Sokol Balla: Çfarë keni për të thënë pas tiradave të kritikave dhe akuzave që ju erdhën nga kryetari maxhorancës Berisha në sallën e kuvendi pas seancës së votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit dhe mesazheve që erdhën nga Ilir Meta?
Edi Rama: Besoj që cilësimi juaj është i mjaftueshëm. Ishin vërtet tirada dhe akuza që nuk kanë të bëjnë asgjëkund me procesin që ne duam të ndërtojmë. Nuk kanë të bëjnë asgjëkund me frymën që i duhet një procesi të tillë, nuk kanë të bëjnë asgjëkund me vullnetin për të komunikuar seriozisht me opozitën. Nuk kanë të bëjnë asgjëkund, në fund të fundit, as me ndonjë dëshirë për të realizuar konsensus. Është e qartë, por megjithatë ne vazhdojmë të këmbëngulim se jo për hir të kryeministrit dhe të qeverisë, as për hir të opozitës, por për hir të interesave të vendit dhe për domosdoshmërinë që Shqipëria ta japë provën e cila i kërkohet; Duhet proces, duhet dialog, duhet konsensus.
Ka patur kritika se në fakt 4 kërkesat, apo 4 kushtet siç i cilësoi z.Patozi në ditët e fundit, që ju keni vënë, në fakt janë në njëfarë mënyre një lloj skeme për të fshehur qëndrimin tuaj refraktar ndaj procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Pra, në njëfarë mënyre duke kushtëzuar një proces kushtetues me kërkesa të tjera, që sigurisht janë të kërkuara nga ndërkombëtarët, por vijnë në kohën do thoja unë, të padukur, ose jo unë, po thonë kritikët tuaj.
Besoj, që nga njëra anë kjo tregon se as kryeministri, as zëdhënësi i tij në krye të grupit parlamentar, nuk janë në realitetin ku jetojmë, janë jashtë realitetit. Realiteti ku jetojmë është realiteti i një marrëdhënieje jashtëzakonisht delikate dhe të komplikuar me BE-në për të mundur të realizojmë ato 4 detyrime që nuk janë shpikur nga opozita, nuk janë ultimatume, nuk janë as parakushte për të dialoguar, por janë substanca e asaj çka kërkon prej muajsh komuniteti ndërkombëtar dhe BE. Mjafton të merrni dhe të lexoni adresimin e Komisionerit të Zgjerimit në parlamentin shqiptar dhe ato gjenden aty. Mjafton të merrni dhe të lexoni raportin e DASH dhe ato gjenden ato. Mjafton të merrni dhe të shikoni të gjitha deklarimet e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë në arkivën tuaj dhe ato gjenden ato. Thënë kjo, dëshiroj ta nënvizoj se e gjithë përpjekja për t'i paraqitur këto si kushte të cilat synojnë të pengojnë procesin e dialogut për zgjedhjen e Presidentit, e gjithë përpjekja për ta paraqitur këtë si një paketë bllokuese, është e shëmtuar dhe tërësisht e bazuar mbi nevojën që ka kryeministri dhe shumica për t'ju shmangur dialogut dhe për t'ju shmangur çdo komunikimi që prodhon konsensus. Ne e kemi çuar një propozim në tryezë. Pala tjetër ka të drejtën të thotë, me propozimin tuaj ne biem dakord në parim me këto pika, por jemi për këtë axhendë të kësaj tryeze. Por, këtu s'ka tryezë, këtu s'ka proces. Këtu ka vetëm një komunikim që zhvillohet përmes konferencave të shtypit, që zhvillohet përmes retorikave në tribunën e Kuvendit, që zhvillohet përmes mediave dhe jo drejtpërdrejtë me të gjitha palët.
Pse këmbëngulni ta takoni ka shumë personalisht z.Berisha?
