Publikohet historinë e panjohur të Ndue Marashit, ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, deputetit të Kuvendit Popullor dhe anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, i cili në datën 16 dhjetor të vitit 1975, u gjet i vdekur nga një plumb pistoletë në një nga dhomat e vilës së tij (tek “Shkolla e Kuqe”), rrethanat e së cilës nuk janë zbardhur ende edhe sot pas 45 vitesh?!
Dëshmia e rrallë e të birit të tij, 62 vjeçarit Xhovalin Marashi që banonon prej vitesh në Belgjikë, i cili dëshmon për herë të parë publikisht, të gjithë historinë e panjohur të babait të tij dhe familjes Marashi, duke filluar nga: origjina e tyre, ardhja në Tiranë, puna, shkollimi, diplomimi dhe karriera e Ndues fillimisht në Kamzë e më pas në koopertativën e Kasharit, Komitetin e Partisë së Rajonit Nr. 4 dhe më pas si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ku ai shërbeu nga viti 1973, deri në 16 dhjetorin e vitit 1975, kur Xhovalini me vëllanë më të vogël, Vlashin, e gjetën të atin e tyre të përgjakur në minutat e fundit të jetës dhe autobulanca që ata njoftuam me telefon, erdhi pas vetëm 45 minutash?!
Rrëfimi Xhovalinit edhe për miqësitë që kishte babai i tyre me një pjesë të udhëheqjes së lartë si: Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, Fadil Paçramin dhe Myslym Pezën, apo të tjerë me poste e funksione më të ulta si: Irakli Bozo, Abedin Çiçi, Mark Dodani, Hazbi Lamçe, Demlush Thaçi, Fadil Lamin, Halim Stërmasi, Ilir Gjylbegu, Panajot Pano, Fatmir Frashëri, Bert Jashari, Miti Dheodhosi etj.
Si u realizua skema e ekzekutimit të Ndue Marashit, kush ishin njerzit që e sulmonin atë në Byronë Politike dhe ata që Sigurimi i Shtetit i angazhoi për eliminimin fizik të tij dhe përse i biri i tij, Xhovalini, e përjashton që ajo gjë është bërë me dijeninë e Enver Hoxhës, për të cilin shprehet se është një nga njerzit që e ka dashur shumë Nduen dhe ai së bashku me Nexhmijen dhe të birin e tyre, Ilirin, kanë bërë shumë për familjen Marashi, duke filluar nga…?!
Pas publikimit të disa shkrimeve nga Memorie.al në dy numrat e kaluar, lidhur me historinë e ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, anëtarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe deputetit të Kuvendit Popullor, Ndue Marashi, i cili plot 45 vjet më parë, në mesditën e 16 dhjetorit të vitit 1975, u gjet pa jetë në një nga dhomat e vilës së tij që ndodhet edhe sot diku pranë “Shkollës së Kuqe”, ku sipas versionit zyrtar, të dhënë me anë të komunikatës që u publikua të nesërmen në shtyp, ai kishte bërë vetëvrasje, Memorie.al i rikthehet përsëri kësaj historie.
Kjo ngjarje e rëndë e cila nuk kaloi pa zhurmë edhe në atë kohë që ndodhi, pasi po t’i referohemi versionit zyrtar, ishte hera e parë pas shumë vitesh që ndodhte një vetëvrasje nga një funksionar i lartë i shtetit,(kemi parasysh, në vitin 1947 Nako Spiron, ish-Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, që ‘de jure’, ishte kryeministri i vëndit dhe më pas në vitin 1956, Omer Nishanin, Presidentin e Shqipërisë, apo siç quhej në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor), dhe sipas moralit komunist, e gjithashtu ligjeve në fuqi, vetëvrasja konsiderohej vepër armiqësore dhe personi që bënte një gjë të tillë, aq më shumë kur ishte me funksione zyrtare, në rastin më të mirë konsiderohej “disfatist e kapitullant”, ndryshe etiketohej si: “tradhëtar dhe armik i popullit”!
