Edi Rama: Shqiptarët, kontributorë të rëndësishëm në ekonomitë e vendeve ku kanë emigruar

Edi Rama: Shqiptarët, kontributorë të rëndësishëm në ekonomitë e vendeve ku kanë emigruar

Edi Rama në mbledhjen Këshillit Koordinues të Diasporës

Shumë faleminderit dhe në radhë të parë i uroj mirëseardhjen të gjithë anëtarëve të Këshillit Koordinues të Diasporës, që kanë udhëtuar për të ardhur dhe për të qenë të pranishëm në këtë moment reflektimi dhe diskutimi mbi çfarë kemi bërë së bashku dhe se sa shumë gjëra mbeten akoma për tu adresuar ndërkohë që marrëdhënia mes diasporës dhe vendit amë është një marrëdhënie dinamike, me probleme që asnjëherë nuk shterojnë sepse kohët ndryshojnë, interesat dhe lidhjet mes vendit amë dhe të gjithë bijve të vet të shpërndarë nëpër botë marrin trajta të ndryshme në funksion të kohës, gjeneratat përballen me sfida të ndryshme dhe në ndërkohë ne jemi të gjithë dëshmitarë që bota transformohet me një shpejtësi gjithnjë e më të madhe që na sfidon të adaptohemi dhe të gjejmë rrugët më të mira për t’i kthyer këto momente transformimi marramendës në avantazh dhe duke evituar që disavantazhet e këtyre transformimeve të ndikojnë negativisht në ecurinë e jetës dhe punës sonë.

Nga ana tjetër, është interesante të shihet dhe të mos harrohet sigurisht, që kontributi i të ikurve në emigracion nga Shqipëria në këto 3 dekada vazhdon të jetë konstant në ekonominë tonë dhe remitancat në periudhën e fundit kanë shënuar rritje në raport me një periudhë të mëparshme, çka dëshmon për fuqinë e lidhjeve mes njerëzve, familjeve, rretheve familjare dhe traditës që ende sot është e fortë në bërthamën e familjes shqiptare, pavarësisht ndryshimit të rëndësishëm të ngarkesës dhe të interesave të atyre që janë jashtë sepse dhe fëmijët janë rritur dhe nevojat për financim të fëmijëve janë bërë edhe më të konsiderueshme edhe si rezultat i shtrenjtimit të kushteve të jetesës, të krizës që tanimë është bërë një konstante e jetës ekonomike të njerëzve në Europë dhe më gjerë sesa në Europë.

Vërtetë është një shenjë shumë domethënëse për tu studiuar sepse nuk është një karakteristikë e të gjitha diasporave në raport me vendet amë, kjo e mbështetjes së vazhdueshme dhe e një lidhjeje shumë të fortë që nuk dobësohet nga vitet dhe nga dekadat.

Kjo nga ana tjetër kërkon edhe me patjetër atë adresim që ne e kemi bërë me dije se kemi të gjithë dëshirën dhe vullnetin për ta realizuar, që është amnistia fiskale për të garantuar formalizimin e të gjitha të ardhurave nga puna të shqiptarëve në diasporë sepse e dimë shumë mirë, e dinë të gjithë, e dinë edhe autoritetet e vendeve ku shqiptarët prej dekadash japin kontributin e tyre që ekonomia informale nuk është një territor vendeve në zhvillim si Shqipëria, por është një zonë që ekziston edhe në vendet e zhvilluara dhe puna në të zezë, pagesat në “cash” për punë të paregjistruara si të tilla, për orë të paregjistruara si të tilla janë një konstante edhe në vendet e zhvilluara dhe sigurisht që shqiptarët hyjnë tek ato komunitete që ne e dimë shumë mirë dhe kjo gjë është e mirënjohur dhe e pranuar botërisht edhe në vendet ku shqiptarët janë komunitete të konsiderueshme sepse aty edhe ka rënë më në sy ky fakt, që janë punëtorë të jashtëzakonshëm dhe që me sakrifica të jashtëzakonshme e kanë ndërtuar jetën e tyre në emigracion, duke bërë nga dy e nga tre punë e duke bërë gjithashtu dhe akrobacira të paimagjinueshme për t’ia dalë që të integrohen dhe që të afirmohen në vende ku askush nuk i ka pritur krahëhapur dhe ku është dashur të përballen me vështirësi të jashtëzakonshme.

