VLERESIMI
Në shtator 2013 Qeveria “Rama” filloi vlerësimin e detyrimeve financiare të pashlyera me qëllim shlyerjen e tyre në një kohë sa më të shpejtë. Në fakt, ajo e ka gjetur situatën financiare të shtetit në gjendje shumë të keqe: janë qindra miliona euro të papaguara, të ndara në detyrime për projekte investimesh, për mallra e shërbime, rimbursim TVSH-je, rimbursim i tepricës kreditore të tatimfitimit, vendime gjyqësore, shpronësime publike, përfitime për persona me aftësi të kufizuara, etj. Fillimisht, nga kjo Qeveri në muajin tetor 2013 u kontraktua një shoqëri e pavarur për të ndërmarrë një auditim dhe për të nxjerrë gjëndjen përfundimtare në lidhje me kontratat qeveritare të pashlyera deri në fund të gushtit 2013.
SHUMA E DETYRIMIT
Detyrimet e prapambetura kontraktuale për investime, të identifikuara për institucionet e qeverisë qëndrore, duke shtuar edhe pretendime të sipërmarrjeve, të cilat kërkojnë kontrolle të mëtejshme, vlerësohen të arrijnë 24.6 miliardë lekë. Këto vlerësohen të jenë vetëm një kategori e detyrimeve financiare të prapambetura. Detyrime të prapambetura janë identifikuar dhe në ndërmarrjet shtetërore të shërbimeve publike, ndaj subjekteve tatimpaguesve në procesin e rimbursimit të TVSH dhe tatim fitimit, detyrime të krijuara si pasojë e vendimeve gjyqësore.
Nga vlerësimet paraprake, detyrimet e përgjithshme financiare të prapambetura të qeverisjes qëndrore deri në dhjetor 2013 parashikohen të jenë afërsisht 72.6 miliardë lekë ose 5.3 për qind e PBB-së. Kjo shifër do të jetë subjekt i verifikimeve të mëtejshme gjatë procesit të shlyrjes së detyrimeve. Përveç këtyre detyrimeve të prapambetura, mund të ketë edhe detyrime të tjera të konsiderueshme të prapambetura në sektorin më të gjerë publik, duke përfshirë ndërmarrjet shtetërore në sektorin e energjisë.
ENERGJIA
Këshilli i Ministrave do të miratojë një plan të veçantë kohor të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndërmjet shoqërive në sektorin e energjisë.
Kontratat me privatët, pritet auditimi i zbatueshmërisë
Risia e hartimit të buxhetit të vitit 2014 ka qënë shtimi i zërit për detyrimet që Qeveria ka ndaj subjekteve privatë për punë dhe shërbime të kryera. Për sa i përket shlyrjes së borxhit, kreu i Financave, Shkëlqim Cani, në muajin dhjetor është shprehur se dikasteri që ai drejton ka të gjithë dëshirën për ta kryer këtë menjëherë, por gjithçka varet nga huaja që do t’i akordojnë institucionet financiare vendit tonë si FMN-ja dhe BB-ja.
“Borxhet nuk do shlyhen nga paratë e buxhetit, por nga një hua e marrë. Jemi në fazën e negociatave të huasë dhe ta marrim njëherësh dhe të shlyejmë njëherësh. Është dhe një mundësi që të shlyhet nga buxheti, nëse mundemi, mund të bëjmë parapagim deri në momentin kur të marrim hua”,-tha ai. Ndërkaq në një deklaratë më të hershme, ministri Cani ka shpjeguar se, përpara se të shlyhet borxhi, që shteti i detyrohet bizneseve, fillimisht do të kontrollohet përmbushja e kontratës sipas ligjit. Në bazë të përmbushjes së kontratës do të kryhet edhe shlyerja e detyrimeve.
Tashmë Qeveria është në pritje të huasë që do t’i akordojë FMN-ja, që duhet të kapë shifrën e 300 milionë USD. Por kjo hua mund të jepet pasi të merret vendimi i Bordit të Drejtorëve, të cilët pritet të mblidhen në muajin mars. Si rrjedhojë, edhe shlyerja e detyrimeve do të shtyhet dhe nuk do të ndodhë në fund të muajit janar, ashtu siç u tha ndërsa Qeveria ishte në fazat e para të auditimit të detyrimeve që u kishte subjekteve private. Ndërkohë, ende nuk kemi një vlerësim të përmbushjes së kontratave, për të cilat subjektet private pretendojnë se Qeveria u ka detyrime.
Ndarja në zëra e detyrimeve të përgjithshme financiare të prapambetura të Qeverisë | |
Vlerësimi paraprak i detyrimeve financiare të prapambetura | |
Zëri | miliardë lekë |
Detyrime për projekte investimesh | 24.6 |
Detyrime për mallra dhe shërbime | 5 |
Rimbursim i TVSH-së | 12.84 |
Rimbursim i tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin | 10 |
Te tjera (vendime gjyqësore, shpronësime publike, përfitimet për persona me aftësi të kufizuar, etj) | 20.13 |
Totali | 72.57 |
Parashikimi buxhetor afatmesëm i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura | ||||
Viti | 2014 | 2015 | 2016 | Totali |
Shpërndarja e buxhetit (miliardë lekë) | 35 | 20 | 17.5 | 72.5 |
Shkrimi u publikua sot (28.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)