TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka vizituar efektivët e plagosur sot nga protestuesit e Unazës së Re. Në momentin kur Rama ka dalë nga ambientet e spitalit Ushtarak, koret e protestuesve kanë ndërprerë prononcimin e tij me fjalët: ”Turp, turp, turp, qeveri e drogës, qeveri e krimit.”. Rama ka marrë fjalën, por një nga protestuesit ka tentuar ta qëllojë me këpucë. Report Tv ka siguruar momentin kur këpuca fluturon në ajër drejtuar tek Rama.

Këpuca me të cilën u tentua të qëllohej mbi Kryeministrin Rama

Protestuesi është shoqëruar menjëherë nga policia, ndërkohë që gardistët kanë ndërhyrë për të mos lejuar që këpuca të kapte shefin e qeverisë. Rama ka thënë se dhuna e protestuesve është e patolerueshme. Rama tha se ata duhet të tërhiqen.

Besoj se cdo prind dhe ccdo familje e përfytyron nëse vajza 24-vjecare do të kthehej në shtëpi pa gishtat e dorës.  E patolerueshme dhuna e protestuesve ndaj policies. Banorët bëjnë mirë të tërhiqen.

Edi Rama, kryeministër

Por pas këtij incidenti Rama ka reaguar sërish në Twitter, ku shkruan se kjo protestë është antiligjore dhe e opozitës dhe se nuk ka asnjë shans që të sfidojë ligjin.

"I prekur thellësisht nga humbja e gishtave të dorës të Ina Nukut, policja 24 vjeçare e goditur sot në krye të detyrës dhe nga trishtimi i thellë i nënës së saj .Kjo protestë e turpshme e Antiligjit dhe Opozitës që kērkon mish për top,nuk ka asnjē shans të sfidojë ligjin e shtetin!'-shkruan Rama.

Nga burime pranë policisë mësohet se dy nga 4 të shoqëruarit që qëlluan ndaj Ramës janë Flori Protoduari dhe Albert Noku.

Gjatë pesë viteve në krye të qeverisë shqiptare kjo është hera e dytë që kryeministri Edi Rama tentohet të goditet me këpucë. Në 18 dhjetor 2017 në sallën e parlamentit kryetarja e LSI Monika Kryemadhi lëshoi në drejtim të Ramës çizmen që kishte veshur veprim të cilin Rama e përdori më pas në zhargonin e tij politik duke prodhuar batuta dhe humor madje për këtë incident Rama do të deklaronte se: “heqja e këpucëve dhe gjuajtja me këpucë është një gjest madhështor që kërkon t’u tregojë njerëzve se çfarë është kundërshtimi i reformës në drejtësi”.

Ditën e sotme, protestuesit e Unazës së Re kanë zhvilluar një protestë para Kuvendit, ku kanë dhunuar edhe efektivë të policisë. (Lexo këtu) Nga dhuna u lënduan 15 efektivë policie dhe 3 qytetarë. Njëra nga efektivet e lënduara, Ina Nuka ka humbur dy gishtat e dorës si pasojë e hedhjes së kapsollave nga protestuesit.

Ora 16:20
Rama viziton efektivët e plagosur tek Spitali Ushtarak, një nga protestuesit tenton ta qëllojë me këpucë