me të drejtë refuzoi ofertat boshe të Tiranës, dhe Tirana politike me ndërgjegje vuri interesat e ngushta partiakë dhe elektoralë mbi interest publike e shtetërore.

Prej atëherë asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjëra palë nuk flet më për Fierin dhe as regulloren parlamentare, Kodi Zgjedhor i miratuar me konsensusin e tyre vijon të krijojë grindje dhe gracka të reja politike, klima politike mbetet e tensionuar, lufta ndaj korrupsionit ka mbetur retorikë dhe në nivel akuzash publike, ndërsa mungojnë garancitë se palët kryesore kanë vullnet real për zgjedhjet të lira e demokratike në qershor 2013. Në aspektin shtetëror janë bërë hapa pas; disa institucione kushtetuese u zëvendësuan me kandidatë të propozuar nga qeveria, farsa e privatizimit të Albpetrol dhe skenarët për përdorim të parave të pista për qellime elektorale vijon të mbetet kërcënim për integritetin e zgjedhjeve, RTV vijon të mbetet prej 1.5 vitesh ka ekip drejtues të zgjedhur, financimet e dyshimta të qeverisë për fushatën elektorale u thelluan me votimin e njëanshëm të buxhetit të ri shtetëror, MPJ dërgoi në disa ambasada me rëndësi militantë të njohur të partisë në pushtet, lista e zgjedhësve pësoi deformimeve të ndjeshme me qëllim ndikimin paraprak në 1-2 mandate parlamentare, etj.

Në lidhje me procesin integrues nuk ka asnjë shenjë apo hap serioz e institucional përpara, përkundrazi. Retorika nacionaliste ndaj fqinjëve ndërmarrë nga qeveria krijoi shqetësim tek partnerët ndërkombëtarë dhe zuri vend si kriter shtesë në listën e kritereve të paplotësuara. Mazhoranca parlamentare nuk ka bërë asnjë lëshim ndaj vendimit të gjykatës, nuk ka dhënë konsensus për rregulloren dhe as ka ndërmend të respektojë konsensusin në vendimmarrjen e KQZ, duke siguruar vendime pro saj në cdo vendim të Kolegjit Zgjedhor. E paaftë të veprojë në mënyrë institucionale dhe në krizë identiteti paraelektoral (oferta e saj për koalicion me cdo parti të majtë e të djathtë mbetet unike në historinë e një force politike të djathtë në Evropë), ajo i është rikthyer mjeteve radicionale të luftës populiste: peticioneve të gatshme të nënshkruara nga nëpunës zyrtarë më shkollë të lartë, përdorimit të parlamentit si zëdhënëse të krahur radikal militant të PD kundër cdo grupi e force qytetare e politike kritike me qeverinë, si dhe formave të shantazhit dhe frikësimit mbi votuesit e mundshëm kundër.

Brenda të njëjtit sistem dhe të njëjtës logjikë elektorale vepron edhe Partia Socialiste në opozitë. Ajo nuk ka ndërmarrë asnjë inciative parlamentarë në dy muajt e fundit, nuk ka kryer asnjë proces bashkimi opozitar brenda spektrit të saj politik, nuk ka arritur ta bëjë të besueshme tezën e saj për qeverisje me duart të pastra dhe as të motivojë elektoratin e pavendosur apo të fitojë partneritet serioz ndërkombëtar. Ajo vijon të besojë në tezën e gabuar se regjimi i korruptuar bie vetë dhe kur të bie ajo është aty për ta zëvendësuar atë.