Unë nuk këmbëngul fare të takoj kaq shumë personalisht kryeministrin dhe habitem me pyetjen tuaj. Është shumë e thjeshtë. Dialogu kërkon ndërveprim dhe kërkon komunikim mes palëve. Në rast se kryeministri takon të gjithë kryetarët e partive, madje takon edhe kryetarin e partisë aleate me ne në opozitë, për çfarë i takon?! I takon për të pirë kafe? Në qoftë se ata i takon për të pirë kafe dhe për këtë arsye nuk më takon mua s'ka asnjë problem. Unë besoj që arsyeja pse kryeministri i shmanget takimit në një tryezë të të gjithë kryetarëve të partive është sepse ai e ka jashtëzakonisht të vështirë që të përballet me argumente në tavolinë për të ndërtuar një proces. E po ashtu, e ka shumë të vështirë pastaj të iki nga një tavolinë ku do të ulet për procesin. Kryeministri sot ishte fare i qartë, dëshiron vetëm të tërheqë zvarrë parlamentin, të humbasë kohën e këtyre raundeve të para me alibinë se po ofron konsensus për të ardhur përsëri në pikënisjen e tij dhe për të realizuar zgjedhjen e një Presidenti i cili është noteri i tij partiak.
Z. Berisha në fjalën e tij pavarësisht cinizmit dhe sarkazmës personale ndaj jush në fakt u duk sikur foli për 3 nga pika për të cilat ju keni folur në kërkesat tuaja, kur keni folur për reformën, për çështjen e imuniteteve, Reformën Parlamentare dhe KQZ-në, kur ai bëri le të themi një lëshim apo propozim konkret në sallën e Kuvendit...
Por, nuk ka absolutisht asnjë lidhje ajo çka ne kërkojmë me atë çka kryeministri dhe qeveria po mundohet të krijojë në perceptimin publik. Ne kemi bërë një propozim të qartë me 4 pika. Ne besojmë se janë çështje që mund të zgjidhen brenda ditës ato tre të parat.
Pse s'e ndani në dy tryeza, një për presidentin dhe një për 3 çështjet e tjera, që të gjeni pika të përbashkëta?
Sepse kësaj i thonë hedh një budalla një gur në lumë dhe pastaj 100 të mençur nuk e nxjerrin dot. Ju lutem mos kërkoni gurin në lumë. Ajo çka është e qartë është që ne, dhe po e përsëris prapë edhe brenda këtij komunikimi, nuk kemi kushtëzuar axhendën sesi mund të ndahen këto pika, sesi mund të ndërtohet një kalendar për t'i trajtuar këto pika, sesi mund të zgjidhen këto pika brenda harkut të këtij sesioni parlamentar. Shqipëria nuk mund ta rriskojë statusin e kandidatit për marrëzinë e Sali Berishës. Kjo është fare e qartë dhe e thjeshtë. Është marrëzi të konsumosh kohë dhe të djegësh raunde pas raundesh me këtë retorikë e cila nuk çon asgjëkund. Ajo çka ne kemi nevojë është që të bëjmë atë që bën e gjithë bota e qytetëruar, që bëjnë të gjithë palët në çdo parlament të Europës ku duam të bashkohemi, kur është fjala për të bërë zgjidhje si këto që janë shtruar në tavolinën të cilën Sali Berisha i ikën si djalli temjanit.
Pra e keni një propozim konkret apo thjesht do e lini atë të diskutohet në konferencën e kryetarëve. Do ketë një kundërpropozim konkret nga ana juaj për daljen nga kjo spirale apo...