Kemi dëshmi të panumërta dhe raste të panumërta që përforcojnë të gjithë arsyet për ta bërë më në fund këtë hap, i cili ka qenë dashur të bëhet prej shumë kohësh, është tentuar nga qeveri të mëparshme dhe gjithmonë ka ngecur si rezultat i presioneve dhe mungesës së dëshirës së të tjerëve për ta kuptuar deri në fund  pse-në e kësaj lëvizjeje të rëndësishme, për të kuptuar deri në fund që Shqipëria është një rast krejt i veçantë, ka hyrë në ekonominë e tregut e fundit në Europë dhe ka ardhur në rrugën e çlirimit nga prangat e diktaturës komuniste prej një shtegu tërësisht unikal dhe pa asnjë lidhje me asnjë vend tjetër, një vend i izoluar totalisht jo vetëm nga Perëndimi por edhe nga Lindja, një vend i prapambetur shumë më tepër sesa të gjithë vendet e perandorisë sovjetive, një vend i asfiksuar në një hapësirë fare të vogël, ku ndër të tjera, propaganda e përditshme gati gjysmë shekullore ka përsëritur se dy armiqtë më të mëdhenj të popullit dhe të njeriut në botën kapitaliste janë bankat dhe taksat. Një larje truri e paimagjinueshme që ka sjellë si pasojë që edhe në periudhën e çlirimit nga izolimi dhe nga prangat e së shkuarës shqiptarët të jenë shumë skeptikë në fazën e parë të kësaj periudhe qoftë ndaj taksave, qoftë ndaj bankave dhe praktikisht mbajmë rekordin negativ të një vendi ku banka e parë private është hapur e fundit fare me diferencë të madhe vitesh nga gjithë Europa dhe ku paraja “cash” ka qenë faktikisht masivisht e përdorur dhe ku sot edhe në bazë të statistikave të organizatave dhe organizmave jo vendorë, por ndërkombëtarë jemi vendi me sasinë më të madhe të parasë kesh në qarkullim në Europë. Për të mos hyrë në detaje të tjera që lidhen me ndryshimet e imponuara të emrave në vende të caktuara ku ka qenë e pamundur për shqiptarët të marrin letrat për të punuar dhe për të jetuar pa ndërruar emrin, pa e kthyer emrin nga një emër i përdorur qysh në lindje, në një emër të dhuruar nga shteti përkatës apo kur u është dashur të shfaqen si shtetas ose si qytetarë që i iknin luftës në Kosovë ndërkohë që nuk ishin nga Kosova për të marrë letrat duke pretenduar se ishin të persekutuar, për një shkak të një varfërie dhe të një situate të papërballueshme ekonomike në vendin e tyre dhe për shkak të një ambicie të jashtëzakonshme që shqiptarët e kanë pasur denbabaden për të çarë detet dhe për tu imponuar në botë.

Të gjitha këto janë pastaj të mbledhura tek vështirësia e madhe që sot kanë shqiptarët që janë në emigracion për të transferuar paratë në Shqipëri dhe për të blerë dhe për të bërë transaksione në Shqipëri dhe për të investuar në Shqipëri, pa u vënë në shënjestrën e organeve ligj zbatuese dhe pa qenë të dyshuar se i përkasin ndonjë rrjeti apo ndonjë territori të botës së krimit. Përballë të gjitha argumenteve që nuk po i rreshtoj se duhen orë për t’i rreshtuar të gjitha, ajo që vjen si kundërshti kolektive ndaj nesh për të bërë këtë akt është se shqiptarët janë kriminelë dhe janë të përfshirë në krim. Natyrisht që ne kemi kontribuar masivisht për turpin tonë si politikë këtu në Shqipëri, por edhe si media, për ta furnizuar dhe për ta ngjizur këtë imazh skandaloz, ndërkohë që krejt e kundërta është e vërtetë.

