Seanca e djeshme konstituive e Legjislaturës V të Kuvendit të Republikës së Kosovës shkoi si shkoi. Jo mirë, por ka mundur edhe më keq. Së paku nuk pati konfrontime fizike, grushte e karrige që shiheshin gati të pashmangshme deri një ditë më parë.
Me gjithë skenarët qartazi të parapërgatitur dhe mënyrën e procedimit nga kryesuesja e Kuvendit, deputetja më e moshuar Flora Brovina, që qëlloi të vinte nga PDK-ja, gjërat nuk dolën krejt nga kontrolli.
Së paku jo në variantin më të keq. Pasi PDK-ja njoftoi se çështjen se kujt i takon e drejta për të nominuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, koalicionit të partive në krye me PDK-në apo Koalicionit LDK, AAK, Nisma, do ta çojë në Kushtetuese, vendimin e së cilës shumëkush e parashikon me vërtetësi të madhe, Brovina kreu detyrën dhe arriti ta shpallë të mbyllur mbledhjen, deri në një vendim tjetër.
Grupi Parlamentar LDK, AAK, Nisma nuk u certifikua si Grupi më i madh Parlamentar sepse raporti i Komisionit ad-hoc për verifikim të mandatave i prezantoi LDK-në, AAK-në dhe Nismën si grupe të veçanta edhe pse ndërkohë pahetueshëm kaloi precedenti dhe si grup parlamentar u certifikua G 6-ta që u krijuan aty për aty. Dhe së bashku me bashkëpartiakët kryesuesja Brovina braktisi sallën.
Por prapa nuk u shkoi askush. Asnjëra nga partitë, as ato të minoriteteve në të cilat PDK-ja mund të kishte varur shpresat. Aq më keq, as kori diplomatik që mbeti në sallë bashkë me deputetët tjerë në shumicë për të marrë vendime fuqiplote, për çështje shumë më të mëdha se zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Me gjithë braktisjen e mbledhjes nga PDK-ja rrjedha e mëtejme në aspektin procedural “de jure” s’doli nga kufijtë e legalitetit e legjitimitetit. Dukshëm më dinjitetshëm, kryesuesja e re e Kuvendit, Milka Vuletiq, nga Lista “Srpska” zuri vendin e Florës së PDK-së.
Me asistencën e Sekretarisë së Kuvendit ajo procedoi me pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe Isa Mustafa i LDK-së, kandidat i Bllokut, me lehtësi mori shumicën absolute të votave dhe postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, urime të shumta edhe nga paraardhësi, Jakup Krasniqi, me të cilin, pas pak, kryen edhe formalitetin e pranim-dorëzimit të detyrës duke e bërë të përmbyllur këtë çështje.
Megjithatë, Kosova padyshim me dje ka hyrë në një rrugë me të panjohura, fundin e së cilës askush s’mund ta parashohë me një saktësi të besueshme.
Sidoqoftë, e sigurt është se PDK-ja çështjen do ta çojë aty ku do. Te “Baba”, në Kushtetuese, sepse i ka mekanizmat për ta bërë atë, për të provokuar zgjedhjet e jashtëzakonshme. Dhe padyshim do të marrë interpretimin e favorshëm të neneve konfuze me mundësi leximi edhe ashtu, edhe kështu.
Por çështja është: çka fiton PDK-ja edhe nëse Kushtetuesja davanë e ndan në favor të saj kur, siç u pa dje, as Danushi i partisë së ashkalinjve s’i shkon më prapa? E dhembshme për PDK-në pasi askush nuk dëshiron të bashkëqeverisë me të, por për këtë duhet të mendojë vetë partia që qeverisi vendin në dy mandatet e fundit. Dhe të reflektojë, çka ka ndodhur që të gjithë po ikin nga PDK-ja.
Të vetmen gjë që mund të provokojë vendimi i Kushtetueses janë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por a janë zgjedhjet e reja zgjidhja që i duhet PDK-në? Sigurisht se jo. Përkundrazi, mund të jenë shumë më të dhembshme në krahasim me një humbje të dinjitetshme në Kuvend.
Më në fund, si parti e madhe, parti që thirret në vlerat nacionale, PDK-së i ka hije të shkojë në opozitë me dinjitet. Për të mirën e PDK-së dhe të Kosovës. “Thaçi&Company” në opozitë katër vitet e ardhme do të jetë vërtet interesante. Edhe e shëndetshme. Për vendin që nuk guxon të mbetet peng i askujt, por edhe për partinë e Thaçit