E gjithë Japonia ka mbajtur një minutë heshtje katër vite pas katastrofës së Fukushimës, në përkujtim të më shumë se 18 mijë viktimave dhe të humburve të tërmetit, tsunamit dhe shpërthimit nuklear që shënjoi historinë e vendit përgjithmonë.

Homazhet në Tokyo u drejtuan nga Perandori i Japonisë Akihito, ku bashkë me përfaqësues të rajoneve të prekura nga katastrofa u mbajt një ceremoni solemne. Kryeministri Shinzo Abe, mbajti një deklaratë ku tha se “rrethanat e të mbijetuarve mbeten ende të vështira, dhe se është e rëndësishmë që të gjithë bashkëkombasit të bashkohen dhe t'u qëndrojnë pranë”.

Pas katër vitesh, ende 230 mijë persona janë pa një shtëpi të përhershme për shkak të katastrofës më të rëndë në botë që prej Chernobilit. Tërmeti shkatërrues i 11 marsit shkaktoi një tsunam masiv që përmbyti gjithë bregdetin Paqësor dhe shkaktoi shpërthimin e fabrikës nukleare të Fukushimës.

Abe theksoi se ka ende shumë punë për të bërë në pastrimin e zonës nga kontaminimi dhe për këtë ai ka premtuar zbatimin e një plani 5 vjeçar për rikontruktimin e vendit.

fuku

Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)