Nisur nga këto, edhe për Ndue Marashin nuk u bë asnjë përjashtim nga regjimi komunist i asaj kohe dhe mbi të ranë të gjitha akuzat si “armik i popullit” etj., dhe familja e tij u dëbua nga Tirana dhe u persekutua deri në shëmbjen e regjimit komunist. Lidhur me këtë ngjarje dhe misteret që ajo mbart ende, është shkruar pak vetëm pas viteve ’90-të dhe në 2018-ën, u realizua një dokumentar televiziv nga Radio-Televizioni Publik Shqiptar, ku familjarë të Ndue Marashit, dhanë versionet e tyre lidhur me atë ngjarje.
Nisur edhe nga fakti, se më datën 16 dhjetor, u mbushën 45 vjet nga dita që Ndue Marashi humbi jetën në rrethana tragjike dhe ajo ngjarje ende mbetet e mbuluar me mister, Memorie.al u kontaktua nga z. Xhovalin Marashi, (djali i madh i Ndue Marashit), që prej vitesh jeton familjarisht në Belgjikë, i cili pasi i shprehu falenderimet redaksisë sonë për artikujt e botuar për babanë e tij, u tregua i gatshëm gjithashtu edhe për të dhënë një intervistë të gjatë dhe ekskluzive për Memorie.al, duke bërë publike për herë të parë, shumë nga anët e panjohura të asaj historie që lidhet me emrin e Ndue Marashit dhe familjes së tyre, intervistë të cilën po e publikojmë duke filluar nga ky numër.
Zoti Xhovalin, para se të dalim aty, pra te problemet e pasojat që patën nga regjimi komunist, familja juaj, të afërmit apo fqinjët tuaj etj., desha t’ju pyes, po shërbyesja, pra ajo gruaja që punonte te ju, ku ndodhej kur ndodhi ngjarja?
Do t’ua thosha vetë edhe pa më pyetur ju në lidhje me shërbyesen (L.H.) që ishte caktuar te shtëpia jonë, pasi ajo është një nga personat kyç të asaj ngjarje.
Përse…?!
L.H., e cila ka qenë në fakt shërbyese dhe kuzhiniere te ne, ishte një punonjëse që pati ardhur për të punuar në familjen tonë, vetëm ato tre muajt e fundit, natyrisht e caktuar nga strukturat përkatëse prej nga varej ajo, si Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, Ministria e Punëve të Brendëshme etj., për të cilat nuk jam i sigurtë ekzaktësisht se se nga kush varej. Por dihet tashmë, (por dhe atëhere, pra para viteve ’90-të) se disa nga këta persona, kishin vartësi dyfishe, apo më saktë ishin nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit. Të kuptohemi, jo të gjithë, pasi është i njohur dhe fakti tejtër, që shumë prej tyre ishin dhe mbetën deri në fund besnikë të familjeve ku punuan, madje dhe janë dënuar bashkë me familjet që janë goditur në atë kohë si “armiq të popullit” etj. Te ky person që ka punuar në shtëpinë tonë, ne si familje, por edhe me njerëz të tjerë, kompetentë apo me shumë informacion lidhur me mekanizmat se si vepronte ai sistem atëhere, ne kemi folur gjatë, kryesisht pas viteve ’90-të dhe kemi shumë dyshime te roli kryesor që ka pasur ajo në shtëpinë tonë.
Konkretisht, ku bien dyshimet e para…?!
Dyshimet e para mbi atë, bien për mos ndodhjen e asaj në shtëpinë tone, pikërisht atë ditë që ndodhi ngjarja me babanë tonë, pra kur ai u gjend i vdekur me plumb pistolete!
Ku ishte ajo atë ditë dhe përse nuk ndodhej në shtëpi?
