Gazeta „Shqiptarja.com“ ka mundur të sigurojë nga prokuroria e Tiranës kallëzimin penal që kompania në fjalë ka bërë ndaj Xhelal Mziut, ku janë renditur të gjitha shkeljet që përfaqësuesi i PD në Kamëz ka kryer lidhur me zhvillimin e ankandit të tenderit 890 milion lekë të vjetra për zgjerimin e rrugës „Zgjimi“ në zonën e Valiasit.
Sipas kallëzimit pas fitimit të tenderin nga Komisioni i Prokurimit Publik, pas shumë procedurash Xhelal Mziu, ka pranuar të dërgojë një shkresë ku ftonte drejtuesit e kompanisë që të paraqiteshin në bashkinë Kamëz me qëllim nënshkrimin e kontratës. Kjo shkresë është firmosur nga Xhelal Mziu në datën 23 gusht 2013 dhe fton përfaqësuesit e kompanisë që brenda 30 ditëve të paraqiten pranë Bashkisë Kamëz së bashku me dokumentacionin përkatës për nënshkrimin e kontratës. Zyrtarët e kompanisë janë paraqitur në datën 30 gusht 3013 në Zyrën Juridike të Bashkisë Kamëz së bashku me materialet e nevojshme për lidhjen e kontratës, por që në fakt nuk kanë arritur të lidhin asnjë kontratë.
Kallëzimi i plotë
Më datën 13.06.2013 operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion“ sh.a., ka paraqitur ankesë pranë autoritetit kontraktor, duke kundërshtuar skualifikimin e tij. Operatori ekonomik ankimues nuk ka marrë asnjë përgjigje prej autoritetit kontraktor lidhur me ankesën e paraqitur. Më datën 28.06.2013 operatori ekonomik ankimues ka paraqitur ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik nëpërmjet të cilës kundërshton vendimin e autoritetit kontraktor lidhur me arsyet e skualifikimit të tij duke bërë argumentimin përkatës. Më datën 24.07.2013, Komisioni i Prokurimit Publik zhvilloi një seancë dëgjimore me pjesëmarrjen e përfaqesuesve të subjektit ankimues dhe të autoritetit kontraktor.
Komisioni i Prokurimit Publik,pas shqyrtimit të ankesës, dokumentacionit bashkëlidhur dërguar nga operatori ekonomik ankimues, si dhe dokumentave të dërguara nga autoriteti kontraktor vendosi të pranojë ankesën e paraqitur nga operatorit ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.a për procedurë e prokurimit “Procedurë e Hapur”, me objekt: “Ndërtim rruga Zgjimi (Rruga Valias i Ri-Varrezat Kamëz-Laknas)”, me fond limit 80.928.447 Lekë (pa TVSH) i zhvilluar në datën 27.05.2013, nga autoriteti kontraktor Bashkia Kamez.
Në këtë vendim ka anolluar vendimin e KVO-së të dt.10.06.2013 mbi skualifikimin e operatorit ekonomik “Gjoka Konstruksion” sha. Autoriteti kontraktor, mbeshtetur në konstatimet e Komisionit të Prokurimit Publik, të korrigjojë shkeljet, duke kualifikuar operatorin ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.p.k….
Mbi bazën e vendimit si më sipër,i detyruar tashmë ligjërisht kryetari i Bashkisë Kamëz z.Xhelal Mziu me dt.23.8.2013 njofton përfaqësuesit e kompanisë “Formularin e njoftimit të fituesit” dhe fton që brenda 30 ditëve të paraqiten pranë Bashkisë Kamëz së bashku me dokumentacionin përkatës për nënshkrimin e kontratës.
Zoti Prokuror!
“Formulari për njoftimin e fituesit” ka ardhur më datën 26.8.2013 dhe më datën 30.08.3013 përfaqësues të firmës janë paraqitur në Zyrën Juridike të Bashkisë Kamëz së bashku me materialet e nevojshme për lidhjen e kontratës! Prej ateherë dhe deri në momentin që po paraqesim këtë kallzim penal ndonëse janë përmbushur prej kompanisë të gjitha detyrimet ligjore kontrata nuk është nënshkruar për shkak se NUK DON z.Xhelal Mziu.
(Në Foto: Faksimile e kallëzimit penal që është bërë kundër kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu)
Shkrimi u publikua sot (22.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)