Shqiptarët sot janë kontributorë të rëndësishëm në ekonomitë e vendeve ku kanë emigruar. Janë kontributorë të rëndësishëm në të gjitha nivelet dhe patjetër që si të gjitha komunitetet, si të gjitha bashkësitë, si në të gjitha vendet me qytetarët e tyre dhe njerëzit e kombësisë së vendit përkatës edhe shqiptarët kanë elementet e paligjshmërisë dhe të krimit ku nuk bëjnë dallim dhe nuk përbëjnë ndonjë risi apo ndonjë veçanti dhe mbi të gjitha ku s’duhet harruar asnjëherë dhe këtë gjë unë e kam përsëritur dhe e përsëris sa herë që konfrontohem me këtë lloj paragjykimi, që mbase patjetër shqiptarët që i kanë hyrë rrugës së paligjshmërisë dhe të krimit janë elementë shqetësues në shoqëri të caktuara, por tregun e drogës e drogës, tregun e prostitucionit, tregun e pastrimit të parave, tregun e të këqijave nuk e kanë krijuar shqiptarët, e kanë gjetur mes tyre dhe thjeshtë janë bërë pjesë e tij. Kështu që, kjo është e rëndësishme të kujtohet dhe pse është një e vërtetë shumë banale.

Thënë të gjitha këto, unë kam shumë besim që ne do t’ia dalim ta thyejmë atë barrikadën e paragjykimit. Jemi në komunikim intensiv për të realizuar atë që është një e drejtë kushtetuese e përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, atë që është një rrjedhojë logjike e një periudhe të gjatë tranzicioni dhe e një periudhe të gjatë transformimesh me një pikënisje shumë specifike si ajo prej ku është nisur Shqipëria, nga një prapambetje e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër që na detyron sot dhe që bën sot që shumica dërrmuese e shqiptarëve ta mbështesin realizimin e një amnistie fiskale dhe penale për të gjitha ato arsye që kemi thënë. Natyrisht pa i hapur asnjë shteg askujt që për shkak të detyrës apo për shkak të aktivitetit të tij të paligjshëm ka bërë para, askujt. As atyre që kanë kontribuar në jetën publike, që kanë kontribuar përkundër pagave dhe që s’mund të kenë të ardhura të tjera për të shkuar dhe për t’i formalizuar dhe as atyre që kanë kryer veprimtari të paligjshme të rreshtuara sipas kategorive të caktuara, por ama të gjithë të tjerët nuk mund të paragjykohen dhe nuk mund të penalizohen 99% e shqiptarëve që kanë punuar dhe kanë jetuar me punë, me tre lloj punësh dhe që janë abuzuar nga pronarë me pasaportën e vendit ku ata kanë shkuar për shkak të atij 1% që as nuk është subjekt i një amnistie të kësaj natyre dhe që as nuk i përfaqëson kurrsesi të gjithë shqiptarët.

E pamë se çfarë ndodhi në Britaninë e Madhe kohët e fundit, me çfarë lloj arrogance dhe me çfarë lloj demagogjie u përball komuniteti shqiptar dhe nuk kemi absolutisht asnjë arsye që të tërhiqemi përpara kësaj nevoje, është një nevojë e rëndësishme jo vetëm ekonomike, por edhe sociale, por edhe për ta vendosur vendin në kushte shumë më të favorshme në luftën kundër informalitetit dhe kundër korrupsionit dhe kundër krimit sepse në fund të ditës një gjë është e sigurtë, krimi i gjen rrugët për të bërë punën e vet të zezë duke i bllokuar të tërë në emër të luftës kundër krimit në fakt bllokon 99% të asaj tërësise që janë njerëz që s’kanë asnjë lidhje me krimin sepse ai 1% që i përket botës së krimit ai operon për nga natyra e vetë jashtë ligjit dhe nuk ka nevojë për ligje për të operuar, përkundrazi i thyen të gjitha ligjet dhe është një padrejtësi shumë e madhe dhe është edhe e papranueshme që në këtë lloj debati ne të përballemi me këdo qoftë që nuk e kupton që nuk mund të na paragjykojë si një vend që edhe pse e ka në të drejtën e vet kushtetuese, edhe pse e ka të domosdoshme ta bëjë, edhe pse sot qartësisht kjo është një masë që mbështetet masivisht nga qytetarët e vendit, nuk e paska të drejtën ta bëjë, madje u dashka frenuar me lloj-lloj formash, nga ato format e papranueshme në emër të, nuk e di, të gjitha vlerave dhe parimeve që recitohen bukur por që në fakt ndonjëherë përdoren për të fshehur ca të vërteta shumë të thjeshta duke na vendosur para një pamundësie të palogjikshme. 

