Edi Rama, fitorja e tretë për mandatin e parë

Edi Rama, fitorja e tretë për mandatin e parë

Kryeministri Edi Rama

Zgjedhjet e përgjithshme për në Kuvendin e Shqipërisë që do të mbahen më 25 prill nuk kanë ndonjë befasi, sepse zhvillohen si një garë mes dy grupimesh politike të mëdha : PS-së nga njëra anë dhe PD-së dhe aletatëve të saj bashkë me LSI-në, nga ana tjetër. E reja e këtyre zgjedhjeve, në ndryshim nga ato të legjislaturës së kaluar, është  organizimi i të përjashtuarëve nga Lulëzim Basha dhe dalja me parti më vetë e Jozefina Topallit, Astrit Patozit, Rudina Hajdarit dhe Myslim Murrizit. Ndërsa « Nisma Thurja » të kujton më shumë « Aleancën Kuqezi » të Kreshnik Spahiut por me një frymëzim tjetër.

Shqiptarët po thirren të votojnë këtë herë duke pasur përballë tyre të njëjtët aktorë politikë, të njëjtat programe, të njëjtën retorikë dhe të njëjtin qëndrim ndaj njëri-tjetrit. I vetmi ndryshim  këtë herë është pjesëmarrja e Ilir Metës në zgjedhje jo më si president i zgjedhur, por i pa betuar siç bëri në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, por si president i stërbetuar që do ta shkatërrojë Edi Ramën qoftë edhe me pushkët e trimave shqiptarë, pasardhës të Vojo Kushit e të heronjve të Vlorës.

Nëse e vështron me qetësi teatrin ku po luhet drama e zgjedhjeve të 25 prillit, do të shohësh se aktorët që janë në garë për t’i fituar ato, recitojnë të njëjtin tekst që kanë recituar që prej zgjedhjeve të kaluara. Një pjesë e atyre që mbështesin Lulëzim Bashën dhe që në shumicën e rasteve janë komentatorë politikë dhe të tjerë personazhe të zemëruar deri në urrjetje me Edi Ramën, thonë se Lulëzim Basha ka ndryshuar. Vetë Basha, në sytë e opinionit dhe në mënyrë sistematike, ka shpallur se nuk ka ndryshuar. Po të lexosh librin e tij që ai e ka quajtur « Misioni im » do të vëresh tri gjëra. E para, modifikimin e biografisë, e dyta atë që gjithë aksionin e tij për  dalë nga Parlamenti, për të mos marrë pjesë në zgjedhje ai e quan rilindje të opozitarizmit. Nëse kjo është rilindje e opozitarizmit, kjo gjë, të paktën deri tani, nuk është vërtetuar sepse një qëndrim i tillë institucionalizon injorimin e demokracisë institucionale dhe legjitmimin e opozitës obstruksioniste. Dhe e treta, siç e shpall edhe ai në libër, Sali Berisha është frymëzimi i tij, babai i tij shpirtëror dhe ai po çon përpara kauzën e tij.

Ndërsa për ta shpalosur këtë platformë, ai ka zgjedhur modelin e fushatave të PD-së në vitet e para kur PD-ja ishte një forcë e re politike që sintetitozonte triumfin mbi sistemin e egër diktatorial dhe fushatat e saj mbështeteshin në komunikimin me të gjithë përmes mitingjeve triumfaliste. PD-ja pritej si çlirimtare dhe si projektim i triumfit të lirisë mbi diktaturën. Kjo frymë populiste funksionoi në vitet e para ose më saktë deri në vitin 1992.

Ajo që ndodhi në Shqipëri në vitin 1997, veç të tjerash, ishte edhe një hakmarrje e egër ndaj shfaqjeve triumfaliste të PD-së që i shkaktoi popullit shqiptar një nga tragjeditë më të mëdha të shekullit XX siç ishte kriza e rëndë e piramidave. Edhe pas kësaj periudhe, PD-ja u ringrit dhe nuk hoqi dorë nga forma populiste e triumfalizmit me shfaqjen e forcës dhe të entuziazmit që të ksihte si model ekstazën që prodhon një ekip sportiv kur ai triumfon në një aktivitet të rëndëshishëm. Turmat që shoqëronin e prisnin PD-në me flamuj e me makina ishin një spektakël që më shumë aktualizonte entuziazmin dhe triumfin e simpatizantëve të saj për një forcë politike që ata e shihnin jo si mundësi për të qeverisur, por si një forcë që kishte mundur kundërshtarin. Edhe retorika që u përpunua në këto tubime elektorale ishte ajo e luftës dhe e shkatërrimit të kundërshtarit. Këtu niste dhe mbaronte ligjërimi më komunistët dhe me kriminelët dhe mbyllej me Europën dhe misionarët që do ta çonin këtë vend në një botë tjetër. Për fat të keq, të gjitha herët që PD vinte në pushtet plaste ndonjë skandal me përmasa vdjekjeprurësë. Njëherë ishte viti 1997, pastaj viti 2011 me Gërdecin dhe katër të vrarë në Bulevard.

