Kryetari i bashkisë së Tiranës para miratimit të buxhetit të bashkisë për vitin 2012 bëri takime në njësitë bashkiake. Sa janë pasqyruar në buxhetin e sapomiratuar hallet dhe shqetësimet e shprehura nga qytetarët në këto takime?
Punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura janë shtyllat kryesore, mbi të cilat është hartuar buxheti i vitit 2012 për Tiranën. Buxheti i miratuar tashmë prej Këshillit Bashkiak, është shumë i artikuluar dhe i detajuar
në zërat e investimeve për të 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit, duke qenë në këtë mënyrë shumë transparent dhe informues për banorët.
Përcaktimi i prioriteteteve të investimeve, u krye nga z.Basha në dialog me banorët e kryeqytetit gjatë fushatës zgjedhore, por edhe më pas me kryetarët e zgjedhur të minibashkive si dhe përfaqësues të komuniteteve nga këto njësi vendore.
Projekt-buxheti për vitin 2012, u diskutua më pas ndërmjet kryebashkiakut dhe banorëve të secilës prej 11 njësitë vendore të kryeqytetit, nga ku rezultuan shumë vërejtje dhe sugjerime, të cilat u reflektuan në variantin përfundimtar të tij, i cili u miratua në këshill.
Buxheti me një vlerë prej 70 milionë dollarë, është më i madhi në historinë e qytetit dhe do të zbatohet sipas filozofisë së drejtimit të instaluar tashme në bashki "shkurtim shpenzimesh dhe rritje investimesh". Në investimet e drejtpërdrejta të parashikuara në njësitë vendore të Tiranës, përfshihen edhe rikualifikimi urban i infrastrukturës rrugore, i ujësjellës-kanalizime, rikonstruksioni dhe ndërtimi i shkollave, kopshteve e çerdheve, ndërtim qendrash sociale, përmirësim i menaxhimit të mbetjeve urbane, krijim i hapësirave të gjelbra, ndërtim terrenesh sportive etj.
Përveç kësaj thuajse të gjitha njësitë vendore përfitojnë edhe nga impakti i projekteve madhore strategjike të zhvillimit urban të Tiranës, të cilat shtrihen në territorin e këtyre njësive. Kështu përshembull, banorët e njësisë bashkiake numër 11 janë përfituesit kryesorë të një sërë projektesh strategjike që marrin jetë gjatë vitit 2012, si ndërtimi i terminalit të ri të trenit dhe autobusëve urbanë dhe interurbanë. Po kështu Linja e Tramit, Laprakë-sheshi Nënë Tereza, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërhyrja në rrethrrotullimin e Doganës dhe mbikalimet që parashikohen të ndërtohen përgjatë rrugës së Durrësit. Të gjitha këto janë projekte që kanë impakt mbi këtë zonë si për sa i përket zhvillimit ekonomik, por edhe punësimit.
Çfare bëri dhe nuk bëri Rama në Tirane për tre mandate?
Nuk besoj se dikush mund të jetë i interesuar që unë të bëj bilancet e drejtimeve të mëparshme. Përpos kësaj analiza të tilla, gjithnjë rrezikojnë të mbartin në vetvete subjektivizëm dhe shpesh edhe doza spekullimi. Sidoqoftë, vota popullore në fund të mandatit është vlerësimi më i mirë që mund t'i bëhet çdo drejtuesi.
Ka patur shumë kritika për mbylljen e punimeve në sheshin "Skënderbej"
duke u devijuar nga projekti i mëparshëm. Ndërkohë është premtuar se forma e sheshit, si vendkalimi për makinat do të ndryshojë sërish pas tre viteve. Si do të behet kjo dhe çfarë kostosh do të paguajë qytetari për ndryshimet e shpeshta në projekt?