E para që dua t’ju them dhe që është dhe më kryesorja, sipas rregullit të punës që kishin punonjësit e shërbimit të funksionarëve të lartë të asaj kohe, (siç ishte dhe babai ynë, Nduja), ata në asnjë rast nuk duhet të dilnin nga shtëpia gjatë orarit të punës, pa lejen apo pa njoftuar (gojarisht apo me telefon), një nga personat e familjes, të cilit duhet t’i shpjegonte arsyen se përse po largohej dhe vëndin, apo destinacionin, se ku dhe për çfarë po largohej. Kjo ishte një nga rregullat e parë që ata të personelit të shërbimit nuk duhet ta shkelnin në ansjë mënyrë, gjë e cila bëhej për arsye sigurie e kuadrove të lartë ku ata shërbenin, pasi presupozohej, se agjenturat e huaja, (siç thuhej në atë kohë), mund t’i kompromentonin për të nxjerrë sekrete nga familjet ku ata shërbenin, apo dhe për t’i eleminuar fizikisht, me helme me veprim të ngadalshëm, etj., etj.
Të kthehemi te pyetja, që u bëra më lart, pra ku kishte qenë shërbyesja në ato momente që ndodhi ngjarja në shtëpinë tuaj?
Sipas saj, kur e kemi pyetur atëhere që ndodhi ngjarja, ajo ka thënë se ka qenë diku te Pazari i Ri, te Sheshi “Avni Rustemi”, duke blerë cigare për babanë tonë, Nduen. Por ky fakt ne na habiti, pasi babai jo vetëm që nuk e pinte duhanin, por kurrë nuk dërgonte shërbyesen për të blerë ndonjë gjë që mund t’i duhej! Madje këtë gjë e kishim të ndalur edhe ne pjestarët e tjerë të familjes dhe as që bëhej fjalë që t’i shkonte njeriu ndërmënd nga ne, që ta ngarkonim shërbyesen me të tilla gjëra. Por të dalim te përgjigjia, apo më saktë te justifikimi i saj se: ‘kishte dalë për të blerë cigare’, të cilën e ndërroi menjëherë, kur pa habinë që shprehëm ne, duke thënë se: ‘Kishte dalë për të blerë bukë’! Pra dha dy versione!
Pa dashur të dyshojmë tek të gjitha këto fakte apo konkluzione që nxirrni ju, mos ndodhja e saj në shtëpi në ato momente kur ndodhi ngjarja, mund të ketë qenë thjesht një rastësi fatale dhe nuk mund të përjashtohet mundësia që ajo mund të ketë dalë për ndonjë punë personale të saj, pa i shkuar në mëndje se do të ndodhte ajo që ndodhi në fakt?!
Jam dakort me këtë që thoni ju, por nuk mund të përjashtohet mundësia, pasi kjo që po ju them është fakt i njohur se: ajo para se të vinte te ne si shërbyese, ka qenë me shërbim, pra ka punuar te shtëpia e Ministrit të Punëve të Brendëshme të asaj kohe, Kadri Hazbiut, kurse para Kadri Hazbiut, ka qenë me shërbim të shtëpia e Beqir Ballukut, të cilin babai ynë, Nduja, siç ua thashë, e kishte një nga miqtë e afërt dhe fati i Ballukut dihet tashmë se si përfundoi?! Por ajo që është dhe më kryesorja, pra mbi dyshimet që kemi ne mbi rolin kryesor të saj në shtëpinë tonë, ku siç thashë, (po u’a përsëris, se ajo erdhi vetëm tre muajt e fundit te ne), ka qenë fakti se ajo njihej edhe si njeri besnik i Kadri Hazbiut, gjë e cila në atë kohë dihej nga shumë njerëz.
Po familja juaj e dinte?