Në këto rrethana dy palët kryesore parlamentare po ndjekin një agjendë politike paralele me agjendën e duhur publike dhe shtetërore. Ato e kanë bërë tashmë "kurban" integrimin dhe në vend të kërkesës për zgjidhje, kanë bindjen se do ta përdorin këtë tezë si lajmotiv të fushatës elektorale të qershorit. Pra, asnjëra prej tyre nuk dëshiron të bëjë lëshime dhe as të realizohen hapa konkretë integrues; përkundrazi secila kërkon ta përdorë dështimin e tretë integrues si kartë elektorale kundër njëra tjetrës. Dhë në fund, ai që humbet është qytetari, publiku dhe vendi. Asnjëra palë nuk mban përgjegjësi reale sepse më 24 qershor secila do ta harrojë retorikën parazgjedhore dhe do tia nisë nga e para, sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Cila është zgjidhja? Është e qartë se votimi i tri ligjeve duhej bërë, por edhe nësë bëhej, sic është deklaruar nga Gjermania, Holanda e disa shtete të tjera brenda BE-së, shanset integruese të Shqipërisë do të vazhdojnë të jenë të varura nga standardi i zgjedhjeve të qershorit dhe aktet konkrete kundër korrupsionit. Cfarë do të ndodhë nëse qeveria fut duart në zgjedhje, nëse krijohen incidente dhe kontestohet rezultati zgjedhor? Cilat janë pasojat nëse fushata financohet e mbështetet nga krimi i organizuar dhe lidhjet e tij të forta politike, sic edhe po ndodh? Si do të reagojë BE nëse politikanët më të korruptuar përmes listave të sigurta partiake sigurojnë mandate parlamentar dhe kështu, mandat qeverisës ose mandat pengues të qeverisjes? Zgjidhja mbetet e dyfishtë: politike dhe institucionale. Zgjidhja politike është në dorën e qytetarëve, medias, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë politikë. Sa më shumë të bëhet diferenca midis atyre që janë me ndërgjegje pengesë e integrimit dhe atyre që e duan këtë proces, aq më i dobët bëhet muripengues konsensual PD-PS.

Vota ndërshkuese për ata që penguan integrimin përmes keqqeverisjes, korrupsionit, votave e pasurive të grabitura, politikave populiste dhe alibive permanente elektorale, përvecse një tregues emancipimi i jep sistemit demokratik forcë, vitalitet dhe integritet. Rënia me votw popullore e partive tradicionale dhe e liderëve të tyre përgjegjës për vonesat 20 vjecare do të krijojë një skenë dhe hapësirë të re mbi politikën, idetë, platformat dhe sjelljen politike duke e lehtësuar komunikimin, dialogun dhe bashkëpunimin integrues. Zgjidhja institucionale lidhet me kreun e shtetit, vullnetin politik dhe faktorin ndërkombëtar. Për shembull, do të ishte e mirëpritur një pakt politik gjithëpartiak i inicuar nga NDI, nga trojka e BE- së, apo nga Presidenti, ku palët politike deklarojnë vullnet për zgjedhje të lira dhe e standarde demokratike, vullnet për të lënë jashtë listave elektorale politikanë të inkirminuar dhe përfshirë në skandale të njohura financiare, vullnet për të denoncuar në prokurori cdo akt korruptiv dhe akuzë të
pretenduar, vullnet për të respektuar parimet e Kodit Zgjedhor, vullnet për të numëruar votat kundër, si dhe në vecanti, pas 24 qershorit, deklarimin paraprak të votës PRO, pa kushte, ndaj cdo akti ligjor që lidhet me procesin integrues.

Me siguri një pakt i tillë do të ishte më shumë formal sesa efektiv deri në zgjedhje, por vlera e tij do të rritej pas zgjedhjeve, sidomos në rastin e një rotacioni politik, duke ndjekur të njëjtin model pozitiv të shumicës së vendeve ish komuniste, tashmë në BE. Pakti politik me prani ndërkombëtare, do të ishte një garanci minimale se në vjeshtën e vitit 2013 Shqipëria do të marrë ftesën për bisedimet e anëtarësimit në BE, akt që i jep fund tranzicionit dhe modelit të derisotëm politik të pengjeve dhe konflikteve personale, pa sens dhe pa produkte qytetare.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 25 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Ngritën fermën me kanabis me vlerë 446 mijë euro, 6 shqiptarë dënohen në Britani (EMRAT)

Ngritën fermën me kanabis me vlerë 446 mijë euro, 6 shqiptarë dënohen në Britani (EMRAT)