Unë dua t’i siguroj të gjithë ata që janë në emigracion dhe që sot vuajnë për të sjellë në Shqipëri edhe ato remitanca që sjellin, një pjesë të madhe të të cilave i sjellin në rrugë informale, që të jemi realistë.

Vuajnë për të blerë një shtëpi se kur shkojnë për të blerë një shtëpi, iu turret nga mbrapa e gjithë struktura e pastrimit të parave dhe prokurorëve e në shumë raste, e vërteta është se paguajnë dhe rryshfete te prokurorët që t’i shpëtojnë bllokimeve të parave të tyre, që ne do ta bëjmë amnistinë fiskale, me çdo kusht dhe me çdo të drejtë që kemi për ta bërë dhe kam shumë besim se edhe bashkësia ndërkombëtare edhe sidomos Bashkimi Europian me të cilin tanimë jemi në një partneritet të patjetërsueshëm do ta kuptojë dhe ne nuk kemi nevojë që ta mbështesë sepse është e pakuptimtë dhe ta kërkosh që ta mbështesë, por nuk do ta pengojë dhe do të pranojë principin e të drejtës, duke shfrytëzuar nga ana e vetë, të drejtën për ta monitoruar këtë proces. Për ta monitoruar që procesi të bëhet ashtu siç duhet, se përderisa e bën Italia një herë në tre vjet dhe përderisa e bëjnë vende të tjera dhe përderisa e kanë bërë të tërë në një moment të caktuar, ne nuk kemi pse të provohemi nga kjo e drejtë se jemi të vegjël dhe pse na paragjykojnë përtej çdo lloj logjike.

U zgjata pak për këtë, por besoj se kjo është shumë e rëndësishme për gjithë emigrantët. Është shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët se ky është një fenomen masiv i prodhuar nga sakrificat e jashtëzakonshme dhe nga një sasi pune e kryer në zonën informale të ekonomisë në vendet e zhvilluara, që po t’i mbledhim të gjitha orët bashkë që shqiptarët i kanë falur me djersë dhe me gjak ekonomisë informale në vendet e zhvilluara, atëherë do të na rezultonte një volum skllavërie dhe skllavërimi i paimagjinueshëm, por ne e mirëkuptojmë këtë pjesë dhe nuk i hyjmë këtij debati.

E dyta që kam për të mos u zgjatur më tutje sepse nuk ia vlen mendoj unë, të rendisim këtu kemi bërë këtë, kemi bërë atë, se vërtet disa gjëra të mira janë bërë përsa i përket arsimit dhe arsimimit në gjuhën shqipe e të tjera, unë mendoj që jemi në një fazë ku duhet të bëjmë shumë më tepër për ta shfrytëzuar teknologjinë, si një mundësi e madhe që ta ribashkojë të gjithë vendin, popullin e të gjithë kombin tonë në një hapësirë alternative të hapësirës fizike ku të mund të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona të rritura në mënyrë eksponenciale si rezultat i emigracionit. 

Sot shqiptarët si komb për shkak të emigracionit, janë shumë më të ditur, janë shumë më të aftë. Niveli i aftësisë që ka sot kombi shqiptar, në raport me dhuntitë, me profesionet, me eksperiencat, me fushat e zhvillimit është i pakrahasueshëm me çfarë ishte përpara se shqiptarët të kishin mundësinë të dilnin jashtë.

Nëse ne do të bënim një kalkulim shumë të thjeshtë dhe do të bënim një stimulim që të prezumonim që në kushte lirie që të gjithë shqiptarët të rrinin këtu këto 30 vjet dhe pastaj të masnim kapacitetet e tyre, do të na rezultonin shumë herë më të ulëta sesa që janë sot, pikërisht për shkak të emigracionit dhe këtë e provojnë të gjitha rastet e atyre që janë kthyer dhe që kthehen që sjellin eksperiencë, sjellin dije, sjellin një kulturë të re pune dhe bëjnë sukses duke investuar kursimet e tyre.

