PRISHTINË, 2 Dhjetor /ATSH/.- Mes Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Spitalit të Vushtrrisë dhe Shoqatës "Gjysmëhëna e Kuqe" të Emirateve te Bashkuara Arabe - Zyra në Shqipëri, sot në Prishtinë, u bë nënshkrimi i Kontratës së Dhurimit të Kalimit të Pronësisë së objektit të përfunduar "Impiant i përpunimit dhe sterilizimit të mbetjeve spitalore" nga Donatori respektivisht Dhuruesi i objektit tek përfituesi i Donacionit, respektivisht përfituesi i dhurimit të tij.
Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Ferid Agani, me këtë rast tha se "është për t'u vlerësuar bashkëpunimi dhe realizimi i projektit në kohën e duhur, i cili është vazhdimësi e një projekti madhor për qytetin e Vushtrrisë, bëhet e ditur në njoftimin e dërguar".
"Emiratet e Bashkuara hyjnë në radhën substanciale të vendeve që po ndihmojnë shtetin e Kosovës në fusha të përgjithshme e në veçanti në zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve për profesionistët shëndetësorë gjithherë duke llogaritur që këto përmirësime kontribuojnë në shërbime shëndetësore më të mira për qytetarin e Kosovës", tha ministri Agani.
Hamad Ben Abdennabi, drejtor i Shoqatës "Gjysmëhëna e Kuqe" e Emirateve të Bashkuara Arabe -zyra në Shqipëri, tha se është kënaqësi të bashkëpunosh me njerëz që njëkohësisht të vlerësojnë dhe të falënderojnë për ndihmën e ofruar. "Po ndjehem i lumtur që kemi arritur të përmbyllim fazën e dytë të projektit duke shpresuar që të vazhdojmë në mbështetje edhe në nevojat e tjera të këtij projekti që për EBA ka domethënie të veçanta, pasi Spitali mban edhe emrin e princit të saj", tha Abdennabi.
Faza e dytë e projektit të Spitalit "Sheikh Zayed" në Vushtrri që nënkupton edhe pranim-dorëzimin e Impiantit ka kushtuar 160 mijë euro dhe është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa shumë shpejt pritet që bashkëpunimi mes palëve të vazhdojë me konkretizimin e projektit për ndërtimin e një kompleksi shtesë për nevojat e këtij spitali./b.j/k.s/











