Edi ecën vetë dhe sindroma e Koçit që ja gjejnë nusen të tjerët

Edi ecën vetë dhe sindroma e Koçit që ja gjejnë nusen të tjerët

Ka shumë paralele që mund të hiqen në të shkuarën e dy njerëzve që duelojnë për qeverisjen e ardhshme të shqiptarëve. Ka edhe më shumë veçanti mes të dyve që paracaktojnë shanset e asaj që pritet të ndodhë në 25 prillin e ardhshëm. Shumë më shumë se bilanci katër vjeçar mes qeverisjes që ka bërë secili në pjesën e vet, Rama për qeverinë dhe Basha për opozitën, ata të dy do të kenë një përplasje individuale të llojit: kush je ti dhe kush jam unë! Dhe pikërisht në këtë lojë pasqyrash mes tyre, fshihet një pjesë shumë e madhe e parashikimit për atë që do të ndodhë pak muaj më pas.

Edi Rama ishte fillimisht krijesë e rrethanave të pazakonta që afroi rrëzimi i një sistemi, e ambientit ku ka qëndruar dhe raportit vetjak me median. Ai ka pasur si pakkush aftësinë për të qenë vartësi i dobishëm në fillim dhe për t’u ngjitur tek epërsia e eprorit të padiskutuar në vijim.

Por kryesisht ai është krijesë e vetvetes. Nga humnera e thellë e halleve të zakonshme të një emigranti, në kulmin e përbuzjes evropiane ndaj pasaportës shqiptare dhe i përndjekur nga pushteti i vendit të tij, ishte njerëzore që Rama të konsideronte fat çdo milimetër ngjitjeje mbi humnerën e viteve 90-të. Dhe meqë fati zakonisht zgjedh më të fortët, të fortët e kohës politike investuan besim tek Edi Rama.

E kanë bërë me të të gjithë gazetarët kryesorë të vendit të asaj e kësaj kohe, me shumicën e të cilëve ai ndante të njëjtin pasion për rrëzimin e Berishës dhe talljen me komunizmin. Dhe pastaj me rradhë, të gjithë politikanët e rëndësishëm të të majtës e kanë parë atë si jeniçerin që do të luftonte në flamurin e interesit të tyre.

Duke nisur që me Fatos Nanon dhe Ilir Metën dhe pa përjashtuar madje as Pandi Majkon dhe Rexhep Meidanin. Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Ben Blushi e deri edhe Kaç Islami, i kanë dhënë gur mbas guri mundësinë piktorit polemist që të ndërtonte themelin e pushtetit të tij të sotëm.

Aleancat e tij fluide, njëherë me njërin kundër tjetrit, me miq që shndërroheshin në armiq dhe anasjelltas, kanë pasur një rezultante të vetme: interesin e tij të pandryshueshëm për të marrë portofolin e një partie, që herët a vona, e bën liderin e saj kryeministër.

Me Fatosin kundër të gjithëve, pastaj me Ilirin dhe gjithë të tjerët kundër Fatosit, Edi Rama fitonte edhe atëherë kur humbiste aleati që ai e ndihte në luftë. I dëshmuar si politikani më pragmatist në Tiranë, në borxh me të gjithë deri në pranverën e largët tashmë të 2017-ës, tani i ka lënë ai të gjithë socialistët në borxh ndaj vetes sepse fitoi i vetëm kundër të gjithëve. Ai mundi armiqtë e bashkuar që e donin të rrëzuar dhe mposhti edhe miqtë e shumtë që nuk donin më të ishin nën këmbët e tij.

Në këtë prag fushate, me paralajmërimin që i dha partisë së tij në asamblenë e fundit socialiste, ai u rreshtua sërish në fushë i vetëm dhe i vetëm kundër të gjithëve. Mes vështrimeve pothuaj anonimë të shumicës së njerëzve që tashmë dinë të qeshin përpara se ai të bëjë humor, ai ju tha se nëse fiton në zgjedhje, triumfi do të jetë vetjak dhe nëse ndodh ndryshe, humbja nuk mund të jetë e tij.

