"Edhe publiku shqiptar edhe partnerët tanë ndërkombëtarë janë të interesuar se kur do të plotësohen vakancat në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese që është rrjedhojë e mosplotësimit të Gjykatës së Lartë. Nuk ka asnjë arsye, as ligjore, që ju me moshapjen e të  gjitha vendeve në Gjykatën e Lartë të mbahet peng Shqipëria deri në Bruksel". Ka qenë ky apeli i fortë i kryeparlamentarit Ruçi, 25 qershorin e kaluar, drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor. 

Por çfarë ndodh sot në Këshillin e Lartë Gjyqësor i cili prej muajsh është akomoduar në godinën e polit të drejtësisë? Gara e hapur prej 11 shtator 2019 ende nuk ka prodhuar gjyqtarë për Gjykatën e Lartë edhe pse ka kaluar një vit nga ai moment dhe 5 muaj nga apeli i fortë i kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.

Është ky vendimi, i cili nga data 11 shtator u linte dy javë kohë kandidatëve të interesuar nga radhët e jo gjyqtarëve për të shprehur interesin e tyre për këtë garë, e cila duhej kompletuar brenda 26 shtatorit 2019.

Në këtë garë shfaqën interesin 6 kandidatura për një vend vakant, mes tyre: Jetmira Ragami, Kestrin Katro, Arjana Mallkuçi, Ervin Pupe, Dariel Sina dhe Theodhori Sollaku.

Gjatë fazave verifikuese kandidatja Ragami dhe Amllkuçi dhanë dorëheqjen, Kestrin Katro u skualifikua nga KLGJ për mosplotësim të kushteve për efekt të problemeve me pasurinë, si deklarim të pasaktë dhe mos justifikim ligjor të pasurisë. Nga kjo garë u skualifikua edhe ish kryeprokurori Theodhori Sollaku, ndërsa kandidati Ervin Pupe u tërhoq pasi u emërua gjyqtar i lartë nga një tjetër vakancë.

Gara vazhdoi përgjatë 2020-s ndërmjet Kestrin Katros e Dariel Sinës. Kandidatja Kastro sapo u njoh me vendimin e KLGJ e cila sipas raportit të inspektorit të lartë të deklarimit të pasurisë u la jashtë gare, dhe iu drejtua gjykatës. Kastro vazhdoi betejën në gjykatën e apelit administrativ aty ku kjo gjykatë më 21 shkurt 2020 e la sërish jashtë garës duke e gjetur të drejtë skualifikimim, siç dhe shihni në këtë vendim të formës së prerë.

Për 9 muaj KLGJ thuajse e ngriu këtë garë, për t’iu rikthyer jashtë vëmendjes së publikut dhe medias një vendimi për të kualifikuar si kandidat të vetëm më 13 nëntor 2020 Dariel Sinën, ndërsa nga ana tjetër Kastro ka bërë rekurs në Gjykatën e lartë.

KLGJ ende si ka dhënë një përgjigje as Sinës as publikut se përse gara e nisur prej një viti ende nuk është finalizuar. Juridikisht KLGJ do duhet të priste vendimin e Apelit Administrativ i cili prej shkurtit ka lënë jashtë gare Kastron. Por nga ai moment gjithçka ka mbetur pezull.

E teksa Sina mbetet në pritje të një përgjigje nëse e meriton apo jo të jetë gjyqtar i lartë, publiku dhe mbi 22 mijë dosje po ashtu po presin plotësimin e kësaj gjykate.

Gjykata e lartë përbëhet nga 19 gjyqtarë dhe aktualisht ka vetëm 3 dhe do duhet të plotësohet edhe me 16, e më pas tre prej tyre të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese. ReportTv i ka drejtuar pyetjet KLGJ-s në lidhje me plotësimin e 16 vakancave dhe është në pritje të një përgjigje.