Sigurisht që është një fazë e historisë ku më tepër ikin sesa kthehen, por ky është një trend që në një moment të caktuar do të ndryshojë, ama ajo që emigracioni i jep një kombi, një populli është e pazëvendësueshme.

Parapërfytyroni një moment sikur nga Britania e Madhe mos kishte emigruar askush drejt Shteteve të Bashkuara apo drejt Australisë apo drejt vendeve të tjera dhe të vazhdonin të rrinin aty brenda, të mbyllur në të gjithë shekullin e 20-të. Parafytyroni sikur nga Norvegjia të mos kishte emigruar askush. Parafytyroni sikur nga Italia të mos kishte emigruar askush. Parafytyroni të gjitha vendet që sot ne i shikojmë si modele, sikur ato të mos kishin pasur emigracion se ku do ishin sot. Nuk do ishte e mundur të ishin sot aty ku janë sepse pikërisht, ky transfuzion i madh i ka sjellë aty ku janë dhe pa emigracionin do të kishin qenë të mbaruar. Jo nga pikëpamja thjesht ekonomike, po nga pikëpamja e dijes dhe ne sot kemi një avantazh që ato vende nuk e kanë pasur.

Sot ky është avantazhi i vendeve si vendi ynë që kanë hyrë vonë në fazën e lëvizjes së lirë dhe ne jemi të fundit që kemi hyrë në fazën e lëvizjes së lirë dhe ne jemi të fundit që kemi hyrë në fazën e lëvizjes së lirë se të tjerët që ishin në ish-perandorinë sovjetike ata lëviznin. Nuk ishte problem të shkoje nga Sofja në Moskë, me mijëra kilometra. Kurse këtu ne kishim Tiranë-Durrës, Durrës-Tiranë me autobus dhe sot kemi avantazhin e teknologjisë dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë është një shembull i vogël në kuptimin e përmasës, por shumë kuptimplotë për se si pavarësisht vendndodhjes gjeografike, mbledhja e burimeve njerëzore në atë rezervuarin e teknologjisë, në hapësirën virtuale të krijuar nga teknologjia, mund të krijojë kushte në të cilat njerëzit janë bashkë dhe adresojnë një sfidë apo bëjnë së bashku punë dhe Akademia e Shkencave sot ka një departament të tërë që funksionon me akademikë të nivelit të lartë që janë në vende të ndryshme të botës dhe që nuk ka nevojë fare të vijnë në zyrë në mëngjes këtu në Tiranë, por janë secili në punët e tyre atje, dhe ndërkohë janë dhe anëtarë dhe kontributorë të një departamenti të veçantë të Akademisë së Shkencave.

Akademia e Shkencave ka anëtarë të rinj sot të cilët nuk janë fare në Shqipëri dhe të cilët janë pjesë e përpjekjeve të Akademisë së Shkencave. E sjell këtë si një shembull, po këtë mund ta ketë çdo universitet në Shqipëri. Çdo universitet në katedrat e veta mund të ketë pedagogë shqiptarë të cilët janë pedagogë në universitetet më të mira të botës dhe mund të japin leksione dhe mund të jenë të përfshirë në trupën e universitetit dhe të paguhen nga trupa e universitetit. Nëse ne kemi një bord akreditimi të cilësisë së universiteteve që është i përbërë nga akademikë shqiptarë që janë jashtë dhe që funksionon më së miri, ne nuk kemi pse të mos kemi pedagogë shqiptarë që kontribuojnë në universitetet më të mira të botës dhe që janë edhe në universitetet tona pedagogë e që kanë studentët e tyre, kanë klasat e tyre dhe që paguhen nga ne, e që paguhen edhe më mirë, patjetër.

