Grushta, dhunë ndaj arbitrit, nofull e thyer dhe një i arrestuar. Ky është bilanci i një çmendurie në ligat e ulëta të futbollit në Australi. Ndeshja mes Greenacre Eagles dhe Padstou Hornets u mbyll jo siç duhej dhe për këtë u kujdes futbollisti i pezulluar i "Shqiponjave", Adam Abdullah.
Ish-boksieri u bë protagonist duke ngatërruar sport, teksa dhunoi në mënyrë barbare anësorin e ndeshjes, Khoder Yaghi. “Më theu nofullën”, dëgjohet ndihmës arbitri në një video që u bë shumë shpejt “virale”, teksa shihet i dhunuar dhe me fytyrën dhe bluzën të mbuluar me gjak para se të dërgohej në spital me nofullën e thyer.
Një gjest që i kushtoi shtrenjtë Abdullah, i cili u arrestua nga policia e Bankstown për sulmin dhe lëndimet që i shkaktoi arbitrit, duke iu refuzuar lirimi me kusht (ai do të gjykohet në ditët e ardhshme).