E dashur Mirela

Kam denoncuar babain tim pasi dhunonte nënën

Pavarësisht se nuk njihemi nga afër për mua jeni shumë e dashur dhe më lejoni t'ju drejtohem ashtu si dy mikesha të ngushta flasin me njëra tjetrën. Ju përgëzoj për nismën tuaj kundër dhunës në familje pasi po bëni një ndërgjegjësim shumë të madh për shoqërinë Shqiptare. Dikur kam qenë dhe unë viktimë e dhunës në familje, dhe pavarësisht se nëna ime ishte e arsimuar duroi për vite të tëra trajtimin e egër të babait tim të cilin asnjëherë nuk e kam konsideruar "baba". Pasojat për mua ishin të mëdha. Mezi e kam gjetur paqen dhe veten time pas disa vitesh beteje të fortë me vetëvlerësimin.

Tani kam krijuar familjen time dhe jam e lumtur me bashkëshortin tim që fatmirësisht u arsimua që në fëmijëri jashtë këtij vendit tonë që quhet Shqipëri. Nuk kam kujtime të bukura nga ky vend dhe nuk kam arsye që ta dua, por nuk jam nga ata njerëz që mohojnë vendlindjen e tyre. Jam plotësisht dakord me këtë nisme kundër dhunës së grave. Më besoni, e dashur, askush nuk të mbështet këtu, ASKUSH. Unë shkoja në polici dhe të gjithë me thoshin “kjo idiotja që denoncon babain”. Kur shkoja me nënën time në gjykatë i kisha shpresat se do fitoja por rezultati ishte zhgënjim total, as gjykata nuk na mbrojti dot. Kam vuajtur aq shumë sa nuk e përshkruaj dot me një letër dhe ku nuk kam kërkuar ndihmë.

Para dy javësh lexova një artikull tek një gazetë e përditshme shqiptare që ishin ndjekur penalisht dy zonja që operojnë kundër dhunës në familje në një fondacion në Tiranë. Emrat e tyre deri tani nuk janë bërë publike, por akuzoheshin për zhdukje fondesh prej mijëra eurosh. I mbaj mend ato dy fytyra të ftohta kur shkova për të kërkuar ndihmë para 7 vitesh. Nuk mund ta përshkruaj se çfarë ndjesie të hidhur më kanë lënë ato dy gra. Nuk do t’i harroj kurrë fjalët e tyre "Kjo është jeta. Ty të ra në pjesë të dhunoheshe, nuk ke për ta ndryshuar dot fatin tënd”. Nëna ime i mallkoi me gjithë shpirt teksa unë qaja dhe ju thashë "Mali me malin nuk takohen ndërsa njerëzit takohen një ditë".

Ato dy gra jam e sigurt se janë përballur me shumë viktima si nëna ime të cilat kanë shkuar të kërkojnë ndihmë. Nëse do ishte e mundur do doja ta publikoje këtë episod. Unë më vonë ia dola pasi fati më ndihmoi. Me mbështetjen e disa njerëzve zemër mirë ia dola mbanë, ishte fati im qe ia dola pasi tani mund të isha e masakruar, e mbuluar me turp nga shoqëria. Ky është një episod nga jeta që askush nuk mund ta besonte qe një grua e shkolluar dhe e edukuar si unë rrihej dhe vetëm heshtte.

Do të doja shumë tua thyeja heshtjen grave shqiptare po si ta bëj këtë? Unë pres më shumë nga deputetet tona. Të mos na përfaqësojnë vetëm për pushtet dhe ato vetë të mos japin shembull që janë të nënshtruara nga burrat apo partia. Ndryshimi duhet të fillojë me legjislacionin e një sërë strukturave të shtetit për të luftuar dhunën, këtë plagë të fortë që kemi. Do të doja shumë të kontribuoja për t’u ardhur në ndihmë këtyre grave, pasi edhe vetë kam qenë një prej tyre, dhe kam filluar të mendoj seriozisht për këtë gjë. Unë ia kam dalë me sukses dhe kam fituar kundër dhunës, por dua shumë ta ndryshoj këtë realitet edhe për të tjerët. Nuk di se si? G.
 
PËRGJIGJA E PSIKOLOGES MIRELA SULA
 
E dashur G,
 
Ti e ke ndryshuar fatin tënd
 
Letra jote është ndryshe nga historitë e tjera që kam lexuar, dhe e zgjodha ta publikoj pasi përcjell një model të suksesshëm për të gjitha gratë, që të mos dorëzohen në përpjekjet e tyre kundër dhunës.  Ashtu siç edhe ti rrëfen, gratë të cilat kanë kaluar episode të dhunës përballen me dhimbje që shpesh mbarten edhe pasi janë çliruar nga drama të tilla. Dhuna është një plagë që dhëmb edhe pasi të jetë mbyllur. Ajo lë gjurmë në kujtesën e viktimave, të cilat si rrjedhojë e frikës që kanë përjetuar në të shkuarën, rrinë gjithnjë vigjilente për t’u mbrojtur edhe kur dhunuesi është larguar.
 
Pikërisht për këtë arsye ti ke përjetuar për një kohë të gjatë mungesë të vetëvlerësimit sa edhe sot pas kaq vitesh ushqen revoltë të fortë brenda vetes. Jam e gëzuar që përjetimet e tua si dëshmitare e dhunës nuk e kanë egërsuar personalitetin tënd. Pavarësisht shenjave të zemërimit që shfaq për njerëzit të cilët nuk të ndihmuan kur ti kishe nevojë, sërish rebelizmi yt është ngritur për një kauzë të mirë. Me këtë dua të them se shqetësimi yt mund të orientohet më shumë për të ndryshuar situatën sesa për të ndëshkuar fajtorët.
 