Në krahun tjetër qëndron Lulzim Basha. Në tentativën e dytë për të qenë kryeministër i vendit ai shkon me tre beteja epike të humbura njëra më thellë se tjetra. Shpreson se përplasja e katërt me Ramën do t’i japë vendin e punës me të lakmuar në Tiranë si kryeministër, qoftë edhe sepse deri më tani nuk ka pasur një kryeministër tre herë rresht.

Basha erdhi nga askundi në Tiranë. Përpara janarit të 2005-ës atë nuk e njihte askush as brenda dhe as jashtë unazës së vogël të Tiranës. Nuk e kapte as google. I ikur për fatin e tij të mirë nga Shqipëria në adoleshencë për studime, ai pati fatin e keq që komunizmin ta njihte me të rrëfyer dhe të mos kishte njohje apo miqësi personale me askënd nga aktorët me zë publik në kryeqytet.

Në një vend si Shqipëria, këto lloj njohjesh janë kusht me rëndësi të jashtëzakonshme për karrierën, por jo në rastin e tij. Garancia personale dhe kredencialet e afruara prej njërës nga gratë më të rëndësishme të Tiranës së asaj kohe, rezultuan megjithatë kartat fituese të tij.

E mençur si pakkush dhe cinike si gjithëkush që mendon se meriton gjithmonë më shumë sesa ka, Argita Berisha firmosi pasaportizimin e parë të Bashës në politikë. Dobësia njerëzore e babait të fuqishëm që priste të bëhej kryeministër nuk gaboi në shenjimin e emrit të Lulzim Bashës si njeriu i të nesërmes në PD.

Më pas, disa dalje në Opinion me portret të qeshur përballë teritalit të demode socialist të kohës, rrjedhshmëria në të folur pavarësisht asaj që thoshte dhe madje edhe një fushatë interesante e normale që e nxorri deputet në Tiranë, e distancoi atë nga të tjerët.

Prania e tij në qeveri u quajt normale dhe e merituar. Sprova e tij e parë në krye të ministrisë së ndërtimit, ku konsiderohet gjerësisht si kazma që i hapi vendit një humnerë financiare me kontratën e Rrugës së Kombit, e më pas ministria e brendshme në të cilën ai bashkëndau deri përgjegjësinë penale për vrasjet politikë të janarit 2011 me Sali Berishën, e lidhi fort me kryeministrin e gjithëpushtetshëm Sali Berisha. Gjithashtu ai futi në dollapin vetjak edhe pajën me fishek që i dha kryeministri në manipulimin elektoral për bashkinë e Tiranës; atë fishek paje që ai do ta përdorte për të lidhur mbas vetes interesat e shumë njerëzve të rëndësishëm në Tiranë.

Deri këtu, sa më shumë ndryshojnë Rama me Bashën me njëri-tjetrin, në thelb karriera e të dyve ngjan. Nga posti ekzekutiv në ministri, tek bashkia e Tiranës dhe kapërcimi në parti. Pikërisht këtu fillon edhe diferenca dramatike mes tyre: i pari morri atë që ja kishin refuzuar njëherë, i dyti u zgjodh të marrë partinë.

Berisha i dha fitoren në garën partiake Bashës në garë me të ndjerin Sokol Olldashi. Vetë Olldashi besonte kështu dhe askush tjetër nuk e vuri në dyshim që Berisha e kishte bërë zgjedhjen e tij shumë kohë përpara se t’i betohej ish-ministrit të tij të brendshëm se ishte indiferent për fituesin e garës partiake.

Ndryshe nga Fatos Nano që ishte betuar shumë herë se do t’i priste Ramës edhe duart bashkë me thonjtë, Sali Berisha ka qenë mblesi i padiskutueshëm i karrierës brilante të Lulzim Bashës. Ai e ka zgjedhur kur të tjerët e refuzonin, e ka ngritur kur të tjerët kërkonin ta rrëzonin, e ka shtyrë të ecë përpara kur të tjerët donin ta pengonin, i ka dhënë garanci për të qëndruar, kur të tjerët i kërkonin të ikte. Edi Rama është në fund të fundit krijesë e ambicjes së tij vetjake. Lulzim Basha është krijesë e Sali Berishës. Ky është fakti dhe fati që e detyron Lulzim Bashën të sillet si Koçi i teto Sofkës, që pret Berishën dhe tani edhe Ilir Metën, që ta martojnë me fatin e shqiptarëve. Vetë Basha di të bëjë shumë më shumë dhe shumë më mirë sesa rolin e Koçit. Problemi i tij është që mblesët kanë vendosur ndryshe.