Lulëzim Basha jo vetëm që nuk është distancuar nga kjo traditë, por po bën të njëjtën gjë. Po imiton modelin e vjetëruar të fushatave të PD-së me makina e me mitingje dhe këtë radhë reciton një tekst që për shqiptarët është pa asnjë vlerë. Ligjërimet abstrakte mbështeten te gjuha e drunjtë e cila artikulon premtime që nuk realizohen kurrë. Komunistët, kur erdhën në pushtet, në të gjitha rastet, u kërkonin shqiptarëve që ta donin Partinë dhe t’i besonin asaj sepse ajo do t’i çonte në një shoqëri pa klasa, të drejtë dhe të pasur. Lulëzim Basha ka zgjedhur si kryetemë për fushatën e tij Europën. Ai ka marrë përsipër të na çojë në këtë kontinent, pra, në një botë që, sipas tij, është e mbushur më të mira ashtu si në përrallat çudibërëse. Përralla me Europën jo vetëm që nuk bind njeri, por tani, pas tridhjetë vjetësh, shqiptarët janë bindur se hyrja në BE nuk varet prej nesh, por prej BE-së dhe entuziazmi për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje nuk është ai i vitit 1992, kur të gjithë besonim se sapo të hynim në Europë as nuk do punonim, as nuk do qanim por vetëm do qeshnim e do mbushnim xhepat me para.

Në anën tjetër, Edi Rama është po ai që ka fituar zgjedhjet me meritë dhe këtë radhë ka një avantazh edhe më të madh. E para, ky nuk është mandati i tretë i tij, por do të jetë fitorja e tretë përballë PD-së dhe aleatëve të saj duke mundur njëherë Berishën dhe dy herë Bashën, por, si kryeministër, në pikëpamje metaforike, është mandati i parë. Në fitoren e parë kundër Sali Berishës, ai qeverisi me Ilir Metën, në mandatin e dytë u përball dhe mundi dy fatkeqësi të mëdha : tërmetin dhe pandeminë. Këtë radhë, kjo fitore e tij në 25 prill, në një farë mënyrë, është mandati i tij i parë, kur ai do të realizojë projektet për të cilat flet dhe të cilat i rrëfen. Edi Rama futi një stil të ri në komunikimin publik dhe në fushata elektorale. Këtë radhë ai ka zgjedhur si dekor veprat dhe kantieret që ka hapur qeveria e tij dhe, nga ana tjetër, vendet publike ku kryhet vaksinimi.

Fushatat elektorale jo vetëm këtu te ne, por edhe në vendet e tjera, gjithnjë e më shumë u ngjajnë reality show-ve në të cilët performojnë aktorët kryesorë përballë publikut, që, në fund, do të vendosë se cili prej tyre e fiton këtë garë. Edi Rama po u paraqitet shqiptarëve si kryeministri që kërkon një mandat tjetër për të vazhduar projektet që ai tregon. Nga ana tjetër, me skenat në të cilat ai shfaqet, u tregon shqiptarëve se ai përfaqëson tendencën për rregull dhe për respektim të pandemisë. Gjithnjë me maskë dhe me të ftuar që vendosen në distancën e kërkuar nga institucionet që monitorojnë pandeminë. Lulëzim Basha shfaqet ndryshe. Ai ka zgjedhur modelin e djalit që nuk pyet për rregulla dhe që ironizon ata që i kanë vendosur ato. Mbështetësit e tij, kur dalin ta presin atë, nuk mbajnë maskë dhe as distancë. Ai u shfaqet shqiptarëve si misionari që kërkon t’i çojë në Europë por jo me rregullin që kërkon ajo, por si revoluacionar që sfidon shtetin e tij në emër të Europës. Nëse Edi Rama është rregulli, Lulëzim Basha përfaqëson kaosin.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin