EKSKLUZIVE/ Ja 124 dosjet që presin Gjykatën Kushtetuese

124 çështje presin për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk merr vendime që në shkurt të vitit 2018, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. ‘Kosës’ së trefishtë të Vetingut i ‘mbijetoi’ vetëm anëtarja Vitore Tusha, të cilës gjithsesi i ka mbaruar mandatin, ndërsa anëtarët e tjerë u shkarkuan për pasuri të paligjshme ose u vetëlarguan, duke evituar Vetingun. Që nga fundi i vitit 2017 deri ditët e sotme numri i dosjeve që presin për t’u shqyrtuar nga gjykata më e rëndësishme në Shqipëri ka shkuar në 124, numër i cili pritet të rritet me shpejtësi për shkak të zgjerimit të subjekteve, të cilët kanë të drejtë sipas ligjit të vënë në lëvizje Kushtetuesen. Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për Shqiptarja.com se 23 kërkesa janë paraqitur për kundërshtim të ligjeve të miratuara nga Parlamenti, ndërsa 8 kërkesa për kundërshtim të vendimeve të qeverisë.

Mes vendimeve dhe ligjeve që kundërshtohen janë edhe VKM-ja nr. 89, datë 03.02.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë” si dhe neni 6, pika 1, shkronja “b” dhe nenit 7, pika 2, shkronjat “a” dhe “b” të ligjit nr. 133/2015, datë 05.12.2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Ndërkaq, 83 kërkesa janë kundër gjykatave për proces të parregullt, nga të cilat 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të Komisionit të Pavarur të Apelimit. Një kërkesë është paraqitur për zgjidhje mosmarrëveshjeje të kompetencës, 7 kërkesa të paraqitura për konstatim cenimi (mosekzekutim vendimesh ose mosgjykim brenda afatit të arsyeshëm), 1 kërkesë e sjellë nga individ për interpretim të ligjeve dhe 1 kërkesë për interpretim vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Nga 124 çështje në total, 8 çështje janë të mbartura nga viti 2017 dhe 68 çështje janë të mbartura nga viti 2018. Ndërkaq, në Gjykatën Kushtetuese, sipas gjasave, priret të zhvendoset edhe çështje më e nxehtë e politikës shqiptare, ajo e Presidentit Ilir Meta. Nëse Kuvendi i Shqipërisë do të finalizojë shkarkimin e Presidentit Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak te tre dekreteve për zgjedhjet lokale, vendimi do të shkojë për verifikim në Gjykatën Kushtetuese. Opinioni i Komisionit të Venecias do të jetë përcaktues për vendimin e Kuvendit për shkarkimin ose jo të Metës, ndërsa Gjykata Kushtetuese do të thotë fjalën e fundit për kreun e shtetit.

Kushdo mund t’i drejtohet Kushtetueses

Kushtetua dhe ligji për Gjykatën Kushtetuese, të ndryshuara në vitin 2016, kanë zgjeruar subjektet që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Ndryshimet e reja parashikojnë që Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të Presidentit, kryeministrit, jo më pak se një të pestës së deputetëve, Avokatit të Popullit, kryetarit të KLSH, çdo gjykate, çdo komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta, KLGJ, KLP, organeve të qeverisjes vendore, organeve të bashkësive fetare, partive politike, organizatave dhe individëve. Sa i takon individëve, ligji i ndryshuar i Kushtetueses parashikon që çdo individ, person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, kur është palë në një proces ligjor ose kur është bartës i të drejtave dhe i lirive themelore të parashikuara nga Kushtetuta ka të drejtë të kundërshtojë para Gjykatës Kushtetuese çdo akt që cenon të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë. Por, ankimi kushtetues individual shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese kur kërkuesi ka shteruar të gjitha mjetet juridike efektive para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose kur legjislacioni i brendshëm nuk parashikon mjete juridike efektive në dispozicion; kërkesa paraqitet brenda afatit 4-mujor nga konstatimi i cenimit; pasojat negative të pretenduara janë të drejtpërdrejta dhe reale për kërkuesin dhe shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Kushtetuese do të mund të rivendoste në vend të drejtën e shkelur të individit.

