Edi Rama, me Erdoganin si praktikë dhe me Ataturkun si projekt

Edi Rama, me Erdoganin si praktikë dhe me Ataturkun si projekt

Rama dhe Erdogan

Edhe pse vendi do të qeveriset nga Edi Rama, fituesi i këtyre zgjedhjeve është opozita. Socialistët mbeten në të njëjtin nivel votash nga viti 2017, kurse demokratët dhe LSI patën një rritje të pabesueshme nga zeroja absolute e 2019-ës në 63 mandate realë në 2021-shin. Në ngutin e pabesueshëm dhe padurimin tipik ballkanas që ka Shqipëria për garën e zgjedhjeve, të gjithë i kanë sytë vetëm tek ai që do të qeverisë. Me emrin dhe humorin e kryeministrit lidhen pothuaj të gjithë fatet individuale të qytetarëve shqiptarë, të atyre që votojnë, të atyre që refuzojnë të venë në kutinë e votimit, të atyre që e duan apo e urrejnë dhe madje, edhe të atyre që nuk kanë mbushur moshën ligjore për të ushtruar të drejtën e votës.

Kjo është arsyeja se pse pothuaj askush nuk shënjon se vota zgjedh edhe një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, opozitën. Në shtator, në parlamentin e ri, mbas dy vjet e gjysëm mungese, Shqipëria do të ketë opozitën reale dhe morale të saj. Ajo do të zëvendësojë atë amalgamë qesharake që rrodhi nga shkallët e fundit të listës së kryetarëve dhe akti i tyre banal politik i dezertimit politik me djegie mandatesh në 2019-ën. Kush kupton këtë të vërtetë të thjeshtë ka një shans më shumë për të kuptuar se pse humbësit e çertifikuar me shifra, në fakt janë fituesit realë në zgjedhje. Sic është fitues edhe vetë sistemi që po kthehet në normalitetin formal të një demokracie ende hibride.

Opozita u çlirua nga marrëzia e saj që e ndëshkoi egërsisht dhe e goditi me prapaveprim në kutinë e votimit. Këtë të vërtetë ka kuptuar më mirë se kushdo tjetër Edi Rama. Kryeministri atipik i vendit është i vetmi që ka kuptuar relativitetin e suksesit dhe dështimit në këto zgjedhje që edhe njëherë si përherë pati të vetmin rezultat që ju jepet shqiptarë: fituesi i merr të gjitha, humbësi ankohet se u vodh. Ky është edhe një nga çelësat kryesorë që do të shërbenin për të hapur kasafortën hermetike të propozimit të tij për paqe me PD-në. Aty ku shumica dërmuese i bie daulles së festës, ai po tenton të shohë këmbanat që kanë dëshmuar mallkimin tipik ballkanas: dy shqiptarë, tre mendje, tre parti, një sherr pafund. Koherent me projektin e tij të vjetër të bipartitizmit reformator, që e ka nisur së paku që në 2007-ën, kur i propozonte fshehtas Berishës së dikurshëm në pushtet “koalicion për reforma të mëdha”, sot me gurin në dorë, i afron arrën e pushtetit opozitës fituese në zgjedhje.

Kush mendon se bëhet fjalë për një aritmetikë të thjeshtë, sa ministra PS-ja e sa drejtorë PD-ja, kush gjykon se Rama është i lodhur dhe do të qeverisë pa opozitë apo kush mendon se është një akt që shkon kundër LSI-së dhe i hap Ramës rrugën drejt presidencës se nesërme, ose është naiv, ose sipërfaqësor, ose nuk arrin të kuptojë, se herët a vonë, koha e çon gjithkënd në ëndrrën fillestare. Dhe betejën mes pushtetit që ka marrë Rama politik dhe artit që ushtronte Edi artist, e fiton gjithmonë pushteti i artit. Sepse pushteti është i përkohshëm dhe arti është i përjetshëm. Kush e ka quajtur të Gjatin me ironi, “ai piktori”, sot ka mundësinë të përdorë penelat e tij për të bërë tattoo në fytyrën e Shqipërisë së nesërme. Sipas shijes së fituesit. Sic ka bërë përherë në 23 pushtet të paprerë në Tiranë.

Luksi i 74 mandateve që i dha dje kodi i Damianit dhe që shërbejnë për të ftuar sot demokratët për “Bashkëpunim pa kufinj”, është një nga arsyet që Rama e sheh mandatin e tij të tretë shumë më shumë se qeramarrje të zyrës së kryeministrit. Hesapi vetjak, do të thoshin cinikët, vizioni i epërm, do të thoshin të vetët, tashmë shkon përtej qeverisjes së “banalitetit” të përditshëm me ndërtim rrugësh e urash, me ujësjellës e kanalizime, me porte dhe aeroporte, buxhet e PPP-ra, me kryesi PS-je si sofër katrore e patronazhistë që rrumbullakosin shifrat. Këto mund t’i bëjë mjaft mirë edhe ndonjë socialiste tjetër e re në vend të tij e nën vullnetin e tij. Gerta, zonja e Vaksinave, Anila, shefja e Parave, Etilda e Drejtësisë apo Belinda e rrugëve, për shembull.

Vetë Rama sheh gjetkë, sheh përtej dhe çelësin e kasafortës së tij e ka lënë në vend të dukshëm, që të mund ta përdorë gjithkush që di dhe do të përdorë çelësat. Falë fitores së opozitës në zgjedhje, duke zgjedhur pa dilemë Perëndimin si të dashur shpirti, Edi Rama ka mundësi të ndjekë Lindjen, si bashkëshorten që i jep fati shqiptarëve. Me modelin e pushtetit pa kufinj të Erdoganit në mend, ai ëndërron të jetë si Ataturku reformator për turqit ish-otomanë: të shndërrohet nga drejtues i pjesës së socialistëve, në rithemelues të Shqipërisë moderne të të tërëve. Ndaj kërkon ndihmën e opozitës që fitoi zgjedhjet për veten, duke i humbur ato për Edi Ramën.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën

Presidenti ukrainas Zelensky: Kemi çdo shans për t'i dhënë fund luftës në 2025-ën