Qeveria ka dyfishuar mbështetjen ekonomike për 11 mijë fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara, ndërsa do të paguajë edhe sigurimet shoqërore e shëndetësore për nënat dhe kujdestarët e tyre. Vendimi u komunikua nga kryeministri Edi Rama gjatë një vizite në Qendrën Sociale “Jonathan” në Tiranë.
“Zgjodhëm këtë vend për të folur më gjerë mbi ndërmarrjet sociale dhe për të prekur edhe atë që para pak javësh realizoi qeveria duke dyfishuar mbështetjen për të gjithë fëmijët që janë me aftësi të veçanta. Ishte kohë e gjatë që mbështetja për këta fëmijë ishte bërë e pamjaftueshme duke pasur parasysh kostot e jetesës. Premtuam dyfishimin e mbështetjes për ta dhe jam shumë i lumtur që sot kjo mbështetje është dyfishuar. Janë 11.000 fëmijë dhe të rinj që do të përfitojnë nga kjo masë. Kemi marrë një tjetër masë të rëndësishme për kujdestarët, sepse një nënë që i përkushtohet një fëmije me aftësi të veçanta e ka të pamundur të shkojë rregullisht në punë dhe kështu përballet me problemin e mungesës së sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore që pastaj cenojnë mundësinë për të marrë një pension të merituar nesër. Ne vendosëm që shteti t’i paguajë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për të gjitha nënat dhe kujdestarët, njësoj sikur ata të ishin në punë”, tha Rama.
Gjatë takimit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, tha se synimi është që mbështetja të mos mbetet vetëm financiare, por të shoqërohet me integrim në punësim, arsim dhe jetën e përditshme.
Ndërkohë, Rama bëri të ditur se Plani Kombëtar i Veprimit për Personat me Aftësi Ndryshe 2026–2030 parashikon, përveç dyfishimit të pagesës, edhe më shumë shërbime në komunitet, akses më të lehtë në arsim, punësim e rehabilitim, si dhe mbështetje më të madhe për jetesë të pavarur.
Komente