Bilanci

124 çështje presin për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk merr vendime që në shkurt të vitit 2018, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut.

Ligjet

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për Shqiptarja.com se 23 kërkesa janë paraqitur për kundërshtim të ligjeve të miratuara nga Parlamenti, ndërsa 8 kërkesa për kundërshtim të vendimeve të qeverisë.

Dosjet që presin për t’u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese

  1. 83 kërkesa për proces të parregullt (nga të cilat 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të KLD dhe 1 kërkesë për shfuqizim vendimi të KPA);
  2. 23 kërkesa për kundërshtim të ligjeve (në një kërkesë nga të cilat kundërshtohet dhe VKM);
  3. 1 kërkesë paraqitur për zgjidhje mosmarrëveshjeje të kompetencës;
  4. 8 kërkesa të paraqitura për kundërshtim VKM (nga të cilat 4 paraqitur nga individë);
  5. 7 kërkesa të paraqitura për konstatim cenimi (mosekzekutim vendimesh ose mosgjykim brenda afatit të arsyeshëm);
  6. 1 kërkesë e sjellë nga individ për interpretim të ligjeve;
  7. 1 kërkesë për interpretim vendimi të GJK.

Kush mund t’i drejtohet Kushtetueses

Ishte

Neni 134 i Kushtetutës

1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të:

a) Presidentit të Republikës;

b) Kryeministrit;

c) jo më pak se një së pestës së deputetëve;

ç) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;

d) çdo gjykate sipas rastit të nenit 145 pika 2 të kësaj Kushtetute;

dh) Avokatit të Popullit;

e) organeve të qeverisjes vendore;

ë) organeve të bashkësive fetare;

f) partive politike dhe organizatave të tjera;

g) individëve.

2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët dh, e, ë, f dhe g të paragrafit 1 të këtij

neni mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.

Është bërë

Neni 134 i Kushtetutës

1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të:

a) Presidentit të Republikës;

b) Kryeministrit;

c) jo më pak se një të pestës së deputetëve;

ç) Avokatit të Popullit;

d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;

dh) çdo gjykate, sipas nenit 145, pika 2, të kësaj Kushtetute;

e) çdo komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta;

ë) Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë;

f) organeve të qeverisjes vendore;

g) organeve të bashkësive fetare;

gj) partive politike;

h) organizatave;

i) individëve.

2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f ”, “g”, “gj”, “h” dhe “i”, të paragrafit 1, të këtij neni, mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.

Ligji për Gjykatën Kushtetuese

Neni 71

1. Çdo individ, person fizik ose juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, kur është palë në një proces ligjor ose kur është bartës i të drejtave dhe i lirive themelore të parashikuara nga Kushtetuta ka të drejtë të kundërshtojë para Gjykatës Kushtetuese çdo akt që cenon të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë, sipas kritereve të parashikuara në nenin 71/a të këtij ligji.

Neni 71/a

1. Ankimi kushtetues individual shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese kur:

a) kërkuesi ka shteruar të gjitha mjetet juridike efektive para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose kur legjislacioni i brendshëm nuk parashikon mjete juridike efektive në dispozicion;

b) kërkesa paraqitet brenda afatit 4-mujor nga konstatimi i cenimit;

c) pasojat negative të pretenduara janë të drejtpërdrejta dhe reale për kërkuesin;

ç) shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Kushtetuese do të mund të rivendoste në vend të drejtën e shkelur të individit.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sllovakia ofrohet të presë negociatorët e paqes Rusi-Ukrainë, Putin: jemi dakord

Sllovakia ofrohet të presë negociatorët e paqes Rusi-Ukrainë, Putin: jemi dakord