Elona Bregu, punonjëse e një firme pastrimi në Kuçovë, u ngjit të enjten në majë të një vinçi pranë ish-Uzinës, duke kërcënuar se do t’i jepte fund jetës. Ajo pretendonte se ishte pushuar nga puna dhe se prej dy muajsh nuk kishte marrë pagën.

Sipas raportimeve, Bregu dhe dy kolege të saj kishin protestuar ndaj kompanisë për rrogat e papaguara. Pas protestës, ato janë pushuar nga puna.

Në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë dhe policia bashkiake, të cilat zhvilluan negociata me 40-vjeçaren. Pas bisedimeve, ajo zbriti nga vinçi.

Sipas raportimeve, asaj i është premtuar rikthimi në punë.

Rasti u bë publik edhe nga deputeti Lefter Maliqi, i cili akuzoi kompaninë Viola Green për shkelje dhe i bëri thirrje SPAK të hetojë.