Në 25 prill shqiptarët do të zgjedhin mes të dyve. Mes politikanit atipik dhe modelit të katalogut. Mes djalit të keq në dukje dhe djalit të mbarë në sipërfaqe. Mes atij që e dinë mirë se çfarë është dhe atij që di mirë se çfarë do. Mes kamarierit që shërben fiks atë që do klienti dhe klientit të dy mblesëve të tij. Deri në prill, horoskopët mund të përmbysen shumë herë dhe parashikimi më i mirë është të mos bëhen parashikime. Sepse e vetmja gjë e sigurt deri në zgjedhje, është që shqiptarët, siç thotë mallkimi i vjetër kinez, do të jetojnë sërish në kohë interesante!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Yyy: 18/10/2020 08:15

    A mund ta pysni lencin ku humbi te blendi se mbas 5 min nk e pash mo?

    Përgjigju
  • BBC: 16/10/2020 00:39

    Futja kot, kritike konstruktive per nje palaço eunuk qesharak si Basha, i cili diten kenaqte epshet financiare te gaforres Argite, naten kthehet ne dylberin e vogel politik te oktapodit Sali. Basha eshte nje kukull qesharake, nje leter higjenike e familjes - kaq banal ishte dhe mbetet koncepti i trashegimise politike te nje fshatari ordiner si Berisha teksa u vet-klonua.

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 14/10/2020 16:59

    Sa te paguan Meta mo zoti Vangjeli? Po kryetari rilindjes sa e vendos shumen ne borderon tende te zeze aktualisht? Duke pire qumesht nga dy sisat Meta-Rama ruaju se do te te zere FLAMA......

    Përgjigju
    • UKU MOMLIT: 15/10/2020 14:57

      Ti momli dhe taulanti mos beni pis veten se nuk i sherbeni hijshem vanjelit jo se jo,po as KLANSEKTIT PS,PD,LSI, RAMERILINDJES,LULUSHBIBILUSHIT DHE LIKEMONABAXHELLKES. Sidomos vanjelit kur e merrni ne mbrojtje apo beni tifo ja ulni fort vlerat. Me ra rruga nga ju simpatazante te ketij KLANSEKTI dhe ju pershendeta shqiptarisht.

    • momli: 15/10/2020 12:09

      Ja dhe nje tjeter shkencetar. Albanez K*** ! direkt personale. se ca lidhje ka rroga e vangjelit me analizen politike aktuale, vetem ky nga momli e di. Or milet i prape, hiqni dore nga klasifikimet/baltosjet/shpifjet/rrenat ndaj tjetrit. do beje me mire te mos e lexoje nqs ke mendim qe V ben shkrime te njeanshme per x arsye. MOS E LEXO, MOS E AKUZO, KULLOT NE MOMEL i qete dhe leri keto pune se jane per te rritur. je akoma 5 vjec. nuk duhet te perdoresh internet. te fala nga Vithkuqi.

    • Taulant: 15/10/2020 07:23

      Para se te akuzosh tjetrin sill argumentat pse nuk je dakord me artikullin. Per mua pershkrimi eshte shume i sakte dhe realist, eshte thjesht historia personale e dy kryetareve te partive kryesore qe luftojne per karrigen e kryeministrit. CV-ja e Bashes ka edhe skandale te tjera, por Vangjeli i ka pershkruar thate edhe ato pak krime qe ia ka permendur.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura

Itali/ ‘Skifter’ dhe shpërndarës droge, në pranga 39-vjeçari shqiptar! I gjenden armë, kokainë, hashash, valutë, pajisje dhe materiale të vjedhura