E di që nuk është e lehtë të përballesh me një realitet të tillë, dhe aq më tepër të dalësh e suksesshme ndaj tij, kur zhgënjimet kanë qenë të njëpasnjëshme. E di se nuk ka gjë më të rëndë për një fëmijë se sa të shohë nënën e saj të rrihet dhe ajo të mos jetë në gjendje ta ndihmojë. Fëmijët më shumë se për asgjë kanë nevojë të rriten në një ambient të sigurtë ku nuk mungon dashuria. Por përmes kësaj përvoje imazhi yt për një botë të sigurtë është thyer e si rrjedhim mund të jetë thyer edhe besimi te njerëzit.
 
Në letër nuk del shumë e qartë nëse edhe ti vetë je dhunuar apo vetëm nëna. E megjithatë e kuptoj që ti je përfshirë në këtë dramë aq shumë sa nuk mund të të fshihet lehtë nga kujtesa. Më vjen mirë që ti ke arritur ta ndryshosh karmën tënde duke zgjedhur si bashkëshort një njeri me vlera, dhe që ndihesh e sigurtë me të. Shumë herë kam parë që vajzat zgjedhin si partner të njëjtin model si babai i tyre, edhe në rastet kur nuk ka qenë profili që kanë dashur. Dhe në fakt është provuar se të gjithë ne kërkojmë për dikë që ka tipare dominuese karakteri të ngjashme me ata që na kanë rritur. Ndodh shpesh kjo, si një nevojë e pashmangshme për të shëruar plagë të vjetra të fëmijërisë.
 
Një fëmijë i cili ka përvoja të dhimbshme në fazat e hershme të jetës, ose ndihet i huaj mes njerëzve që e rrethojnë, ose shkrihet me ta, duke mos ditur ku shkëputet ai dhe ku fillojnë të tjerët. Kjo është një teori e mbështetur nga qasje të ndryshme. Por modeli yt i suksesshëm në martesë tregon se ke vendosur kufij të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të cilët nuk kanë lejuar që e shkuara jote të sjellë probleme në jetën tënde martesore.
 
Prandaj letrën tënde do të doja ta shihja në këndvështrimin pozitiv, më shumë si një ftesë për të festuar suksesin tënd se sa si një thirrje për të ndëshkuar të shkuarën. Ti je një grua me fat që mbart në vete vlera të tilla, dhe ke kuptuar se pavarësisht skenarëve që të tjerët shkruajnë në jetën tonë sa jemi të vegjël, sërish kemi mundësi t’i vazhdojmë kapitujt në vijim ashtu siç ne dëshirojmë. Shumë veta dorëzohen duke mos besuar se drama e tyre mund të kthehet në komedi. Të tjerë zgjedhin të vazhdojnë të njëjtën frymë pa e ndryshuar atmosferën e dhimbjes që ka nisur. Dhe të tjerë vendosin të transformojnë totalisht historinë duke e mbyllur me fund të lumtur.
 
E dashur G, fundet e lumtura nuk kanë nevojë për ndëshkime dhe as për fajësime, ato thjesht flasin për fitimtarë, dhe ti je e tillë tashmë. Unë mendoj se fitorja shijohet më shumë kur falen “fajtorët”. Ne shpesh priremi ta bllokojmë veten drejt suksesit duke tentuar të bëjmë me faj vendin ku lindim, prindërit, shtetin, qeverinë, mësuesit, shokët, shoqërinë, realitetin e çdo gjë që na rrethon. E kemi më të lehtë kur gjejmë një shkak për t’u shfajësuar, por në rastin tënd unë nuk e shoh të nevojshme pasi ti je një model suksesi. Një grua që i ke mbijetuar dhunës dhe tashmë shijon një marrëdhënie të shëndetshme falë aftësive të tua dhe falë mirësisë e vullnetit tënd.
 
Mendoj se të gjithë ata që e lexojnë këtë letër dhe që ndihen fajtorë për shkak se nuk mundën apo nuk ditën të japin ndihmën e duhur do jenë duke evokuar ndjesi ndëshkimi. Dëshira jote për të dhënë kontribut në ndihmë të grave të dhunuara është një iniciativë për t’u vlerësuar pasi në këtë mënyrë mund të jesh shembull për të gjithë ato gra që ndihen të pashpresa në luftën kundër dhunës. Modele si ti mund të frymëzojnë të gjithë ato që duan të ndryshojnë jetën e tyre. Ti e ke ndryshuar historinë tënde pavarësisht se të tjerët të kanë demoralizuar duke të thënë “Kjo është jeta. Ty të ra në pjesë të dhunoheshe, nuk ke për ta ndryshuar dot fatin tënd”. Ti ke dëshmuar se ne të gjithë mund ta ndryshojmë fatin tonë nëse përpiqemi dhe besojmë tek vetja.
 
Dhe pyetjes tënde se si mund të kontribuosh në këtë kauzë do t’i përgjigjesha. “Vetë shembulli yt është një kontribut që mund t’i shërbejë shumë grave që kanë përjetuar drama të ngjashme”.
 
Përzemërsisht
Mirela

 
Nëse je një grua e dhunuar dhe ngurron të kërkosh ndihmë sepse ndihesh në faj apo të vjen zor nga vetja mund të na e rrëfesh historinë tënde këtu. Nëse ndihesh e frikësuar apo e kërcënuar nuk ka nevojë të tregosh emra dhe detaje, thjesht pyet dhe do të marrësh përgjigje.

Letrat tuaja mund t’i dërgoni direkt në adresën e psikologes Mirela Sula: [email protected]


Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)