Gazetari italian Gian Micalessin (Xhan Mikalesin), i dërguari i luftës i gazetës italiane ‘Il Giornale’, nga Moska në një intervistë ekskluzive për Report TV me gazetarin Carlo Bollino thotë se populli rus fillimisht ishte kundër luftës në Ukrainë. Ai thotë se vendosja e sanksioneve të Perëndimit rrezikon që rusët të ribashkohen me presidentin rus Vladimir Putin.
Pjesë nga intervista me gazetarin italian Gian Micalessin për Report Tv:
Carlo Bollino: Mirëdita Gian, faleminderit për këtë lidhje, ku ndodhesh sot ekzaktësisht?
Gian Micalessin: Unë ndodhem në Moskë.
Carlo Bollino: Mirë, ne duam të dimë pikërisht këtë, sepse gjithë opinioni publik është i fokusuar tek efektet e luftës, por çfarë informacionesh ka opinioni publik rus për atë që po ndodh realisht në Ukrainë, dhe cili është reagimi i tyre emotiv, nëse ka një të tillë?
Gian Micalessin: Le të themi se Rusia është një vend me 144 mln banorë, ka një kryeqytet me 4 mln banorë dhe pastaj është pjesa tjetër e vendit ku është e vështirë të perceptosh humorin e njerëzve, edhe për faktin se jetojnë në zona me 4-5 orare të ndryshme, pra cili është perceptimi për luftën? Pra, në radhë të parë çfarë dihet për luftën? Natyrisht dihet pak për luftën, dihet pak sepse të parët gazetarë rusë që kanë filluar të transmetojnë ndonjë reportazh nga brenda kanë hyrë në Ukrainë 2-3 ditë më parë. Në përgjithësi informacioni nuk është shumë i përhapur në lidhje me luftën, ruhet një lloj rezervimi, vetëm 3 ditë më parë doli bilanci i parë zyrtar që flet për 500 të vdekur, që megjithatë është një bilanc që do të thotë shumë, sepse 500 të vdekur në 9-10 ditë operacion përbëjnë një bilanc shumë të rëndë, shumë të rëndë për standardet perëndimore, por edhe për Rusinë nëse shohim se në Afganistan në 10 vite luftë humbën jetën 15 mijë njerëz. Të humbasësh 500 vetë në 10 ditët e para të operacioneve është diçka e rëndë mbi të cilën është e vështirë të kuptohet se cili është reagimi i opinionit publik, sepse kemi të bëjmë gjithnjë me një opinion publik kompleks, në kuptimin që në ditët e para kur nisi ajo që këtu quhet operacion ushtarak dhe jo luftë, nuk quhet pushtim por operacion ushtarak special, ky është termi zyrtar që përdoret. Qartësisht në rrjetet sociale ka patur shumë reagime të kundërta edhe për faktin se rusët i konsiderojnë ukrainasit me të cilët kanë jetuar të paktën deri në rënien e murit krah për krah njëri tjetrit, ende si popull vëlla, sidomos nga ata që janë 40 apo 50 vjeç dhe që kanë jetuar në kohën e Bashkimit Sovjetik, por edhe mes të rinjve pasi ka marrëdhënie, miqësira, lidhje familjare, pra është e vështirë të thyesh këto lidhje, pra asnjë këtu në Rusi nuk e konsideron Ukrainën një popull armik apo një shtet armik.
Ka një reagim mjaft të ndryshëm me atë që ishte gjatë luftës në Çeçeni, pra në ditët e para ishin të dallueshme këto reagime kundër luftës, por çfarë ka ndryshuar? Ka ndryshuar se me tentativën e izolimit të Rusisë nga Perëndimi, me sanksionet mjaft të rënda, me tentativën për ta transformuar Rusisë në një shtet të vobektë edhe përsa i përket sportit, kulturës, informacionit, filluan të lindnin reagime të ndryshme edhe shumë ata që ishin shprehur kundër luftës, pastaj filluan të shpreheshin, nëse është kjo ajo që duan, nëse duan të ndëshkojnë Rusinë, nëse duan të na izolojnë, atëherë ne jemi me presidentin tonë, jemi me Kremlinin, sepse jemi një komb që nuk do t’i përkulemi Perëndimit, pra kemi këtë reagim të dyfishtë dhe është e vështirë të kuptosh kush është shumicë, nga njëra anë një reagim me habi për një luftë ndaj një populli i konsideruar i afërt, mik, motër, nga ana tjetër reagim kundër Perëndimit që përpiqet të izolojë Rusinë.
Intervista e plotë do të transmetohet ditën e nesërme në Report Tv