Ka një vit që në Shqipëri po ndodhin ngjarje të rënda. Gazetat e kohës janë të tejmbushura me lajme për këtë vend dhe versione nga më fantastiket kanë zënë vend në kolonat e të përditshmeve...
Vetë Shqipëria, e zhveshur nga agjencitë dhe organet e shtypit, s'ka mundur të japë asnjë version të ngjarjeve dhe çdo korrespondent atëherë kishte dorë të lirë të shkruante ç'të donte në ekspozenë që ai sillte për ngjarjet shqiptare.
Opinioni dhe përshtypja e përgjithshme kanë qenë se shqiptarët muslimanë ishin revoltuar kundër një mbreti të krishterë dhe se kudo në Shqipëri kishte një revoltë që rridhte nga një fanatizëm fetar?! Dhe kështu! Komentet dhe gjuhët e këqija marrin rrugë!
Në fakt revolta kishte shpërthyer në Shqipërinë e Mesme, në rrethinat e Durrësit dhe më saktë në krahinën midis Shijakut, Tiranës. Krujës, Kavajës dhe Peqinit. Nuk bëhej fjalë, pra, aspak për një revoltë të përgjithshme për të gjithë Shqipërinë: ishte një lëvizje lokale në fillim dhe aspak e
diktuar nga ndjenjat e fanatizmit fetar. Motivet e kësaj lëvizjeje u bënë më të shumta dhe më komplekse siç mendohej.
Për të kuptuar origjinën e ngjarjeve në Shqipërinë e Mesme në vitin 1914, duhet shkuar pak më tutje dhe i duhet hedhur një vështrim rrethanave, të cilat udhëhoqën lindjen e vetë të Shqipërisë si shtet i pavarur dhe situatës
të saj të brendshme e të jashtme në fillim të ekzistencës së saj...
Ishte një Shqipëri e pakësuar në 2/3 e territorit të saj dhe akoma duhej patur parasysh humori i keq i grekëve e i serbëve, dhe ai i Fuqivet të Mëdha, të cilat i mbronin ata dhe i inkurajonin. Fakt është që ky humor i keq u shfaq në një mënyrë shumë të përgjaktë: serbët hakmerreshin ndaj 30 fshatrave midis Elbasanit dhe Dibrës dhe grekët e ushtronin tërbimin e tyre në më tepër e 300 fshatra të jugut të Shqipërisë: krahinat... të Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës, Kurveleshit, Përmetit, Skraparit,-Kolonjës, Korçës, Leskovikut, të cilat ishin kthyer në shkretëtirë dhe në pjesë të shkatërruara.
Ndërkohë, princi Wilhem Wied - caktuar nga Fuqitë dhe me marrëveshje të shqiptarëve zbarkon në Durrës i brohoritur nga mbarë popullata dhe pikërisht në momentin e mbërritjes së tij në Shqipëri grekët vënë në shfrytëzim qëllimet e tyre të këqija. Varfëria ishte e tmerrshme mbi të gjithë vendin: më tepër se 100 mijë shqiptarë, pjesa më e madhe fëmijë e gra kishin përfituar nga "të mirat" e bandave grekokreteze e nga oficerët
e ushtrisë së rregullt helenike që i komandonin dhe kishin marrë udhët e mërgimit.
Mijëra refugjatë të tjerë kishin lënë veriun dhe lindjen për t'i shpëtuar tërbimit të serbëve. Sllavët dhe Grekët rivalizonin mes tyre me zell për të luftuar kundër gjithçkaje që i përkiste Shqipërisë dhe shqiptarëvet. Prej këndej rridhte një situatë e brendshme nga më shqetësueset dhe që autoritetet
e Qeverisë kombëtare mezi arrinin ta fashitnin.
Duhet shtuar mungesa e aksesit midis Fuqive të Mëdha, përfaqësuesit e të cilëve formonin Komisionin e famshëm Ndërkombëtar të Kontrollit në Shqipëri: antagonizmi ndërmjet këtyre përfaqësuesve ishte mëse evident dhe rivaliteti i tyre ushtrohej në kurriz të Shqipërisë. Asnjëri prej
tyre nuk kërkonte veçse .....
Këtu ne jemi të detyruar të flasim për një personazh që ka luajtur një rol negativ në Shqipëri: Esat Pasha.
(Mid'hat Frashëri ekspozon marrëveshjet e Esat Pashë Toptanit me qarqet sunduese serbe. malazeze. greke. italiane etj.. që e kishin kthyer atë në instrument të politikës së tyre në Shqipëri. Meqenëse këto M.Frashëri i trajton më gjerësisht në portretin "Cili ka qenë Esat Toptani", të cilin po e botojmë të plotë. Këtu po bëjmë disa shkurtime - shënimi im - U.B).
Dredhitë e Esatit gjetën kredi tek refugjatët që i ishin larguar sllavëve dhe ndaj të cilëve ai imponohej që ata të besonin që serbët ishin të gatshëm t'ia kthenin Esatit që kishte ëndërruar kurorën e princit, krahinat e Dibrës
dhe të Ohrit. Emisarë serbë - madje konsuj dhe konsuj të përgjithshëm - bënin sikur i besonin dhe i ribështesnin këto zhurma. Rivaliteti italiano-austriak i shtohet akoma situatës së brendshme. Austria përpiqej të gjente partizanë dhe miq në radhët e rinisë shqiptare dhe së cilës ajo i premtonte një fat më të mirë për vendin; oficerët holandezë ishin plotësisht me Austrinë, ndërsa Italia që prej kohësh e kishte tërhequr në anën e saj Esatin.
Në këto kushte gjendej Shqipëria kur shpërthyen turbullirat në rrethinat e Durrësit.
Krahina e Shijakut dhe rrethinat e saj janë pikërisht vendi ku influenca e Esatit ishte mjaft e madhe. influencë kjo që qe përpunuar nga emisarët e tij: është pikërisht këtu që këta të fundit kishin bërë propagandë në favor
të zotit të tyre dhe kundër gjithçkaje që mund të pakësonte prestigjin e tij. Është pikërisht këtu që Turqit e Rinj gjatë viteve 1910-12 kishin shpalosur aktivitetin e tyre më të madh dhe hiqeshin përpara syve të fshatarëve sikur dinin të bënin ndarjen e tokave: sepse duhet shënuar që kjo pjesë e Shqipërisë Qendrore - e gjitha e besimit mysliman - është krahina ku toka është pothuaj pronë ekskluzive e fshatarëve. dhe në më të shumtën e rastit pretendimi i familjes Toptani.
(Esat Pashë Toptani me oficerë serbë në Selanik)
(Ku dorëshkrim në frëngjisht është përkthyer nga Rudina Shiroka)
Redaksia Online
Shqiptarja.com