DURRES - Një sherr i nisur në rrjetin e ndaluar social TikToktë miturit e përdorin ilegalisht në vendin tonë, nxiti konfliktin e rëndë në ish-kënetë të Durrësit, ku mbeti i vrarë me thikë në zemër Erion Boba, 15-vjec, nxënës i vitit të parë në shkollën “Dom Nikoll Kaçori”.

Burime të sigurta nga grupi hetimor thanë për Report TV se mesditën e 25 nëntorit, rreth orës 14:00, Erioni, bashkë me dy shokë mbërritën me makinë në një kryqëzim. Menjëherë pas tyre, mbërritën po me makinë, tre të mitur nga grupi tjetër, mes të cilëve edhe 14-vjeçari, autori i dyshuar i vrasjes. E çuditshme mbetet gjithashtu, se si të miturit lëvizin lirshëm me makina, kur mosha e lejuar për drejtimin e tyre, është 18 vjeç, njëra prej tyre e drejtuar nga Erjoni 15-vjeçar dhe tjetra, nga shoku i mituri i autorit. Pasi të dyja palët zbresin nga automjetet, qëllojnë njëri-tjetrin me grushte, ristela, dërrasa dhe me bishtat e çadrave. Për këtë episod të përplasjes mes grupeve, hetuesit nuk janë ende të qartë se cilët prej personazheve mbajnë sendet e forta, që u gjetën në vendngjarje të gjakosura. Ajo që dihet për hetuesit, është se gjatë sherrit, 14-vjeçari, tashmë i arrestuar, goditi 4 herë me biçak në kraharor Erionin 15-vjeçar, dy prej të cilave i prekën zemrën.  Hetuesit nuk i kanë ndihmuar për të kuptuar dinamikën, as pamjet e sigurisë, pasi në zonë nuk ka të instaluara kamera, por deri më tani i kanë ndihmuar dëshmitarët okularë që kanë parë sherrin mes adoleshentëve.

14-vjeçari bashkë me dy shokët që e shoqëronin, u larguan menjëherë duke u kujdesur të marrin me vete edhe armën e krimit nga vendi i ngjarjes. Pas negociatave me familjarët, policia e Durrësit arriti ta prangosë të miturit një ditë pas vrasjes. Thika u gjet në makinë, e njëjta me të cilën erdhën në vendtakimin që u kthye në skenë krimi. Arma e ftohtë ishte e pastruar nga njollat e gjakut.

Burimet thanë për Report TV se konflikti në rrjetet sociale, me sharje dhe ofendime kishte nisur mes shokut të Erion Bobës, dhe vëllait të autorit. Pra as 15-vjeçari që u vra me thikë, dhe as i mituri i dyshuar, nuk kanë qenë në konflikt me njëri-tjetrin. Dy të miturit, të cilët mësonin në shkolla të ndryshme, u bashkuan në pikën e takimit për të ndihmuar në përballjen e dhunshme që përfundoi në krim, njëri shokun, e tjetri vëllain.

Hetuesit thanë se deklaratat e të miturve të shoqëruar pas ngjarjes, kanë qenë kontradiktore dhe nuk e sqarojnë të plotë gjenezën e debatit. Në vijim pritet rimarrja e tyre në pyetje për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë e gjithsecilit.  Në pyetje është marrë dhe stafi pedagogjik, por sipas tyre nuk kanë pasur dijeni për konfliktin dhe se brenda shkollës nuk ka ndodhur asnjë sherr.

15-vjeçarit Erion Boba, ndërroi jetë pas 9 ditëve në spital dhe u përcoll në banesën e fundit më 5 dhjetor, në Bulqizë, qytetin e tij të lindjes. Familja e tij ka kërkuar drejtësi për të birin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:58
Protesta për vrasjen e 15-vjeçarit në Durrës, halla e viktimës e zhgënjyer nga pjesëmarrja: Kjo është neglizhencë, nëser mund të vritet një fëmijë tjetër (VIDEO)

Një protestë u njoftua për ditën e sotme në rrjete sociale pas vrasjes së 15-vjeçarit Erion Boba me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar. Halla e Erionit, Barie Çupi për mediat ka thënë se prezenca e pakët e qytetarëve në protestë, është një neglizhencë dhe rënie e ndërgjegjes shoqërore.

Barie Çupi kërkon drejtësi për nipin e saj si dhe më tepër solidaritet nga qytetarët. Ndër të tjera, ajo është shprehur se nuk kanë pasur aspak komunikim me familjen e autorit dhe se të vetmin interes e kanë përballë drejtësisë.

“Kjo neglizhencë e një populli para një tragjedie, tregon rënie të ndërgjegjes shoqërore, të dhimbjen kombëtare.. ne djali na iku e s’na kthehet më sikur bota të përmbyet, por prindërit që janë sot në çdo familje, apo mësuesit nëpër shkolla, mjekët, nesër mund të ketë një Erion tjetër, një Martin tjetër. Kjo është plaga që le Erioni pas. Thikat e Erionit mund të jenë thikat e një fëmijë tjetër nesër. Edhe drejtësia për Erionin është shumë e vështirë…. unë kam marrë me qindra mesazhe, dhe i falënderoj të gjithë shqiptarët për mesazhet e ngushëllimit, por ngushëllimi më i thellë do ishte të ishin sot këtu në këtë protestë të njoftuar. Në bëmë protestë dhe në Bulqizë, por ishte e dhimbshme mungesa e prindërve. E vërteta jonë është qe Erioni ka qenë i pafajshëm, një fëmijë i urtë i dashur, ishte edukuar me punën dhe me normat e familjes dhe jo të rrugës. Erioni është prerë në besë nga kjo shoqëri. Nuk kemi asnjë lidhje dhe nuk na intereson kontakti me familjen e autorit. Na intereson vetëm drejtësia për Erionin. Po kanë ardhur nga shkolla e Erionit. Mendoj që fëmijët nuk janë lejuar sot të vijnë për shkak të orarit të shkollës. Kërkojmë të zbardhet çështja dhe autori të marri dënimin që meriton së bashku me shokët”, shprehet ajo.