Një 38-vjeçar nga Lushnja ka rënë në prangat e policisë në Fier, pasi u kap me 33 doza kokainë të dyshuara gati për shitje. Në kuadër të operacionit të koduar “Penalitetet”, policia arrestoi Enkelian Kolën, i cili fillimisht u ndalua në aksin rrugor “Fiershegan-Krutje” gjatë kontrolleve të Policisë Rrugore.
Sipas uniformave blu, nga testi i alkoolit rezultoi se ai drejtonte automjetin në efektin e alkoolit, ndërsa gjatë verifikimeve u konstatua edhe se mjeti nuk ishte i pajisur me siguracion. Për këto shkelje ai u ndëshkua me 55 mijë lekë gjobë.
Kontrollet e mëtejshme në automjet dhe në banesën e tij çuan në zbulimin e 33 dozave të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, një peshoreje elektronike dhe 4 telefonave celularë. Policia sekuestroi lëndën narkotike, automjetin dhe sendet e tjera të gjetura.
Ndaj 38-vjeçarit kanë nisur procedurat për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
"Shpërndante lëndë narkotike Kokainë, dhe drejtonte automjetin në efektin e alkoolit, lokalizohet dhe vihet në pranga 38-vjeçari. Gjithashtu, ai ndëshkohet me 55 000 lekë gjobë, për shkeljet rrugore të kryera.
Në automjetin dhe në banesën e tij u gjetën 33 doza Kokaine, gati për shitje. Dozat u sekuestruan bashkë me automjetin, 1 peshore elektronike dhe 4 celularë. Gjatë monitorimeve të kryera në të gjithë territorin e qarkut, me objektiv konstatimin e shtetasve që kryejnë manovra të dyshimta dhe të rrezikshme, me mjetet që drejtojnë, nga shërbimet e Policisë Rrugore u ndalua për verifikim, në aksin rrugor "Fiershegan-Krutje", automjeti me drejtues shtetasin E. K., 38 vjeç, banues në Lushnjë.
Nga testi i bërë rezultoi se 38-vjeçari e drejtonte automjetin, në efektin e alkoolit, dhe nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se nuk e kishte pajisur automjetin, me siguracion. Për të dyja shkeljet u ndëshkua me masa administrative, në total 55 000 lekë gjobë. Më tej, iu kryen kontrolle në automjet dhe në banesë, ku iu gjetën në total 33 doza lënde të dyshuar narkotike Kokainë, dhe 1 peshore elektronike.
Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Penalitetet”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. K., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme."
Komente