Ne e kemi bërë propozimin tonë. Në tryezë të gjitha palët duhet të ulen dhe secila palë duhet të shprehë pikëpamjen e vet. Ne nuk themi që ja ku i keni katër pikat, o merrini të tëra menjëherë kështu siç themi ne, madje ne nuk themi as që merrini të tëra menjëherë. Ne themi ulemi dhe gjejmë fillin e arsyes për të bashkëpunuar në rast se duam t'i japim vendit një President konsensual, në rast se duam t'i japim vendit reformat pa të cilat nuk na ndihmon dot Familja Europiane ku duam të hymë. 'Na ndihmoni t'ju ndihmojmë' është fraza e përsëritur prej tyre me muaj të tërë. është fjalia që dëgjova edhe dje nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. E atëherë kush është ndihma që kërkon prej nesh që ata të ndihmojnë Shqipërinë. Ndihma që kërkon prej nesh është që ne të mos fusim kokën si struci në rërë për t'u fshehur. T'i adresojmë këto probleme dhe t'i zgjidhim këto probleme. Janë të gjitha të zgjidhshme, por nuk ka vullnet politik për t'i zgjidhur sepse kryeministri kërkon të mbajë peng Reformën Zgjedhore, pasi nuk mund të qëndrojë në atë karrige në qoftë se nuk garanton atë sistem të korruptuar dhe të korruptueshëm përmes së cilit vjedh zgjedhjet. Kryeministri nuk është i gatshëm që të zgjidhë problemin e Reformës Parlamentare, sepse nuk mund t'i lejojë deputetët e tij që të kenë lirinë për të votuar në mënyrë të fshehtë. Kryeministri nuk është i gatshëm as të zgjedhë një President konsensual për arsye tashmë të njohura publikisht. Në rast se ai do të jetë i gatshëm nuk ka asnjë arsye që ne në raundin e dytë të mos e zgjedhim Presidentin dhe që brenda sesionit të mos i zgjidhim të gjitha nyjet që kanë mbetur në procesin e reformave.
Mund të jetë Zaganjori sërish një kandidat apo jo, të cilin mund ta merrni në konsideratë nëse realizohen këto që thoni ju?
Ne nuk kemi çfarë të marrim në konsideratë në një situatë kur ka një proces unilaterial, krejtësisht të njëanshëm, në përpjekjen për të krijuar idenë se këtu ka një hapje, por në fakt duke qëndruar mbyllur brenda gjysmës së parlamentit dhe duke akuzuar dhe duke u ankuar për gjysmën tjetër. Gjysma tjetër e parlamentit është jashtë procesit. Në rast se nuk ka proces ne nuk kemi asnjë arsye që të hyjmë as në emra dhe as në historira këmbimesh të emrave si të ishin robërit që ja dorëzojmë palëve në shkëmbim.
Mustafa Nano: Kam një kërshëri gazetareske. Cili është takimi më i rëndësishëm i karrierës tuaj politike dhe çfarë ju kanë thënë për Jozefinën?
Mustafai, që më pyet, e njeh mirë këtë teknologji të transformimit të komunikimit politik në një thashethemnajë dhe të shpërdorimit të të gjithë informacioneve dhe fakteve duke deformuar përmbajtjen e tyre për të vazhduar dhe për t'i hedhur hi syve. E përsëris edhe për ty Mustafa një budalla hedh një gur në lumë, por ju lutem shumë mos u bëni si ata 100 të mençurit që zhyten për ta gjetur sepse atë gur e ka marrë lumi njësoj siç merr lumi kaq shumë mundësira dhe kaq shumë kohë në këtë vend për shkak të budallallëkut.
Më duket se Berisha i është referuar takimit me z.Lammert, që ju keni patur në Bundestagun gjerman?
E po atëherë, në qoftë se do t'i qëndrojmë kësaj sepse po e pyesni ju unë po përgjigjem që në takimin me Presidentin e Bundestagut gjerman është përsëri shprehja 'na ndihmoni t'ju ndihmojmë'. Zgjidhni problemin e Presidentit me konsensus, zgjidhni problemin e Reformës Zgjedhore dhe na garantoni që kur të merrni statusin e kandidatit të mos jeni një vend në pragun e Familjes Europiane që përsëri do turpëroni veten dhe do vini në pozitë të vështirë Europën me zgjedhje si ato që janë bërë deri tani. Zgjidhni problemet, na ndihmoni t'ju ndihmojmë. Pra, kjo ka qenë në përmbajtje, pavarësisht se nuk po e them "adliteram" çka u tha. Ndërkohë që nuk është folur asnjë sekondë dhe për asnjë arsye për kryetaren e Kuvendit.