Afro 62.8 milionë euro është fatura e paguar deri më tani nga KESH për të vënë në punë dhe për të prodhuar energji nga TEC-et lundruese në Vlorë. Sipas shifrave zyrtare ato kanë gjeneruar 92 mijë megavat energji elektrike, ku kostoja ka rezultuar 151 euro për megavat.

***

Prej më shumë se një viti gjeneratorët lundrues të vendosur në triport në Vlorë (Tigri 1 dhe Tigri 3) janë ndezur për të prodhuar energji elektrike. Në total prej tyre deri në fund të nëntorit është prodhuar vetëm 92 mijë megavat energji elektrike, pavarësisht nevojave në rritje për konsum.

Për të plotësuar kërkesën Kesh-i, në nëntë muaj, sipas të dhënave të INSTAT, ka importuar nga jashtë rreth 2.7 milionë megavat nga 1.9 milionë megavat, vitin e kaluar. Sipas përllogaritjeve bazuar në ankandet e KESH, rezulton se deri më tani fatura e importit të energjisë është rreth 222 milionë euro. Ndërsa çmimi është luhatur mes vlerave 90-130 euro megavati.

Shifrat zyrtare të siguruara nga Report TV pranë Korporatës Elektroenergjetike tregojnë se deri më tani kostoja e prodhimit të një megavati në TEC-et lundruese, është dukshëm më e shtrenjtë, pak më shumë se 151 euro.

Referuar të dhënave të vëna në dispozicion nga KESH,  për këto 2 gjeneratorë termik, deri tani janë shpenzuar 62.8 milionë euro. Konkretisht dy kompanive me të cilat Shqipëria nënshkroi marrëveshjen për t’i sjellë ‘tigrat’ në Vlorë, Excelerate Power dhe Renco iu është likuiduar vlera prej 32,998,715 dollarë.

Gjithashtu kompania RENCO ka marrë edhe 14,893,200 dollarë për shërbimet e mirëmbajtjes. Ndërsa për ndezjen e tyre janë blerë lëndë djegëse me vlerë 15 milion Euro deri më tani.

Dy platformat lundruese erdhën në Vlorë në shtator të vitit 2022, dhe synohej të mbulonin 15% të nevojave të konsumit vendas, me kapacitet prodhues 110 megavat orë energji elektrike.

IMPORTI I ENERGJISË ELEKTRIKE
Janar-Shtator 2024            1,920,145 MWh
Janar- Shtator 2025           2,752,381 MWh
Diferenca                           +832,236 MWh
 

 

PAGESAT PËR TIGRI 1 DHE 3
Excelerate- Renco                32,998,715 USD
RENCO për mirëmbajtje     14,893,200 USD
Blerje lënde djegëse                 15 mln euro