ZAGREB - Një incident i paprecedentë ndodhi të shtunën në Kroaci gjatë derbit të madh mes Dinamos së Zagrebit dhe Hajdukut të Splitit, i zhvilluar në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit.

Sipas raportimeve nga mediet kroate, disa anëtarë të tifogrupit mik “Torcida” janë maskuar si punonjës sigurie për të depërtuar në zonat e stadiumit, ku më pas planifikuan dhe realizuan djegien e një baneri historik të tifogrupit të Dinamo Zagrebit, “Bad Blue Boys”. Gjithçka u arrit duke përdorur një pajisje me komandim nga distanca, e cila përcillte elektricitet.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur baneri merr flakë, duke shkaktuar tension të madh në tribunat e stadiumit dhe reagime të ashpra nga tifozët vendas. Pas ngjarjes, Dinamo Zagreb ka reaguar zyrtarisht duke akuzuar kompaninë e sigurimit të stadiumit për dështim serioz në organizim dhe kontroll, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në ambiente të ndaluara.

Ngjarja ka bërë bujë të madhe në opinionin sportiv kroat, ndërsa autoritetet pritet të nisin hetime për të zbuluar përgjegjësit dhe mënyrën se si u realizua incidenti në një nga ndeshjet më të nxehta të futbollit në Ballkan.

Sfida në fushë nuk vlente për titullin kampion, pasi Dinamo Zagreb siguroi trofeun e këtij sezoni dy javë më parë.

Pajisja e përdorur për të vendosur flakën e banerit të Dinamos në Zagreb