Po patjetër, siç na ka thënë mamaja jonë, ato kanë qenë në dijeni të kësaj. Por nuk ishte shumë e vështirë ta kuptoje, pasi në atë kohë ishte gjë e ditur se: pothuaj pjesa më e madhe e personelit të shërbimit e nomeklaturës së lartë të udhëheqjes së asaj kohe, (si p.sh. shoferë, pastrues, kuzhinierë, rrobalarës, shoferë, lulishtarë etj.), shfrytëzohej nga Sigurimi i Shtetit, për personat që do goditeshin.
Po pas viteve ’90-të, a keni tentuar që të takoheni me këtë person që ishte me shërbim në shtëpinë tuaj?
Ne i dërguam një njeri ta takonte, por ajo e kuptoj dhe nuk pranoi fare që të komunikonte me njeriun që i dërguam ne. Po kështu, para disa vitesh, një kolegu juaj gazetar (nuk po ja them emrin, pasi çdo kush mund ta gjej, se kjo është e publikuar në shtyp), tentoi dhe e takoi, por kur i tha se përse kishte shkuar, ajo e kërcënoj, duke i thënë se: ‘në rast se nuk do të largohej që nga ai sekond, ajo do të lajmëronte policinë’. Pas kësaj ai u largua dhe kjo punë u mbyll aty për të mos u hapur më kurrë, të paktën prej nesh si familje, pavarsisht se gazetari shkoi dhe e takoi atë me inisiativën e tij. Por dyshimet e familjes sonë, nuk bien vetëm mbi këtë person që ju fola më lart, pasi kishte dhe të tjerë.
Mbi kë…?!
Një prej tyre ka qenë dhe shoferi i babait, (Ç.K. me origjinë nga Korça), mbi të cilin ne kemi shumë dyshime!
Konkretisht, për çfarë, a mund të na i thoni?
Përpara se t’ju them për këtë gjë, dua t’ju shpjegoj më kryesoren, pra faktin se shtëpia jonë, pra vila ku rrinim ne (ish-vila e Vangjel Manushit, tregtar i madh nga Durrësi), kishte kohë që survejohej nga Sigurimi i Shtetit, natën dhe ditën.
Nga e dinit ju këtë gjë, kishit informacion që në atë kohë, apo e keni mësuar pas viteve ’90-të, nga persona të ndryshëm?
Jo jo, këtë ne e kemi ditur që në atë kohë dhe kjo gjë u mësua krejt rastësisht nga babai ynë, pasi një nga atë të Sigurimit të Shtetit, foli te një njeriu ynë, në formë mburrje, pa e ditur se ai njeri kishte lidhje gjaku me familjen tonë. Në përgjithësi ata të Sigurimit të Shtetit, siç dihet, nuk flisnin, por kishte dhe ndonjë delirant prej tyre, që mburrej, se ka pasur shumë prej tyre që kërkonin të mburreshin dhe për t’u dukur se ishin të Sigurimit të Shtetit, flisnin apo lëviznin xhaketën që t’u dukej pistoleta etj.
A mund të na e shpjegoni më konkretisht se si ndodhi kjo, pra kush foli dhe kush ishte njeriu që u’a tha familjes suaj, apo babait tuaj, siç shpjeguat ju?
Patjetër që po ua them, pasi nuk kam pse të mbaj asnjë sekret. Ka qenë Xheladin Çoku, (djali i tezes së mamasë sonë, Françeskës), i cili në atë kohë punonte si shofer i ambasadorit rumun, i cili i pati treguar babait tonë, Ndues, se një ditë kur po vinte me taku babain, (pasi kanë qenë edhe shokë fëmijërie me Nduen), rastësisht takoi një shokun e tij nga këta të Sigurimit të Shtetit dhe e pyeti se çfarë po bënte aty, pra te një rrugë diku afër shtëpisë sonë. Dhe ai i Sigurimit, me qetësinë më të madhe i tha: “Ja po ruajmë këtë “Gjelin e detit”, duke bërë me kokë në drejtim të shtëpisë sonë. Xhela u habit dhe pa i kthyer përgjigjie atij, erdhi direkt në shtëpinë tonë për ku dhe ishte nisur, e ja tregoj babait me detaje atë gjë.