Para se t'i përgjigjem kësaj pyetje më lejoni t'ju kujtoj mënyrën se si filluan punimet nga Bashkia e drejtuar nga z. Rama në sheshin "Skënderbej". Kam përshtypjen se administrata e z. Rama, ende nuk ishte gati për t'i filluar ndërhyrjet në shesh pavarësisht finalizimit të një projekti për këtë qëllim. Por një zhvillim i papritur u dha planeve të Bashkisë së atëhershme një kthesë të menjëhershme. Më kujtohet se sheshi, pati degraduar në një shkallë të tillë sa që gropat dhe brazdat gjatë tij e vështirësuan aq shumë qarkullimin e mjeteve dhe të këmbësorëve dhe gjendja u bë e padurueshme. Nisur nga kjo situate, rrënimi infrastrukturor dhe madje poshtërues për sheshin historik të Tiranës, qeveria "Berisha", i kërkoi Ministrisë së Punëve Publike të hidhte një shtrese asfalt pergjate perimetrit të sheshit për të ndalur degradimin e mëtejshëm dhe mundësuar një qarkullim normal të mjeteve. Meqenëse një ndërhyrje e tillë rehabilituese e përkohshme nga qeveria, sipas Bashkisë, rrezikonte të rriste vlerën e aksioneve të kapitalit politik të qeverisë në prag të zgjedhjeve lokale, atëherë ajo vendosi të bllokonte këtë ndërhyrje me çdo kusht.
Kështu edhe pse tërësisht e papërgatitur, Bashkia
shpalli fillimin e punimeve në shesh duke e bllokuar atë me eskavatorë, mjete të rënda dhe materiale inerte. Se çfare ndodhi në ditët dhe muajt që vijuan, mendoj se nuk është e nevojshme t'ju shpjegohet qytetarëve të metropolit, ngaqë ata e vuajtën për muaj të tërë kaluarin e paralizës së trafikut dhe lëvizjes në qendër dhe madje thuajse bllokimin e kësaj të fundit. Jam i bindur se nëse do të bëhej një anketim i qytetareve të Tiranës, lidhur me natyren e punimeve kryesisht nëntokësore brenda sheshit, sigurisht që pjesa dërrmuese e tyre do të ngrinte supet.
Padyshim që me këtë nuk dua të vë në diskutim vlerën dhe racionalen e këtyre punimeve, por thjesht desha të theksoj mungesën e informimit apo
edhe paralajmërimit qytetar lidhur me atë çka po ndodhte në shesh. Ndërkaq zgjedhjet lokale të Majit, e gjeten sheshin në një gjendje "infarkti" urban dhe të bllokuar prej nje pirgu inertesh e mbetjesh ndërtimore nga
punimet e papërfunduara dhe për më tepër që nuk paraqitnin ndonjë perspektivë finalizimi.
Këtë gjendje trashëgoi administrata jonë e re e dalë nga zgjedhjet, së bashku me stresin dhe irritimin qytetar gjithnjë në rritje nga bllokimi pa afat i qendrës, por edhe paralizimin e jetës ekonomike dhe sociale rreth sheshit dhe më gjerë. Në këtë mënyrë që në ditët e para ne u ndodhëm përpara presionit në rritje për zhbllokimin sa më parë të qendrës së Tiranës nëpërmjet një zgjidhje sa më të shpejtë dhe dinjitoze. Në fundin e nëntorit të vitit të kaluar, ne ju kthyem qytetarëve të Tiranës sheshin e tyrehistorik si një zgjidhje prestigjoze, estetike dhe mjaft dinjitoze ku hapësirat për qarkullimin e mjeteve, këmbësorëve, biçikletave, harmonizohen brenda një përmase gjelbërimi të panjohur më parë. Ju garantoj se asnjë qindarkë nga punimet e mëparshme nuk shkoi dëm, përkundrazi ato morën një vlerë disa herë edhe më të shtuar si rrjedhojë e zgjidhjeve inteligjente dhe kurajoze urbanistike.
Ju më pyesni nëse sheshi do të ndryshojë në të ardhmen?!
Për mua sheshi nuk është një gjë e ngurtë dhe formatuar një herë e përgjithmonë, sepse ai nuk ka se si të mos ndikohet nga dinamika e zhvillimeve të vrullshme urbane të perspektivës që do të përfshijnë kryeqytetin, si përshembull ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës i cili
shtrihet deri në Paskuqan si dhe shumë zhvillime të tjera. Këto ndikime nuk do të zhvlerësojnë investimet aktuale, por do t'i mbivlerësojnë ato nëpërmjet modifikimeve përmirësuese strukturore.
LAJMET MË TË VLERËSUARA







