E premtja e 24 majit 2024 mund të quhet pa frikë si "e zezë" për trajnerët në Evropë. Pas Milanit dhe Barcelonës që zyrtarizuan shkarkimet e Piolit dhe Xavit, është radha e Manchester United ta bëjë diçka të tillë.

"The Guardian" bën me dije se "Djajtë e Kuq" kanë vendosur që të largojnë nesër holandezin ten Hag, paçka sesi do shkojë finalja e FA Cup kundër Manchester City në Uembley, e cila nis në 16:00.

Forma e dobët e këtij sezoni ka "derdhur kupën" për ten Hag, i cili nuk ia doli ta çonte ekipin në Evropë për sezonin e ri, duke e mbyllur Premier League në vendin e tetë me 60 pikë.

Pronari i ri i United, Sir Jim Ratcliffe ia ka komunikuar vendimin trajnerit dhe zyrtarizimi duket se do vijë pas finales kundër Cityt. Në "pole" për t'u ulur në stolin e United është Thomas Tuchel i cili e mbylli me Bayern Munich.