Nga sondazhi që realizova para pak javëve, më rezultoi me ekstrapolim të përafërt statistikor se pothuaj 800 mijë banorë të rritur të vendit anojnë djathtas politikisht – vlerësojnë më shumë Ahmet Zogun ose Sali Berishën, krahasuar me Enver Hoxhën, ose Ramiz Alinë, ose Fatos Nanon, ose Edi Ramën.
Këtyre katër të majtëve politikisht, po t’u mbledhësh aritmetikisht simpatizantët, bëhen mbi 1 milion e 100 mijë banorë të rritur të vendit. Me pakë fjalë, një sondazh i tillë vlen si letër lakmusi statistikor për animin politik aktual të popullsisë së rritur në Shqipëri.
Nga sondazhi i fundit më rezultoi me ekstrapolim të përafërt statistikor se pothuaj 400 mijë banorë të rritur të vendit ishin gati të votonin për PD-në, në qoftë se do të zhvilloheshin zgjedhje të parakohshme. Pra, 100 mijë më pak se sa votuan për të më 11 maj 2025, dhe 400 mijë më pak se sa është rezervuari i votuesve potencialisht të djathtë…
Në muajt e fundit, Salianji po zhvillon foltore paralele me të Berishës, me synimin që t’i galvanizojë pikërisht ata 400 mijë të djathtë të këtushëm të zhgënjyer nga ky i fundit. Duket se synimi i tij është rritja e pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet e ardhshme. Ama, për sa kohë Berisha deklaron se Salianji e ka përjashtuar veten nga PD-ja, këtij të fundit do t’i duhet një përpjekje titanike publike për t’u bërë zë konkurrues brenda PD-së!
Komente