Reagoi Nduja pas asaj, pra i tha gjë, Xhelës?
Sipas asaj që na ka treguar mamaja Franceska, vite më vonë, (e kam fjalën kur ne, unë dhe vëllai Luli, ishim në Tapizë, tashmë të rritur dhe mamaja kishte besim te ne që nuk flisnim jashtë shtëpisë), mbrëmjeve në vetminë tonë, e kujtonim dhe analizonim jo rrallë atë ngjarje. Kështu mamaja kur na pati treguar këtë ngjarje me Xhelën, na tha se babai i ishte përgjigjur si me gjysëm zëri: “Po nuk ka ndonjë problem, se të gjithë jemi të vëzhguar…”! Pra, siç thoshte dhe mamaja, jo se babai nuk ishte tronditur, por ishte munduar ta mbante veten, pra të mos jepej para kushëririt të tij dhe ato fjalë, më shumë i kishte thënë që të qetësonte atë, pra Xhelën, se sa veten. U’a thashë këtë, për t’ju treguar se ngjarja e 16 dhjetorit 1975, nuk ishte një rastësi, pasi në bazë të analizave dhe fakteve që ne kemi dhe i kemi diskutuar vite më pas, “çorba”, për babën tonë, kishte kohë që po përgatitej…!
Të kthemi te pyetja që i’u bëra pak më lart, pra te njeriu tjetër që punonte me babanë tuaj, pra shoferi siç thatë ju?
Po edhe te shoferi (Ç.K.) ne kemi shumë dyshime. Unë nuk dua ta akuzoj atë, por dyshimet nuk mund t’i heq, pasi pas asaj ngjarje, ai nuk erdhi më kurrë për të na takuar!? Kuptohet se ne ishim të larguar nga Tirana dhe si familje e “armiku të popullit”, ai fillimisht nuk e kishte të lehtë ta bënte këtë gjë. Por më vonë, ai edhe mundej të na takonte fshehurazi, (pasi ne vinim në Tiranë, se në Tapizë nuk ishim të internuar, por të dëbuar nga Tirana), apo me na dërgu fjalë me njeri të sigurtë, jo me na tregu gjë, por me na ngushëllu! Këtë gjë ai nuk e ka bërë edhe pas viteve ’90-të? Përfitoj nga rasti nëpërmjet kësaj interviste, që në rast se ai jeton akoma, të na kontaktojë, apo të gjej ndonjë mundësi për t’u pronocuar publikisht, lidhur me ato që ai di po nuk di për ngjarjen e babait tonë? Le t’i shërbej kjo thirrje e imja, për të thënë vetëm të vërtetën, asgjë tjetër. Pra që ai ta ndjej veten të pastër, pas kësaj!
Përveç këtyre që sapo shprehët, a ka pasur ngjarje të tjera që ju dyshoni, se janë vazhdim apo pjesë e këtyre?
Po ka pasur. Vetëm dy javë përpara kësaj ngjarje, mamaja jonë, Franceska, teksa kishte mbaruar punën (tek Kopshti fëmijëve Nr.49, ku ishte drejtoreshë), dhe po vinte në këmbë për në shtëpi, papritur e në befasi u godit me hekur nga dy persona dhe u ra në tokë pa ndjenja. Kjo goditje, nuk ishte aksidentale, por as për grabitje, pasi dy personat u larguan me vrap dhe nuk tentuan që t’i merrnin çantën që i ra mamasë nga dora…! Pas kësaj, mamanë e dërguan në spital në gjëndje shumë të rëndë. Por fatmirësisht ajo shpëtoi me atë plagë në kokë dhe pas disa ditësh, kur doli nga spitali, (sipas asaj që na ka treguar ajo), babai Nduja, i tha: “Nuk kanë gjë me ty, është paralajmërim për mua…”! /Memorie.al