E po kështu, ne po bëjmë përpjekje, por ky është një mur i madh paragjykimesh dhe vështirësisht që ne ja krijojmë gjithmonë vetes për të pasur nëpunës digjitalë  që janë në vende të tjera dhe punojnë në administratën tonë po ashtu, nuk kanë nevojë të paraqiten  në ekran në orën 7, kanë detyra të përcaktuara dhe marrin pjesë në punën e një ministrie të caktuar, e një agjensie të caktuar. Është plotësisht e mundur. Disa prova të vogla tregojnë që kjo funksionon dhe po kështu me mjekët, disa prova që janë bërë tregojnë se kjo funksionon dhe ne nuk kemi pse të mos kemi në të gjitha spitalet e Shqipërisë, mjekë shqiptarë të cilët janë në spitalet e vendeve të tjera dhe që janë edhe në spitalin e Gjirokastrës, apo spitalin e Kukësit, apo në spitalin e e Lezhës, apo në spitalin e Vlorës.

Ne mund ta bëjmë fare punën e tyre si mjekë ta atij spitali nëpërmjet telemedicinës.

Ky është një integrim i të gjithë atyre përfitimeve që u ka sjellë emigracioni këtyre njerëzve, duke u dhënë mundësi të mësojnë dhe të aftësohen në një mënyrë krejt tjetër për shkak të vendeve të zhvilluara, në ekonominë tonë, në punët tona të përditshme dhe natyrisht duke i dhënë mudnësinë atyre që jo vetëm të kontribuojnë, por edhe të shpërblehen për këtë punë, se tani nuk është se ka njeri më në zonën e profesionistëve, të paktën në vendet e zhvilluara që nuk ka probleme ekonomike në raport me situatën që është krijuar me krizën,me shtrenjtimin e jetesës. E them këtë që të shtoj se edhe një palë plus nga Shqipëria për këta njerëz, nuk është diçka e vogël.

Mjafton për shembull t’ju kompnesojë rritjen e fatyrës së energjisë elektrike që është bërë e pabërballueshme për profesionistët në Angli apo edhe në vende të tjera që s’po i përmendim të gjitha me radhë.

Këto kisha unë, ndoshta u zgjata pak, por kjo është karakteristikë e fjalimeve të mia që gjithmonë them do t’i shkurtoj, por që gjithmonë e më shumë zgjaten.

Kërkoj ndjesë për këtë, por shpresoj që të mos isha i mërzitshëm.

Edhe u përpoqa të jap një kontribut në këtë tryezë, jo thjesht për të shtuar këtu se ça çudirash kemi bërë ne, sepse faktkisht nuk është bërë pak, por krahasimisht me çfarë duhet bërë për interesin reciprok edhe të shqiptarëve që janë jashtë, por edhe të Shqipërisë që është brenda, nuk është shumë, është pak. Kështu që duke i falenderuar të gjithë anëtarët e këshillit drejtues, duke i propozuar që ne të fillojmë nga organizimi vitin e ardhshëm që është në mos gaboj, edhe vit përvjetori i Lidhjes së Prizrenit, apo jo, të nisë Samiti tjetër i Diasporës. Shpresoj që ju ta miratoni këtë propozim dhe ne të fillojmë punën për të organizuar një samit të madh të diasporës dhe për të të bërë  një tjetër raund bisedimesh, këtë herë duke u përpjekur të përfshijmë më shumë edhe qeverinë e Republikës së Kosovës, edhe qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe bashkësitë e tjera të diasporës në trojet e tjera të rajonit ku jetojnë shqiptarët.

Shpresoj se ju do ta përkrahni këtë dhe do të na ndihmoni që të organizojmë sa më mirë dhe që të bëjmë një event dhe më të mirë, edhe më të bukur, edhe më frymëzues dhe më kuptimplotë sesa ai që bëmë bashkërisht në samitin e parë.

Shumë faleminderit!

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • UKU MOMLIT: 18/12/2022 13:21

    Megallonani rrevolucionare e artikuluar nga nje gjuhe mafioze,e KORRUPTUAR dhe kriminale. Sa ngjashmeri ka kjo megallomani revolucionare me gjuhen "Foltores" pararendëse dhe aktuale me syza dielli.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Media britanike ‘Metro’: Shqipëria mes pesë destinacioneve spektakolare për të vizituar në 2025

Media britanike ‘Metro’: Shqipëria mes pesë destinacioneve spektakolare për të vizituar në 2025